Deputetja e re e PD-së, Orjola Pampuri: E vërteta e koalicionit me LSI! Grupi anti-Basha nuk…

Flet për “Koha Jonë”, deputetja më e re e PD-së, Orjola Pampuri: PD, si forcë kryesore opozitare në Shqipëri, është e gatshme të bashkëpunojë me çdo forcë parlamentare opozitare

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Fëmijë që enden rrugëve duke lypur, edhe pse deputeti kalon me mijëra herë pranë këmbëve të zbathura të tij, me makinën e shtrenjtë, xhamat e zinj ia errësojnë shikimin”. Ky realitet i hidhur që ka plagosur shoqërinë tonë, e bëjnë deputeten e re por me një kontribut disa vjeçar në çëshjet sociale si piskologe kliniciste, që zërin e qytetarëve dhe problemet e tyre ti bëjë pjesë të misionit si deputete. Orjola Pampuri, e dyta e listës së PD-së për qarkun e Tiranës, pas fitores të mandatit si deputete, vjen në një rrëfim për “Koha Jonë”, pak para betimit në kuvend, për sfidat që e presin, si rruga nga çadra drejt kuvendit ka si synim një opozitarizëm të fortë. Në këtë intervistë ajo shpjegon më shumë për profilin e ri si deputete, si e sheh veten në PD, kë do të përfaqësojë në kuvend, opozitën ndaj qeverisë “Rama 2”, por pa lënë mënjanë debatin me grupin anti-Basha. “Çdo fjalë duhet të kornizohet brenda strukturave të partisë, çdo klithmë jashtë saj nuk shërben për ringritje”.

Znj.Pampuri, emri juaj ngjalli kuriozitet në listën e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit. Si pjesë e deputetëve të cilët do të ulen për herë të parë në kuvend, ku shumica prej jush ka një profil larg politikës, çfarë risi besoni se mund ti sjellë PD-së si opozitë por dhe vetë politikës?

Patjetër ishte e pritshme që emri im do të ngjallte kuriozitet, por nuk mund të themi që isha një personazh i panjohur, për qytetarët. Prej pesë vitesh kam qenë aktive në çdo media të shkruar dhe vizive ku kam marrë pjesë në debate televizive si profesioniste rreth temave aktuale që kanë shqetësuar shoqërinë shqiptare, kam dhënë mendimin tim profesional rreth çështjeve sociale, jam shfaqur si përkthyese e pesë librave në fushën e psikologjisë. Pra nuk jam aspak një personazh i panjohur  për qytetarët. Kam ndërtuar me punë profilin tim në të gjithë këto vite.  E nisa këtë mision të rëndësishëm si profesioniste, si pedagoge ashtu sikurse edhe shumë paraardhëse të mia kanë bërë, e në një moshë jo shumë të re krahasuar me to. Dhe besoj jo të gjithë janë përfshirë si politikanë, por si misionarë të vetëdijshëm për t’i shërbyer qytetarëve dhe vendit të tyre. Përfshirja ime në politikë, në krah të partisë Demokratike, nuk është aspak e rastësishme, madje kam lidhje shumë të fortë me të. Unë jam rritur dhe edukuar në një familje antikomuniste, ku gjyshi im nga mamaja ka qenë i internuar në Llakatund të Vlorës, për vite me rradhë, bashkëshorti im është një ndër studentët e dhjetorit dhe pjesë e strukturave të Partisë Demokratike. Pra prejardhja ime është nga një familje gjenetikisht e djathtë, dhe kjo më bën që përfshirjen time në politikë ta konsideroj idealiste dhe aspak pragmatiste. Dua të kontribuoj për partinë të cilën e kam mbështetur që herën e parë që kam nisur të votoj, dua të ngre zërin për çdo çështje që më duket e padrejtë që cënon shoqërinë dhe qytetarët e këtij vendi, dua të ngre zërin për papunësinë e varfërinë që ka pllakosur këtë vend, për drogën e narkotrafikun që na vendos në të njëjtat pozita me një vend mafioz, për sistemin e kalbur shëndetësor e arsimor që po denigron mjekë e pacientë, mësues e nxënës, studente e pedagogë, për shtresën e papërkrahur të ish të përndjekurve politike të cilët nuk gjetën prehje dhe pasi morën shumë premtime, për blerjen e pështirë të votave, e shume e shumë çështje të tjera…..Për mua deputeti është thjesht një misionar në shërbim të qytetarëve që përfaqëson.

Keni njohje me grupin parlamentar të Partisë Demokratike? Si e shihni veten tuaj në një grup i cili nuk është i qetë me njërin-tjetrin?

