Dhunimi i makinës së Lubonjës, PD: Sinjal i përsëritur, prokuroria të hetojë
Lidhur me dhunimin e makinës së analistit Fatos Lubonja, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Ish-deputeti Genc Pollo, përmes një postimi në facebook shprehet se sulmi i përsëritur kundër tij, është një sinjal i përsëritur për t’i mbyllur gojën. PD bën thirrje Prokurorisë që të hetojë e të nxjerrë para drejtësisë edhe autorët e ngjarjes së përsëritur.
Postimi i plotë
Fatos Lubonja me jetën e tij të vështirë është simbol për shumëçka. Vitet e fundit ai është ndër pak kryezërat jopartiakë e të besueshëm që denoncojnë parreshtur kapjen e shtetit dhe ofiqarët banditë. Prandaj sulmi i përsëritur kundër tij, duke i shkatërruar sërish veturën, është vetëm një sinjal i përsëritur për t’i mbyllur gojën. Agresioni verbal i qeverisë Rama kundër çdo kritiku dhe ligjet anti fjalë kanë krijuar rrethanat inkurajuese për keto agresione. Prokuroria duhet të hetojë seriozisht e të nxjerrë para drejtësisë edhe dorësin edhe mandantin. Por gjithkush mund të mbrojë Fatos Lubonjën duke thënë zëlartë si ai të vërtetat e kohës.