Deputetja e LSI, Kërpaçi: Kryeministër i pashpirt, arrogant dhe përçarës
Deklarata për shtyp e deputetes së LSI-së, Floida Kërpaçi.
Që prej 10 ditësh studentët shqiptareë po protestojnë në mënyrë të vendosur e bashkë me ta gjimnazistë, prindër e qytetarë të thjeshtë që janë solidarizuar me studentët, e kanë marshuar, duke ngritur zërin kundër padrejtësive të qeverisë që e kanë bërë jetën studentore të më shumë se 140 mijë studentëve të vështirë dhe në kushte të patolerueshme.
Studentët protestojnë, sepse shurdhësia dhe indiferenca e shtetit, arroganca i detyron ata të jetojnë në kushte të turpshme, që janë të qarta për ata dhe për çdo qytetar.
Zgjidhja e tyre, është një detyrë e shtetit i cili u ofron miliarda oligarkëve dhe i ofron asgjë studentëve.
Ndryshimi rrënjësor i këtyre kushteve është i thjeshtë dhe i qartë.
Qeveria duhet të japë fondet për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë këtë gjë.
Ndaj dhe studentët nuk pranojnë të dialogojnë për 8 kërkesat e tyre, sepse ata nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse përmbushjen e këtyre kushteve, të cilat qeveria i refuzoi dhe i përbuzi dje në Parlament, duke rrëzuar amendamentet që kishin të bënin me vendosjen e fondeve në buxhet për zgjidhjen e problemeve të studentëve.
Përballë studentëve, në mënyrë të egër dhe armiqësore është vendosur Edi Rama, i cili ka zgjedhur arrogancën, imponimin dhe përçarjen si rrugën e komunikimit me studentët.
Një kryeministër i cili u thotë studentëve të cilët kalojnë natën në shesh për realizimin e kërkesave të tyre, që mund të rrinë edhe 10 vjet aty, nuk është gjë tjetër vetëm se një mostër e çoroditur psiqikisht dhe një kryeministër i tërbuar nga paratë e oligarkëve.
Të thuash studentëve mund të rrini edhe 10 vite aty është një qëndrim kriminal si dhe vete politika e kriminalizuar e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Por krahas shpresës dhe frymës transmetuar prej protestës së studentëve, në këto 10 ditë kemi parë të gjithë shtetin kriminal të Edi Ramës të angazhuar me çdo mjet, që nga drejtoreshat e gjimnazeve e deri te drejtuesit e Policisë kundër protestës së studentëve.
Policia e cila nuk përplaset po bëhet njësh me krimin, dje i është kundërvënë të rinjve, të cilët të vendosur për të kaluar natën në të ftohtin e acartë, nuk i ka lejuar të përdornin disa copa druri për ngrohje.
Oficerë si Roven Zeka, nuk mundet kurrë që duke përdorur uniformën e policisë, të dhunojnë të rinjtë.
Policë të tillë i bëjnë turp Policisë së Shtetit dhe largimi i tyre nga forcat e policisë do të ishte më e pakta që mund të bënin që të reflektonin ndaj këtyre ngjarjeve të turpshme.
Ne jemi pa asnjë diskutim në mbështetje të studentëve dhe përmbushja e 8 kërkesave të tyre është vetëm hapi i parë i reflektimit pas një indiference dramatike që i shtyn të rinjtë të largohen nga Shqipëria dhe ta shikojnë shpresën e tyre të vrarë.
Pa asnjë diskutim, kam bindjen se studentët e bashkuar kanë për të fituar!