Kam njohje me pjesën më të madhe të grupit të ri parlamentar, por edhe me deputetë të tjerë që nuk janë më pjesë e këtij grupi parlamentar, të cilët i kam votuar e mbështetur.  Për mua çdo deputet dhe ish-deputet është një kontribues i rëndësishëm i PD-së, sidomos figurat e rëndësishme të cilat edhe pse nuk janë pjesë e këtij grupi parlamentar, janë pjesë e rëndësishme e PD-së, të cilët i kemi mbështetur që ditën e parë që kanë kandiduar edhe pse atëherë ishin të panjohur në skenën politike, por të nderuar në profesionet e tyre. Kanë kaluar aq shumë vite sa ndonjëherë më duket sikur u rrita me ta, disa prej tyre janë përfshirë në politikë kur unë isha shumë e vogël. Ata janë pjesë e rëndësishme e Partisë Demokratike, sigurisht pakënaqësi ka, sikurse edhe në një familje, por ajo ç’ka është më e rëndësishme është që si një familje e madhe ta kapërcejmë një situatë të tillë, duke patur qëllimin e vetëm opozitarizmin ndaj kësaj qeverie shtetshkatërruese, ky duhet të jetë i vetmi qëllim për tu rikthyer në qeverisje.

Në profesion jeni psikologe, si e keni menduar që profesionin tuaj ta përfshini në veprimtarinë politike jo vetëm në Parlament? Kë do të përfaqësojë Orjola?

Unë jam psikologe kliniciste, është një profesion i bukur dhe human dhe të ndihmon të jesh më altruist, një ndër vetitë që duhet ta mbartë çdo deputet për të kuptuar e për të qenë më pranë qytetarëve. Problemet dhe hallet e tyre janë shumë, por ndonjëherë ata me shumë se të zgjidhin një problem duan edhe të dëgjohen së pari nga një përfaqësues i politikës, sheshherë duan zgjidhje, dhe ndonjëherë duan edhe të denocojnë një padrejtësi me të cilën po përballen, ky është misioni kryesor i deputetit, kjo do të jetë puna ime në terren pranë tyre për katër vitet e ardhshme. Çdo problem i tyre do të jetë zëri im në Parlament. Unë do të përfaqësoj çdo qytetar të thjeshtë që siguron me vështirësi “bukën e gojës”, për çdo të ri e student që nuk mund të sigurojë një vend pune, çdo mjek e infermier që denigrohet e nuk paguhet nga sistemi i kalbur shëndetësor, çdo pacient që dergjet dyerve të spitaleve e nuk arrin të sigurojë atë që i nevojitet,  çdo mësues që ndjehet i pasigurt nga frika se mos zëvendësohet nga miltanti i rradhës, çdo ish i përndjekur politik që ende nuk ka gjetur mbështetje, çdo grua që duron e pranon dhunën se nuk ka politika sociale për t’i siguruar mbështetje, për çdo fëmijë që endet rrugëve duke lypur, dhe askush nuk merr masa ta ndalë një fenomen të tillë edhe pse kalon me mijëra herë pranë këmbëve të zbathura të tij, me makinën e shtrenjtë, xhamat e zinj të së cilës ia errësojnë shikimin dhe e bëjnë të pandjeshëm ndaj një panorame të tillë, e shumë e shumë fenomene të tjera që kanë plagosur këtë shoqëri.

Edhe pse flitet për barazi gjinore, mandatin e deputetit edhe këtë herë me një diferencë të madhe e kanë sërisht meshkujt. Si e shihni prezencën tuaj në një kuvend me dominim mashkullor?

E mbështes fort iniciativën për barazi gjinore, por edhe këtë katërvjeçar burrat do të jenë përsëri në maxhorancë, gjë që nuk përbën problem për mua personalisht për përballjen me mendimin, shqyrtimin e çështjeve apo marrjen e vendimeve, por si grua sigurisht nuk më duket aspak e udhës që në vitin 2017 diferenca në numër mes burrave dhe grave mbetet e madhe. Numri i grave mbetet ende në kuota të ulëta, dhe ajo që vlen të theksohet është fakti që kjo diferencë është kaq e theksuar në Parlament aty ku nisin hapat e parë për ndryshimin. Gjithsesi jam e bindur që te gjitha gratë, përfaqësuese të të gjitha palëve do të jenë bashkë për të mbështetur këtë kauzë, dhe për të mundësuar rritjen e numrit të grave përfqësuese.

Parlamenti shqiptar nuk është i qetë. Seancat me gjuhë të ashpër, ofendime, sharje, fyerje personale nuk mungojnë asnjëherë. Si do e pozicioni veten në një ambient të tillë?

Unë veten e pozicionoj në krahë të qytetarëve, të cilët kanë kaq shumë halle sa nuk u intereson më as sharjet, dhuna e gjuha e ashpër…Zgjidhja është ajo që u intereson, dhe  ky do të jetë thelbi i pozicionit tim në Parlament si përfaqësuese e tyre, por dua të theksoj që kjo nuk përjashton një opozitarizëm të fortë, çka do të thotë evidentim dhe pasqyrim i çdo afere korruptive në të cilat përfshihet çdo hallkë e kësaj qeverie, si dhe demaskim për çdo shkelje që kjo qeveri i bën qytetarëve.

