Doshi apo Frroku futën në lojë tjetrin? Çfarë mban të fshehtë Mark Frroku?

 

Edhe pse prokuroria pretendon se e ka zbardhur “çështjen Doshi”, hetimet e saj lënë shumë pyetje pa përgjigje. E para pikëpyetje bie mbi zanafillën e kësaj historie. Përse deputeti Mark Frroku do t’i servirte mikut të tij Tom Doshi një plan të sajuar? Roli i Frrokut mbetet i paqartë edhe pse prokuroria thotë se e ka mbyllur hetimin e saj.

Hetuesit kanë provuar se ka qenë Mark Frroku ai që e ka njoftuar Tom Doshin për organizimin e atentatit kundër tij, edhe pse Frroku vazhdon ta mohojë këtë.

“Nga veprimet hetimore të mësipërme, pavarësisht qëndrimit mohues që mban shteasi Mark Frroku në lidhje me faktin, ka rezultuar e provuar se shtetasi Mark Frroku është ai që ka informuar i pari shtetasin Tom Doshi se është vënë në dispozicion një shumë e konsiderueshme parash për persona të caktuar, të cilët po organizojnë eliminimin e tij fizik. Gjithashtu, shtetasi Mark Frroku ka bërë njohjen e shtetasit Tom Doshi me shtetasin Durim Bami, i prezantuar si personi i caktuar për të bërë ekzekutimin”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Përse Frroku do të thurte një ingrigë të tillë? A është ai iniciatori i saj, apo këtë version ia ka treguar shtetasi Durim Bami, i cili ka patur lidhje dhe njohje të hershme me Fatjon Skënderin, për të cilin Doshi thotë se është personi që ka porositur vrasjen për llogari të Ilir Metës?

Hetimi nuk jep përgjigje për këto pyetje që do të zbulonin se ku nisi kjo histori dhe qëllimin e saj. Por gjithçka, deri tani, vërtitet rreth Mark Frrokut. Ai nuk pati vetëm këtë rol në këtë skenar.

Frroku rezulton të ketë kryer edhe filmimet në lokalin “Viva” të ish –kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, Fatjon Skënderit e Ylli Xhaxhollari. Në raportin e prokurorisë thuhet: “Gjatë fazës së hetimit, shtetasi Tom doshi ka vënë në dispozicion të organeve të hetimit pamjet filmike të lokal “Viva” në Tiranë, me praninë e personave Fatjon Skënderi, Eugen Beci e ylli Xhaxhollari, të servirur këta si organizatorë të vrasjes së Tom doshit. Këto pamje filmike, Tom Doshit ia ka kopjuar së bashku me disa të dhëna të aktivitetit të biznesit të shetasit Mark Frroku, me anën e së cilës provon faktin se pikërisht ky është personi që ka iniciuar historinë e vrasjes së tij.”

Është e kuptueshme që filmimi ka qenë në funksion të planit që i është thënë Tom Doshit nga Mark Frroku. Por nuk dihet nëse realizimi i tij është kryer me dijeni të Doshit apo atij i është servirur nga Frroku për ta bërë më të besueshëm skenarin e vrasjes, për të cilin ai e kishte vënë në dijeni Doshin që në muajin gusht.

Pamjet filmike që përfshijnë Eugen Becin këtë ngjarje janë kryer në kohën kur gjyqi ndaj vëllait të deputetit Mark Frroku, Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, po shkonte drejt mbylljes. Hetimet për atentatin e shkurtit të vitit 2013 janë kryer nga Prokuroria e Krimeve të Rënda e drejtuar nga Eugen Beci. Ky fakt lë vend për dyshime të tjera. Ai shte përfshirja e Becit në këtë histori nga Mark Frroku një formë presioni apo hakmarrjeje ndaj tij, si pasojë e akuzave të ngritura ndaj të vëllait? A ka lindur kjo rrethanë që me historinë e atentatit, apo i është shtuar skenarit më pas? Prokuroria nuk e ka zgjeruar hetimin e saj në këtë drejtim, të paktën siç rezulton në raportin e saj hetimor.

Nga ana tjetër është e paqartë përse duhej të përfshihej Fatjon Skënderi në këtë skenar dhe kush e përfshiu, Frroku apo Doshi. Tom Doshi pretendon se Skënderi ka lidhje të forta me Ilir Metën, ndonëse kryetari i Kuvendit e ka mohuar njohjen me të. Përfshirja e Skënderit, “Tonit të Kombinatit” e bën më të besueshëm planin e vrasjes për llogari të Ilir Metës. Fakt është se emri i Skënderit është përmendur nga Durim Bami, të cilin Tom Doshit ia ka prezantuar Mark Frroku.

Frroku ka tentuar të dalë i larë nga kjo histori duke mohuar gjithçka: ka mohuar faktin se e ka njoftuar ai Doshin për atentatin, njohjen me Durim Bamin si dhe çdo dijeni për një plan të tillë. Por sipas prokurorisë, skenari mban firmën e Mark Frrokut.

“Nga të dhënat e hetimit të deritanishëm, provat që ka në dispozicion organi procedures, ka dyshime të arsyeshme që shtetasi Mark Frroku ka iniciuar krijimi e rrethanave të rreme për ekzistencën e veprës penale dhe ka bashkëpunuar me shtetasit Tom Doshi dhe Durim Bami për të bërë të besueshëm një fakt të tillë”, sqarohet në hetimin e organit të akuzës.

Frroku, thotë prokuroria, bashkë me Doshin, ka kërcënuar edhe Durim Bamin që të regjistrojnë videon që Doshi e ka shfaqur publikisht e ku 36 –vjeçari nga Fushë Kruja tregon se si do të paguhej për atentatin.

Deputeti i mazhorancës dhe kryetari i PKD –së, sipas organit të akuzës, është strumbullari i gjithë historisë. Por hetimet nuk kanë hedhur dritë mbi arsyen e thurjes së këtij skenari “hollivudian”, që do të vinte në qendër të tij deputetin më të fuqishëm të mazhorancës, duke i shkaktuar atij një humbje të madhe. Përse? Këtë javë, Doshi e Frroku patën një takim, në të cilën folën për një biznes. Në disa media u tha se biznesi i tyre ka të bëjë me përfshirjen e emrit të Doshit në një garanci bankare. Doshi mësohet se i ka shitur Frrokut për një shumë të konsiderueshme një hotel në rrugën e Durrësit. Transaksioni, duket se ka krijuar edhe një të çarë në marrëdheniet mes tyre. Megjithatë nuk dihet nëse dy ngjarjet janë të lidhura dhe nëse që këtu ka nisur ideja për “atenatin”.

Deri tani, prokuroria thotë se ka faktuar që të gjitha fijet janë luajtur nga Frroku: ai i ka servisur Doshit planin e atentatit, ka nxjerrë në skenë Durim Bamin (lidhjet me të i mbante përmes shoferit Besnik Toma, siç thotë prokuroria), e ka prezantuar me Doshin, e kanë kërcënuar së bashku për të pohuar planin e vrasjes para kameras dhe për të akuzuar Ilir Metën, ka bërë filmime të personave të tjerë që i ka bërë pjesë të skenarit dhe kur Doshi e shpërtheu “bombën” u tërhoq duke thënë se nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen. Përse –të e kësaj historie sot bien më shumë mbi të sesa mbi Tom Doshin, i cili tashmë e sheh veten sa të humbur, aq edhe të përdorur.

SHKARKO APP