Diplomati Shaban Murati: Një pyetje e thjeshtë për filogrekët në Tiranë …

Si pretendon të zgjerojë ujërat territoriale në Detin Jon Greqia

Diplomati i njohur Shaban Murati, i cili i ka kushtuar një libër studimor marrëveshjes së rrëzuar me Greqinë në vitin 2009, ka reaguar sot për qëndrimet e qeverisë “Rama” lidhur me marrëveshjen e re detare.

Në një postim në rrjetet sociale, Shaban Murati ngre disa çështje që kërkojnë përgjigje zyrtare nga ana e qeverisë “Rama” për shtrirjen 12 milje të kufirit me Greqinë. Murati shprehet se përse Greqia aplikon sot parimin e 12 miljeve dhe jo që në vitin 1982 kur ka hyrë në fuqi ligjin ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, Murati kërkon shpjegime se përse qeveria “Rama” ka pranuar kërkesën e Greqisë për 12 milje, kur nuk ka asnjë qëndrim pozitiv nga SHBA dhe BE për këtë hap të Athinës në Mesdhe.

Reagimi i plotë i Shaban Muratit:

Një pyetje e thjeshtë për zgjerimin e kufirit detar grek
As qeveria e Italisë, shteti që ndan me Greqinë detin Jon, as qeveria e Egjiptit, dhe asnjë qeveri e një shteti tjetër të Mesdheut, qofshin edhe anëtare të BE, nuk dolën dhe nuk folën në përkrahje të planit të ri të kryeministrit grek të shpallur në 26 gusht për zgjerimin e ujrave territoriale greke në detin Jon. Vetëm Tirana zyrtare në mënyrën më të habitëshme servile bëri deklaratë zyrtare në përkrahje të planit grek të zgjerimit të ujrave territoriale greke në detin Jon. Nëse zgjerimi i detit territorial grek në detin Jon nuk ka të bëjë me Shqipërinë dhe nëse është thjesht çeshtje e brendshme greke, asnjë logjikë diplomatike dhe shtetërore nuk e pranon që Tirana zyrtare duhej të duatrokiste planin e ri grek.
As qeveria shqiptare, as diplomacia shqiptare dhe gjithë skota politike filogreke në Tiranë, që brofën në përkrahje të planit të Athinës për zgjerimin e ujrave territoriale greke në detin Jon në 12 milje, nuk bëjnë dhe nuk i japin dot përgjigje pyetjes së thjeshtë:
“Përse Greqia nuk i ka zgjeruar deri tani ujrat territoriale greke në detin Jon, në një kohë që Konventa e OKB për të Drejtën e Detit, në të cilën kryeministri grek thotë se bazohet plani i ri grek, është miratuar qysh në vitin 1982?”.
Zgjerimi i ujrave territoriale greke në detin Jon nuk ka asnjë lidhje as me marrëveshjen e zonave ekonomike detare të nënshkruar nga Greqia me Italinë dhe as me marrëveshjen e zonave ekonomike detare të nënshkruar nga Greqia me Egjiptin. Italia dhe Egjipti janë qindra kilometra larg brigjeve greke.
Zgjerimi i ujrave territoriale greke në detin Jon ka lidhje vetëm me Shqipërinë.

SHKARKO APP