Diplomohen 31 studentë të shkencave kompjuterike në “Holberton School”, Veliaj: Tirana, transformim i jashtëzakonshëm i ekonomisë
Në dallim nga dhjetë vjet më parë, kur fasoneria zinte një vend të rëndësishëm në ekonominë e Tiranës, sot janë teknologjia dhe inovacioni, krahas turizmit, fushat që po çojnë ekonominë e qytetit. Në ceremoninë e diplomimit të studentëve të shkollës së shkencave kompjuterike “Holberton School”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se në pak vite ekonomia e kryeqytetit ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm falë teknologjisë.
“Në vitin 2015 bëmë një analizë se çfarë prodhonte Tirana. Rezultoi se 25% e produktit ishte tekstili, 25% këpucët dhe pjesa tjetër futej turizmi, IT-ja, pak përpunime ushqimore, etj. Kur e përsëritëm skanerin përpara zgjedhjeve të vitit të shkuar, pamë se qyteti ishte transformuar totalisht. Sot 25% e asaj që prodhon qyteti i Tiranës është teknologjia e informacionit, të ardhura që vijnë nga punët dixhitale, dhe 25% janë të ardhura që vijnë nga turizmi. Kush jetoi në Tiranë vitin e kaluar pa se çfarë kontributi pati turizmi dhe se sa shumë turistë kishte në qytet. Kjo do të thotë se është e mundur – jo brenda një gjenerate, jo brenda një shekulli, madje as brenda një dekade, por në pak vite, – me vullnet dhe me operatorë të tillë si ‘Holberton School’, dhe shumë të tjerë që janë shtuar këtij ekostistemi, ta ndryshojmë qytetin”, tha ai.
Veliaj nënvizoi se sot Tirana ka një komunitet të rëndësishëm të teknologjisë së informacionit, teksa bëri edhe një krahasim me përplasjet politike në Kuvend.
KOHA JONË SONDAZH

