Duka: Qeveri e lodhur, nuk i shpëton dot ”sëmundjes” së mandatit të dytë

Z. Duka, edhe pse gushti ka prodhuar një sasi jo të vogël ngjarjesh politike, pas pak ditësh fillon zyrtarisht sezoni i ri parlamentar; cilat janë pritshmëritë për këtë “vit të ri” të politikës shqiptare?

Në gjykimin tim, nuk mund të flasim për një sezon të ri politik, sepse në shtator do të gjendemi përballë dilemave të pazgjidhura të vitit të shkuar. Një mazhorancë që vijon të ketë lidhje me krimin, një Reformë në Drejtësi ende të bllokuar, çeljen e negociatave me BE-në ende për t’u fituar, Reformë Zgjedhore ende për ta kompletuar. Me pak fjalë kemi humbur një vit, apo më saktë një vit i është hequr jetës politike shqiptare, diçka e patolerueshme po të kemi parasysh gjendjen e vendit.

Nga këto premisa, pritshmëritë janë që të nisë sa më parë puna për të tejkaluar ketë ngërç politik, dhe për t’i dhënë një dinamikë tjetër jetës politike. Këtë sigurisht e ka në dorë mazhoranca, e cila deri tani ka kërkuar bashkëpunim vetëm kur ka patur të domosdoshme votat e opozitës, ndërkohë kur është e vetëmjaftueshme vijon moskokëçarëse punën e saj pa dëgjuar asnjë këndvështrim tjetër. Nëse realisht mund të ndodhë diçka këtë vit, besoj se do të vijë vetëm si një dialog që do të udhëhiqet dhe strukturohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë në frymën e diktuar nga procesi integrues në BE.

Këto ditë flitet për ndryshime në kabinetin qeveritar, mendoni se ato mund të japin një tjetër impuls qeverisjes?

Kur gjendem përballë situatave të tilla më vjen në mend një shkrimtar italian, Tomasi di Lampedusa, i cili në një vepër shkruan: “Nëse duam që çdo gjë të mbetet siç është, çdo gjë duhet të ndryshojë”.

Kësisoj, ndryshimet për të cilat flitet nuk kanë në thelb përmirësimin e cilësisë së qeverisjes, por të imazhit me qëllim konsolidimin e pushtetit pas një viti të vështirë. Sikurse ka ndodhur me shumë qeveri të tjera, edhe aktualja është nën ethet e sëmundjes së mandatit të dytë, me një rënie drastike cilësie. Jemi përballë një qeverie të lodhur që pjesën dërrmuese të vitit të shkuar e ka kaluar në mbrojtje, në menaxhim krize, pra nuk ka qeverisur dot.

Përmirësimi i situatës në të cilën ndodhet vendi, me ekonominë e dobët dhe pa investime të huaja serioze, nuk është më çështje emrash por fryme, dhe atë e përcjell kryeministri. Për të patur një impuls të ri në qeverisje duhen shpenzuar energji në debatet e mëdha të shoqërisë sonë, si largimi i shqiptarëve, rënia e lindshmërisë, rritja ekonomike, lufta kundër krimit të organizuar dhe lidhjet e tij me politikën; por, asnjëra prej këtyre çështjeve nuk duket se mund të përmirësohet nën sundimin e kësaj mazhorance, që deri më tani duket problemi dhe jo zgjidhja.

Cili është roli i opozitës në këtë situatë?

Në përgjithësi opozitat, të majta apo të djathta, kanë zhvilluar përherë një rol denoncues; duke ushtruar një presion publik mbi veprimtarinë e mazhorancës. Për tipologjinë e jetës parlamentare që zhvillohet në Shqipëri, ku mazhoranca nëse i ka numrat nuk toleron asnjë dialog dhe nuk pranon asnjë alternativë, denoncimi mbetet arma e vetme.

Ky ka qenë edhe roli i opozitës aktuale. Sigurisht kemi patur mjaft material në dispozicion pasi mazhoranca nuk ka qenë aspak e kursyer në prodhimin e skandaleve. Madje, aq të shumta sa shpeshherë nuk kemi kohë të merremi me diçka, pasi del një gjë tjetër e re. Megjithatë, kjo ndjekje hap pas hapi të mazhorancës rrezikon të na lërë pa një strategji afatgjatë. Ndoshta në këtë moment do të ishte e nevojshme që krahas ekspozimit të keqqeverisjes ne të përgatisnim në mënyrë sa më unanime një ekip me anë të të cilit të krijojmë një strukturë të ngjashme me atë që në Angli njihet si ‘qeveria hije’. Duke ndjekur këtë logjikë, meqenëse viti politik në të cilin po hyjmë është edhe zgjedhor, do të ishte e këshillueshme që të niste sa më parë një konsultim i gjerë brenda opozitës, pse jo edhe shoqërisë civile, për të identifikuar jo vetëm kandidatët për zgjedhjet lokale, por edhe strategjinë politike që duhet ndjekur. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, duhet të jetë detyra e opozitës mbyllja me sukses e Reformës Zgjedhore.

Nëse opozita bëhet flamurtare e një sistemi zgjedhor që do të përmirësonte pjesëmarrjen, mbrojtjen e votës dhe qeverisjen e vendit, do të shënonte një fitore të rëndësishme morale. Një shenjë ndryshimi që pritet nga të gjitha ato forca që jo vetëm denoncojnë përkeqësimin e jetës sonë demokratike, por hedhin hapa konkretë për ta përmirësuar atë. Kjo është diçka që opozita ka në dorë, dhe duhet ta bëjë.

Z. Duka, cilët do të jenë objektivat e Partisë Agrare Ambientaliste gjatë këtij viti?

Ne si PAA jemi tashmë të qartë për alternativën tonë për qytetarët dhe për strategjinë që do të ndjekim zgjedhjet e ardhshme vendore. Dimensioni i ri i bashkive, në territorin e të cilave përfshihen edhe zonat rurale, krijon kushtet ideale për një parti që në fokusin e saj ka bujqësinë në kuptimin më të gjerë të termit.

Në këto zgjedhje ambicia jonë është të kemi këshilltarë bashkiakë në të 61 bashkitë e vendit. Po ashtu, në koordinim me aleatët, synojmë të prezantojmë një apo dy kandidatë nën siglën e PAA-së në ato bashki që kanë një karakter të theksuar rural. Sigurisht do të jetë një vit mjaft impenjativ, megjithatë udhëkryqet që shënojnë përditshmërinë e fermerit shqiptar, dhe banorëve të zonave rurale në përgjithësi, kërkojnë një PAA në lartësinë e kësaj sfide.

Ne nuk mund të tolerojmë uljen e buxhetit të lajmëruar për Ministrinë e Bujqësisë në tri vitet e ardhshme, me një shifër vjetore që kalon shifrën e një miliard lekëve. Për mos të folur për paradoksin e evidentuar nga Banka Botërore, sipas të cilit ne si vendi më bujqësor i Europës, kemi peshën më të lartë të ushqimeve të importuara. Këto janë vetëm dy raste me të cilat opinioni publik është njohur kohët e fundit, dhe sipas nesh tregojnë se vendi ka nevojë më shumë se kurrë për një PAA të fortë për të ngritur zërin e fermerëve dhe për t’i dhënë bujqësisë rëndësinë që realisht ka për ekonominë dhe shoqërinë tonë. /Mapo.al/

SHKARKO APP