Prezantimi i parë i juaji me PD-në ishte në çadër, nga e cila u finalizua marrëveshja e 18 majit që u pasura me emërime ninistrat teknik dhe drejtorësh të drejtorive të rëndësishme në vend. Për ju, a duhet të ishin larguar më herët ministrat teknikë referuar edhe grupit anti-Basha, të cilët shprehen se mbajtja e tyre në qeveri tregoi se vijmësia e një pakti Rama-Basha do të ishte edhe në qeverinë e re?

Paktin Rama-Basha e kam dëgjuar rëndom, dhe për të gjithë skeptikët kjo do të konfirmohet në shtator ku pozicioni i PD-së do të jetë opozitë dhe vetëm opozitë kundër së keqes së madhe që po kanos çdo ditë e më shumë këtë vend. Çadra nuk më bëri të djathtë e as më lidhi më shumë me të djathtën, pasi e tillë isha, por më nxiti të flas dhe të shpalos të gjitha ato hallet e problemet me të cilat përballesha çdo ditë si qytetare, si profesioniste, si nënë, si kolege dhe si pedagoge. Kishte ardhur momenti të ngrija zërin pasi në një vend të tillë jetesa ishte dhe është e pamundur. Përsa i përket ministrave teknikë, qëllimi i tyre ishte monitorimi për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, përpilimi i raportit post zgjedhor dhe me përfundimin e tij ata do të largoheshin, ashtu sikurse edhe ndodhi, që tregon që nuk ka asnjë pakt për bashkëqeverisje. PD-ja mbetet opozita kryesore në vend, e cila do të përballet me këtë qeverisje si një ndër qeverisjet më të këqija që Shqipëria ka parë në të gjithë këto vite, e lidhur fort me korrupsionin, krimin e drogën, aktin e shëmtuar të blerjes masive të votave, blerje e cila siç duket ka filluar përpara marrveshjes së 18 majit. Blerja e votës ka cënuar fort besimin e qytetarëve tek vota e lirë.

z.Basha u rizgjodh kryetar me polemika, me kritikat e të “përjashtuarve” të cilët e kanë parë me skepticizëm garën në PD dhe listën për zgjdhjet e 25 qershorit. Ju si e shihni rimëkëmbjen e partisë? 

Kryetari i Partisë Demokratike në bazë të statutit zgjidhet një herë në katër vite. Statuti i jep të drejtën të kandidojë për postin e kryetarit, çdo anëtari të paritsë Demokratike. Polemikat në një parti si PD-ja janë normale, pasi ajo është një parti e fjalës së lirë, dhe çdo ide dhe mendim ndryshe është diçka krejt normale. Ata që ju cilësoni të përjashtuar nuk janë të tillë, të mos jesh deputet nuk do të thotë që nuk je pjesë e kësaj partie. Mandatin  kryetarit ia ka dhënë anëtarësia në bazë të votimit një anëtar një votë, ndërsa lista e deputetëve është në tagrin e e kryetarit ta rinovojë sipas situatave që kalon një formacion politik. Është në nderin tonë, e të gjithkujt që të mbështesim dhe kontribuojmë për Partinë Demokratike.

“Përballja” e Bashës me kritikët e tij në PD është shtyrë për në shtator, ku pritet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së. Si e shihni rrugën e PD-së, a do të arrihet bashkimi i demokratëve, apo beteja mes fraksioneve do të thellohet?

Sigurisht, nga shtatori e në vijim do të ketë një analizë të zgjedhjeve, ndërsa përsa i përket polemikave në PD siç theksova dhe më lart, ajo ka patur dhe do të ketë gjithnjë në thelb fjalën dhe mendimin e lirë, por unë mendoj që ky mendim dhe kjo fjalë duhet të kornizohet brenda strukturave të partisë, çdo klithmë jashtë saj nuk shërben për ringritje. Por unë jam e sigurt që çdo anëtar e çdo përfaqësues i PD, pa shaks pakënaqësive e dëshiron fuqizimin e saj, dhe kjo më bën besimplotë që kushdo që e do vërtetë PD, do të bashkohet per të qenë më të bashkuar përballë qeverisë shtetshkaterruese.

Në opozitë nuk do të jetë vetëm PD-ja por edhe LSI-ja. E shihni të mundur një bashkëpunim forcash?

Partia Demokratike si forcë kryesore opozitare në Shqipëri, është e gatshme të bashkëpunojë me çdo forcë parlamentare opozitare e cila ka si qëllim opozitarizmin e vërtetë dhe të pastër përballë qeverisë Rama. Të mos keqkuptohemi, kur them bashkëpunim koncepulisht është ndryshe nga koalicion.

SHKARKO APP