Dule sulmon Blushin dhe i del në krah Janullatosit

 

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ) sulmon deputetin Ben Blushi dhe i del në krah Kryepeshkopit grek të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos. Ky reagim i PBDNJ vjen pas shkrimit të Ben Blushit, ku ai kritikonte Janullatosin, i cili nuk i zhvillon në shqip meshat kishtare. (lexo shkrimin ne rubriken IDE te lapsi.al) Përmes një deklarate për mediat, partia e drejtuar nga Vangjel Dule thotë se  “në kushtetutë dhe legjislacionin e vendit, minoriteteve që përfshihen në grigjën Orthodhokse, në veçanti besimtarëve nga radhët e minoritetit etnik grek, u njihet e drejta e përdorimit publik të gjuhës së tyre amtare, përfshirë edhe jetën kishtare, e drejtë kjo e sanksionuar që nga krijimi i shtetit modern shqiptar.

Më tej sipas PBDNJ “Logjikat që pretendojnë një situatë njëngjyrëshe në gjirin e kishës Orthodhokse në vend përbejnë një injorim naiv të realitetit për sa i përket përbërjen e grigjës të kësaj kishe dhe aventurizëm për nga pasojat e tyre.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Dule më pas i del në krah kryepeshkopit Janullatos, teksa nënvizon se “Trajtimi i çështjeve të kësaj natyre nga ana e Kryepiskopit  Anastas, kanë garantuar një klimë të paprecedentë uniteti në gjirin e kishës, duke ruajtur konfigurimin e saj kompleks dhe respektuar njëherësh përkatësinë nacionale dhe veçoritë gjuhësore të besimtarëve të saj. E kundërta do të kishte për pasojë përçarjen dhe instalimin e rrymave kishtare të cilat do të prishnin përfundimisht koherencën e saj.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Në fund, PBDNJ paralajmëron Blushin “për më shumë seriozitet dhe vetëpërmbajte në trajtimin e çeshtjeve të kësaj natyre, informimin real dhe kompetent të opinionit dhe jo shpifje dhe gënjeshtra. Shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë simbiozës harmonike ndër-fetare është respektimi i pavarësisë së komuniteteve fetare, siç ajo sanksionohet në kushtetutë.”

Përpara se Vangjel Dule të niste karrierën politike, ai ka shërbyer qysh në fillim të mbërritjes së Janullatosit në Shqipëri, si zëdhënës i tij. Por përtej këtij detaji, lexoni më poshtë se cfarë ka thënë konkretisht Blushi në shkrimin e tij me rastin e Pashkës ortodokse.

“Pse Anastasi flet greqisht në një meshë shqiptare? Pse duhet t’i mësojë shqiptarët në greqisht? Pse greqishtja ka epërsi ndaj shqipes për të ndarë të mirën dhe të keqen që predikon Kisha e krishterë? Sa shqiptarë kuptojnë greqisht dhe a duan ata të meshohen në një gjuhë që nuk e dinë dhe nuk kanë arsye ta mësojnë vetëm për një natë Pashke apo Krishtlindjesh?

Pse Zoti, nëse ekziston, nuk i thotë kryepeshkopit se duhet t’u flasë shqiptarëve në gjuhën e tyre, siç ndodh me gjithë ortodoksët e tjerë në Ballkan? Dhe, nëse Zoti e kupton që këtu ka diçka që nuk shkon, pse nuk ia thotë këtë detaj kaq të thjeshtë edhe kryepeshkopit te Shqipërisë?

Si një njeri që e kam takuar kryepeshkopin Anastas vetëm disa ditë pasi erdhi në Shqipëri, në vitin 1992, besoj se ai ka pasur të paktën 23 vjet kohë për ta mësuar gjuhën tonë.

Kryepeshkopi njeh perfekt katër apo pesë gjuhë, në të cilat mund të meshonte lehtësisht, përveç greqishtes, që është gjuha e tij amtare dhe unë nuk kam asnjë dyshim se ai ka pasur jo vetëm kohën e mjaftueshme për ta mësuar shqipen, aq sa për të mbajtur dy mesha të rëndësishme në vit dhe prandaj nuk më bind kokëfortësia e tij për të folur greqisht natën e Pashkës, sepse nuk kam fjalë tjetër, përveç kokëfortësisë, për të përshkruar refuzimin publik që ai i bën gjuhës që flet grigja e tij shqiptare”, shkruante Blushi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?