E frikshme, kërcënohen edhe tri gjyqtare të tjera! Prokuroria nis urgjent hetimet
Pas kërcënimeve ndaj prokurorëve, tashmë në rrezik janë edhe gjyqtarët. Tri gjyqtare të Gjykatës së Apelit janë kërcënuar gjatë shpalljes së vendimit ndaj një grupi kriminal.
Tri gjyqtaret e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Valdete Hoxha, Lutfie Çelami dfhe Edlira Petri janë kërcënuar në sallën e gjyqit, gjatë shpalljes së një vendimi. Menjëherë gjyqtaret kanë kryer kallëzimin se janë kërcënuar për shkak të detyrës dhe Prokuroria ka nisur me urgjencë hetimet për çështjen.
Kërcënimi i gjyqtareve ndodhi ditën kur dënuan 5 shtetas dhe konkretisht; Daut Elmazin, Gentian Zoton, Igli Memajn, Serxho Ademin dhe Albano Goxhajn, të cilët ishin akuzuar për një atentat të vitit 2019-të në qytetin e Vlorës, me të cilin u synua të vritej një personazh i botës së krimit i identifikuar si, Ines Hajrulla.
Gjatë shpalljes së vendimit të pandehurit mungonin, por salla ishte e mbushur me familjarët e tyre. Pasi kanë dhënë vendimin gjyqtarët janë tërhequr në dhomën e këshillimit dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të shoqëruar kërcënuesit që ndodheshin në sallën e gjyqit.
Për këtë arsye Gjykata e Lartë reagoi për të gjitha kërcënimet e gjyqtarëve dhe magjistratëve, përfshi dhe kërcënimin e dy prokuroreve Doloreza Musabelliu dhe Merita Sinani që hetuan grupin kriminal të Lushnjës. /Marrë nga Top Channel/