Ecurinë e suksesshme të një jave, ministrja Elisa Spiropali, e përcjell përmes një fotoalbumi
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka ndarë në rrjetet sociale një përmbledhje të ngjarjeve më të rëndësishme të javës, përmes “Fotoalbumit të Javës”, një mozaik diplomatik që pasqyron ritmin e lartë të angazhimeve të Shqipërisë në arenën evropiane dhe ndërkombëtare.
Në krye të ngjarjeve qëndron çelja e të gjithë grupkapitujve të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, një moment historik që u zhvillua në Bruksel dhe që shënon hyrjen e vendit në një fazë të re, më të thellë dhe më sfiduese të rrugëtimit të tij europian. Paralelisht, Tirana mirëpriti Samitin për Planin e Rritjes, duke u kthyer për disa ditë në qendrën e dialogut rajonal dhe të vizioneve të përbashkëta për zhvillim.
Spiropali solli në fokus edhe takimet e rëndësishme bilaterale dhe multilaterale: nga pritja e Ministrit të Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, dhe Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos, te mbështetja e miqve evropianë në takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në Bruksel.
Një tjetër pikë kulmore ishte përurimi i shtëpisë së re të Misionit shqiptar në Bashkimin Europian, një hap simbolik dhe praktik që forcon praninë diplomatike të Shqipërisë në zemër të Evropës. Po aq domethënëse, ministrja theksoi rëndësinë e kampusit të Kolegjit të Europës në Tiranë, ku po formohet elita e re e ekspertëve dhe drejtuesve evropianë, një investim i çmuar në të ardhmen e vendit.
Në album nuk mungonin as momentet e politikëbërjes së brendshme: miratimi në Kuvend i buxhetit 2026, i cili parashikon mbështetje të fortë për projektet që afrojnë Shqipërinë me standardet dhe strukturat e BE-së.
Në planin global, Spiropali rikujtoi intensifikimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë: marrëdhëniet e shkëlqyera me miqtë amerikanë të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), si dhe kontaktet e vazhdueshme me përfaqësinë e sipërmarrësve japonezë, të cilët shihen si një mundësi e rëndësishme për nxitjen e investimeve të reja në vend.
Në mbyllje të postimit të saj, ministrja e përkufizoi javën me një thirrje të qartë optimizmi dhe vendosmërie: “Shqipëria nuk ndalet!”
AV/KJ
KOHA JONË SONDAZH

