DW: Shkencëtarët analizojnë emisionet e tipit “Përputhen”
Nga radio gjermane DW-
“Përputhen” dhe emisione të ngjashme janë formate të sukseshme televizive. Shkencëtarët mundohen të kuptojnë se pse emisione të tilla televizive me persona realë tërheqin aq shumë shikues.
Seritë e emisioneve televizive me persona realë në kërkim të dashurisë apo partnerit ose partneres për martesë janë mjaft të ndjekura. Një ndër ta është emisioni me titullin “The Bachelor”, një format televiziv që ka pasur sukses që kur është transmetuar për herë të parë në SHBA në vitin 2002, pavarësisht nëse protagonistët kanë qenë kandidate gra apo kandidatë burra. Pyetja kryesore: kush do ta marrë trëndafilin?
Në vitin 2023 në SHBA u transmetua seria e 27-të e reality-show “The Bachelor”, në Gjermani aktualisht po transmetohet seria e 14-të. Por edhe në vende të tjera si Kanada, Australi, Zeandë të Re, Britani të Madhe, Japoni, Vietnam, Zvicër, Finlandë, Norvegji, Suedi, Rumani, Rusi, Ukrainë, Francë, Poloni, Izrael, njerëzit nuk janë mërzitur me kadidatet apo kandidatët për martesë, sepse kudo ka të rinj që kërkojnë të gjejnë lumturinë në këtë emision televiziv.
Zgjedhja e partnerit – kandidatët si bazë për studime
Shkencëtarët e Institutit të Psikologjisë në Universitetin e Vyrzburgut të Gjermanisë kanë analizuar me përpikmëri emisionin televiziv dhe mendojnë se kanë gjetur tek formati i tij dëshmi për përdorimin e teorisë së evolucionitgjatë kërkimit të partnerit. Ata janë marrë me pyetjen se si varet fillimi i një marrëdhënieje dhe zgjatja e saj nga gjinia e personit që zgjedh nga një grup kandidatësh potencialë, partnerin afatgjatë të dëshiruar. Pra: Si transmetohet në jetën reale mikrokozmosi kandidate/kandidatë. Studimi u botua në „”Frontiers in Psychology”.
Për t’i dhënë përgjigje pyetjes studiuesit analizuan 169 seritë me kandidate dhe kandidatë që janë transmetuar nga viti 2002 deri në vitin 2021 në 23 vende të botës. Të dhënat e duhura ata i morën nga Wikipedia, artikujt e gazetave ose burime të tjera online. E rëndësishme ishte mes të tjerash mosha dhe gjinia e protagonistëve dhe e partnerit të kërkuar. Po ashtu u morën parasysh edhe numri i pjesëmarrësve dhe gjendja civile, përkatësisht kohëzgjatja e marrëdhënies pas emisionit.
Këto janë shkurtimisht rezultatet: kur gratë kërkojnë partner krijohen më shumë lidhje marrëdhëniesh. Ndërkohë që burrat zgjedhin zakonisht partnere me moshë më të re, gratë vendosin të kenë partner dikë që është më afër moshës së tyre. Kur kandidatja, ose kandidati arrin të ketë një marrëdhënie, kohëzgjatja e saj nuk ndikohet nga gjinia e protagonistit.
Teori evolucioni në reality show
Në këto rezultate shkencëtarët shohin konfirmimin e teorive të vjetra, si për shembull shohin tek preferencat për moshën modelin evolucionar, sipas të cilit burrat preferojnë gjithnjë partnere në moshë më të re, që mendohet të jenë më pjellore. Ose teorinë e investimit prindëror. Sipas kësaj teorie, gjinia që mundohet më shumë për pasardhës, që zakonisht janë gratë, tregon kujdes më të madh gjatë kërkimit të partnerit. Ndërkohë që mundimi minimal i burrit për pasardhës zgjat vetëm disa minuta të marrëdhënies seksuale, për gratë mundimi minimal ka të bëjë me shtatzaninë dhe rritjen e pasardhësit.
Prandaj për gruan ka rëndësi të madhe që të sigurohet se ky mundim i madh në fillim nuk shkon kot. Sipas këtij interpretimi psikologjik të evolucionit, gratë preferojnë partnerë që kanë pushtet, status dhe burime jetese, si pasuri apo të ardhura të mira, pra kushtet që janë të nevojshme për rritjen e pasardhësit. Sigurisht!
Rezultatet sipas skenarit?
Po a është vërtet kaq e thjeshtë dhe sidomos aktuale? Këto rezultate kanë edhe mangësitë e tyre, thonë shkencëtarët. Mes të tjerash ata pranojnë se vendimin për finalisten ose finalistin në emision nuk e marrin vetë protagonistët, por mund ta kenë marrë producentët e emisionit. Kemi të bëjmë me çështjen e përjetshme të „realitetit të parashkruar”, pra një të vërtete të supozuar që arrihet me elemente dhe aktivitete fiktive.
Edhe në emisionet e analizuara nga shkencëtarët, volumi i provave të marra, ose në përgjithësi ekipi i punonjësve mund të kenë ndikuar tek rezultati i marrë. Kështu gratë që kanë marrë pjesë në emision janë kryesisht të moshës 25- dhe 26-vjeçare. Pra kandidatit nuk i mbetet zgjidhje tjetër, përpos se të zgjedhë një partnere më të re në moshë. Kandidatët burra që kanë marrë pjesë në emision janë të moshës 29- deri 30-vjeçare.
Edhe në portalin e lajmeve “Reddit” diskutohet ky studim, ose më mirë formati i emisionit me kandidatë për t’u martuar, dhe sipas pikëpamjes së lexuesve emisioni është i përqëndruar në marrëdhënie hetero-patriarkaliste. Edhe nevojën për të justifikuar sjelljen e njerëzve me teorinë e evolucionit, lexuesit e shohin me sy kritik. Kështu një lexues që merret me biologjinë e evolucionit shkruan: “Unë nuk mund të mos e vlerësoj përdorimin e perspektivës evolucionare në studimin e sjelljes njerëzore, por në praktikë shpesh ndodh që të ekzagjerohet me mënyrën si përdoret […] duke e justifikuar sjelljen e njerëzve me atë se çdo gjë është e lindur biologjikisht.” Kjo gjë nuk shihet më në ditët e sotme kur normat dhe praktikat kulturore përhapen kaq shpejt.
Megjithatë emisionet kanë pasur shpesh një fund të lumtur: Sipas autorëve të studimit, tetë përqind e çifteve pjesëmarrës, kanë vendosur vërtet që të martohen.
Por pse na interesojnë emisionet me kandidatë për martesë?
Megjithë kritikat televizioni nuk kuptohet më pa emisionet me takime çiftesh si emisioni “Përputhen”, “Love story” apo “The Bachelor” madje në përgjithësi pa emisionet nga jeta reale. Këto emisione transmetohen në orare televizive që kanë më shumë teleshikues ose mund t’i ndjekim përmes shërbimeve On-Demand – kurdo kur ne na pëlqen të shohim se si luajnë çiftet me njëri-tjetrin, si grinden njerëzit dhe si kënaqen ata me fatkeqsitë e të tjerëve.