Drejt zgjedhjeve – Meta shpërndan Parlamentin pa Ramën dhe opozitën
Kuvendi i Shqipërisë mbylli sot punimet për këtë legjislaturë.Seanca që shënoi dhe shpërndarjen e parlamentit aktual për t’i hapur rrugën zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit, u zhvillua pa praninë e opozitës por dhe vetë Kryeministrit Rama i cili gjatë kësaj kohe bashkebisedonte me gazetarët në Kryeministri.
Maxhoranca dhe opozita nuk e kanë gjetur gjuhën e kompromisit pavarësisht negociatave prej ditësh mes palëve.
Prej më shumë se 70 ditësh, opozita kërkon krijimin e një qeverie teknike si dhe garanci për zgjedhje të lira e të ndershme.
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, teksa bëri bilancin katërvjeçar të Kuvendit, veçoi reformat e rëndësishme të miratuara, ndërsa theksoi nevojën e miratimit të ligjit të vettingut për të zhbllokuar reformën në drejtësi.
Meta: Dua të veçoj miratimin e reformës territoriale administrative, që i dha peshën reale pushtetit vendor, reformën për dekriminalizimin, reformën kushtetuese dhe paketën e ligjeve prioritare për sistemin e drejtësisë si kryereforma e kësaj legjislature që u miratua me konsensusin e të gjithë forcave politike. Ligji i vettingut, respektimi dhe zbatimi i tij është shumë i rëndësishëm për hapat e mëtejshëm që Shqipëria duhet të hedhë drejt hapave të mëtejshëm që Shqipëria duhet të hedhë për hapjen e negociatave në rrugën e saj për anëtarësimin në BE si dhe zhbllokimin e reformës në drejtësi.
Meta shprehu keqardhjen që Kuvendi nuk arriti të përfundojë reformën zgjedhore.
Meta: Do të duhet nga të gjithë ne si detyrim ndaj qytetarëve, por dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që ky Kuvend të kishte përfunduar reformën zgjedhore dhe të kishte miratuar ndryshimet e kërkuara në kodin zgjedhor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për fat të keq Komisioni i Posaçëm për këtë reformë nuk gjeti gjuhën e mirëkuptimit, bashkëpunimit dhe dialogut mes mazhorancës dhe opozitës për të miratuar me konsensus ndryshimet e kërkuara në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR.
Meta shtoi më tej se si kryetar i Kuvendit është përpjekur ti kontribuojë frymës së dialogut dhe debatit politik.
Meta: Si kryetar i Kvendit jam përkjekur që në këto katër vjet ti jap mundësinë të gjithë të kontribuojnë në të mirë të debatit politik. E di se jo gjithmonë dhe jo të gjithë keni qenë të kënaqur, por sjellja ime ka qenë gjithmonë e prirur drejt krijimit të një klime të qetë dhe bashkëpunuese. Këto janë sfida të përhershme të demokracisë për të cilat duhet punuar çdo ditë për të krijuar një klimë sa më konstruktive dhe mirëbesimi dhe për ti dhënë vendit tonë zgjedhje të lira dhe të ndershme konform standarteve dhe përvojave më të mira ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

