Edi Paloka: Në zgjedhje do e dërgojmë Ramën në PS
Flet për “Koha Jonë”, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka
Intervistoi: Redjon Shtylla
Për kreun e Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka vendimi i opozitës për 10 ditë bojkot është një reagim ndaj përjashtimit të ish-Kryeministrit Berisha nga Kuvendi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Paloka thotë se: “Kryeministri çdo ditë e më shumë i bind shqiptarët se është një ushtar i krimit në Shqipëri”. I pyetur nëse PD-ja është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Paloka thotë se: “Kemi kohë që i presim për ta dërguar Ramën atje ku duhet të shkojë, në PS”. Kreu i grupit parlamentar të PD-së komenton dhe sondazhin e Demokratik Amerikan, nga i cili rezultonte se shqiptarët janë të pakënaqur me opozitën. Ai thotë se në PD ka të pakënaqur. “Janë një pjesë e qytetarëve, shumë prej tyre nga ai grup të zhgënjyerish që përmenda më lart, të cilët na thonë ” hajdeni ti rrëzojmë tani…me dhunë”.
Paloka në mbledhjen e fundit u vendos bojkot i grupit ndaj Parlamentit, për maxhorancën, bojkoti dhe akuzat që PD bën përditë janë mënyra për të mos votuar reformën në drejtësi. Çfarë synoni të arrini këtë herë me bojkotin?
Vendimi i Grupit Parlamentar i PD-së është një reagim ndaj aktit skandaloz, të përjashtimit të një deputeti të opozitës nga Parlamenti, pse ai propozoi që Shqipëria të adoptojë ligjin amerikan mbi mbajtjen dhe përdorimin e armëve për vetëmbrojtje. Ide kjo e hedhur në kushtet, kur qytetarët e këtij vendi janë nën agresion të hapur nga krimi, i cili fijet i ka të lidhura direkt me qeverinë, Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, të cilët jo vetëm nuk bëjnë detyrën e tyre për të mbrojtur qytetarët, por janë hapur në mbështetje e në shumë raste dhe nën urdhrat e krimit.
Në fakt përpjekjet për të përqendruar gjithë propagandën dhe mediat e kontrolluara nga Rama te diskutimi dhe propozimi, krejtësisht legal i Berishës, janë përpjekje për t’i shpëtuar skandalit të vërtetë, që është rënia e shtetit në duart e “shullazëve”, në duart e bandave kriminale. Përjashtimi i Berishës ndërkaq është dhe një hakmarrje e hapur ndaj denoncuesit dhe solidarizim publik me krimin e denoncuar nga Berisha. Për këto arsye, grupi demokrat vendosi të mos shkojë në Parlament, por të vazhdojë denoncimin e kësaj qeverie, e këtij kryeministri që çdo ditë e më shumë i bind shqiptarët se është një ushtar i krimit në Shqipëri.
Ka pasur mjaft reagime në lidhje me deklaratën e Berishës për armatosjen e shqiptarëve. Berisha edhe u dënua për këtë deklaratë. A do e mbështesë PD-ja zyrtarisht në Kuvend nëse kjo deklaratë do të kthehet në një nismë ligjore?
Lidhur me deklaratën e Berishës unë ju dhashë një shpjegim. Por një shpjegim edhe politik ka bërë vetë z.Berisha. Për sa i përket grupit, nëse një nismë ligjore do të paraqitet atëherë ajo do të diskutohet si çdo akt tjetër ligjor dhe në fund grupi merr vendimin e tij. Unë personalisht në rast se nisma do të ndërmerrej, do ta mbështesja.
Ligji amerikan që z. Berisha i referohet e kërkon zbatimin në Shqipëri, a nuk mendoni që padashur ajo deklaratë mund të nxisë qarkullimin e armëve pa leje?
Problemi në Shqipëri është se me apo pa leje, armët i zotërojnë dhe i përdorin bandat kundër qytetarëve. Një pjesë e bandave të njohura si dhe ajo e Shullazit, janë lejuar t’i mbajnë këto armë hapur e ndonjë bandë është pajisur me to edhe ligjërisht si gjoja polici private. Pra këtu, bandat janë të armatosura, e qytetarët janë viktima të tyre e të një qeverie nën drejtimin e bandave.
Nëse PD-ja nuk voton reformën, maxhoranca ka kërcënuar disa herë se do të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. A është gati PD-ja për këtë skenar?
