Dhoma Amerikane mbledh Asamblenë, e pranishme dhe Yuri Kim. Jaço: Qeveria të luftojë ekonominë e zezë
Dhoma Amerikane e Tregtisë ka mbledhur Asamblenë e Përgjithshme sot. E pranishme është edhe ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim. Presidenti Enio Jaço, gjatë fjalës tha se Shqipëria duhet të orientojë politikat drejt mundësive euro-transantlantike dhe që të përfitojë prej tyre, duhet të luftojë ekonominë e zezë, informale, koston e së cilës, dhe të paguajnë bizneset e ndershme.
”Ka një shqetësim në rritje dhe pakënaqësi me politikat e brendshme të vendit. Indeksi i Biznesit, matësi vjetor i AmCham tregon se shumë shpesh praktikat në mënyrën e të bërit biznes nuk janë të drejta. Si rrjedhojë e kësaj situate, talente të reja profesionale janë duke parë mundësitë e largimit nga Shqipëria. Nëse duam të ndërtojmë vërtetë një ekonomi konkurruese, kjo është një kosto për të gjithë ne, përfshirë bizneset tona”.
Po ashtu Enio Jaço bëri një analizë të situatës ku operojnë bizneset, një pjesë e të cilave, punojnë në atë që ai e quajti ekonomi të pastër penalizohen nga pjesa tjetër e ekonomisë informale.
”Sot janë tre hije që karakterizojnë ekonominë shqiptare. Është ekonomia e bardhë, e cila është e pastër, por është edhe ekonomia gri dhe ajo e zezë. Dhe ju (anëtarët) punoni në ekonominë e pastër por jeni duke paguar kostot e anës së errët të ekonomisë. Kjo nuk është e drejtë dhe duhet të marrë fund”. Ai kërkoi nga qeveria më shumë përpjekje në krijimin e praktikave të drejta, konkurruese dhe të ndershme.