Dorëheqja e Tahirit, Balla: Vendim personal, s’ka lidhje me PS

Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla thotë se vendimi i Tahirit për dorëzimin e mandatit ishte vendim personal dhe se e respekton. Ai tha se kjo është një çështje mes Tahirit dhe drejtësisë, as e PS dhe kurrsesi e kësaj opozite, që sipas tij po hedh baltë për të bllokuar hapjen e negociatave.

“E respektojmë vendimin personal të Saimir Tahirit. Kjo është një cështje mes Tahirit dhe drejtësisë, as e jona dhe kurrsesi e kësaj opozite. Gjithcka që në ndërtojmë ditën këta e sabotojnë natën.

Këta janë në një betejë për të prishur sa më shumë punë për Shqipërinë në 28 qershor për negociatat, por Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Përpjekja e Saliut, Lulit dhe Monikës për t’i prishur punë Shqipërisë me gojën e shthurur nuk e rrezikon vendin.

Dorëheqja pas vizitës në Berlin? Ishim në një prej vizitave më historike, që një kryeministër shqiptar ka bërë në Gjermani. Monika, Luli dhe Saliu sot kanë më pak argumente kundër të ardhmes së Shqipërisë”,- tha Balla për mediat.

SHKARKO APP