Reforma në drejtësi është mjaft e rëndësishme, por për qytetarët e thjeshtë të këtij vendi që jo në pak raste janë bërë viktima të korrupsionit dhe padrejtësisë nga institucione që në fakt duhet të japin drejtësi. PD e ka bërë mëse një herë të qartë pozicionin e saj ndaj reformës. Ne jemi për një reformë që do t’u japë zgjidhje të gjithë problemeve me të cilat përballet drejtësia sot, mbi të gjitha, korrupsionin, pa lejuar që drejtësia të kapet nga pushteti apo nga politika. Kjo e fundit është në fakt ajo që Rama e paraqiste si reformë të drejtësisë. Gjithçka kishte përgatitur Edvin Rama synonte vënien përfundimisht të drejtësisë nën kthetrat e tij edhe ligjërisht, pasi de facto Rama dhe sot e ka vënë drejtësinë nën presion politik dhe e detyron të marrë vendimet që imponon ai, por jo gjithnjë ia del. Për këto arsye PD-ja, këmbënguli dhe ia doli të përfshi në këtë proces Komisionin e Venecias, i cili me rekomandimet e tij hodhi poshtë gjithë planet e Ramës për kapjen e institucioneve të drejtësisë. Sot, bazuar në rekomandimet e Venecias, është PD-ja që kërkon realizimin sa më shpejtë të kësaj reforme dhe Rama që gjen çdo mënyrë e provokim për ta larguar PD-në nga komisioni i reformës. Praktikisht me ngritjen e Byrosë së Hetimit dhe organizmave antikorrupsion, jashtë kontrollit të Ramës e sipas rekomandimeve të Venecias, është Rama që ka frikë nga kjo reformë. Arrestimi i Shullazit, jashtë vullnetit të tij, e ka trembur edhe më shumë sepse e mendon që një fat i tillë mund të presë dhe njerëzit e tij të afërt apo dhe atë vetë, nga një drejtësi që nuk e kontrollon ai vetë. Pra është vetëm një njeri sot që nuk e do reformën dhe ai është Edvin Rama. Sa për zgjedhjet, ne kemi kohë që i presim për ta dërguar Ramën atje ku duhet të shkojë, në PS. Zgjedhjet do të bëhen dhe do bëhen pa Ramën, Kryeministër.
Bojkoti është një nga taktikat opozitare që PD-ja ka provuar më shpesh gjatë këtyre viteve. Në fund gjithmonë jeni kthyer në Kuvend dhe gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. A ka ndonjë skenar tjetër PD-ja përballë maxhorancës?
Bojkoti ka qenë një lëvizje e detyruar e PD-së përballë një maxhorance që me arrogancë shkel çdo rregull, ligj dhe madje Kushtetutën e vendit. Nuk është e vërtetë që asgjë nuk ka ndryshuar pas lëvizjeve të opozitës. Të mos harrojmë që bojkoti dhe lëvizjet diplomatike të kryetarit të PD-së kanë sjellë jo pak ndryshime. Opozita pavarësisht se me numra mjaft të kufizuar në Parlament, me ndihmën e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë, po dhe me këmbënguljen e palëkundshmërinë e saj, ia doli të realizojë ligjin për dekriminalizimin. Detyroi maxhorancën të ulet e të nënshkruajë një marrëveshje, të turpshme në fakt për Ramën sepse u detyrua të nënshkruajë se do të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën. Një qeveri që detyrohet nën presionin e ndërkombëtarëve të pranojë se nuk ka zbatuar ligjin dhe Kushtetutën. Një kryeministër që detyrohet të pranojë se ka inkriminuar administratën dhe vetë Parlamentin. Po opozita po ia del dhe sot, të përgatisë një kuadër ligjor ashtu siç nevojitet në drejtësi e jo siç e donte Rama. Fakti është që çfarë është rënë dakord deri më tani për reformën në drejtësi, ka vulën e opozitës.
Një sondazh i Institutit Demokratik Amerikan, ka treguar se shqiptarët të pakënaqur me qeverinë, por më shumë të pakënaqur me opozitën. Si e komentoni këtë dhe pse nuk kanë shqiptarët besim tek opozita?
Sondazhet në Shqipëri për shumë arsye, unë nuk i konsideroj të besueshme. Por çfarë ka të vërtetë sipas meje në këtë rast. Pakënaqësia ndaj Ramës dhe qeverisë së tij ka thyer vërtetë një rekord. Njeriu që mburrej me një milionë shuplaka, tani mund të mburret se si asnjë qeveri tjetër jo vetëm në Shqipëri, ia doli që në një kohë rekord të bëhet i urryer për qytetarët e tij. Sot më të zhgënjyerit me Ramën janë vetë socialistët, ata që në një farë mënyrë patën besim se ai do t’i bënte gjërat më mirë dhe për këtë e votuan. E votuan dhe ata që besuan te premtimet e tij edhe pse një pjesë e tyre dukeshin qartazi që në fillim se ishin jo reale. Sot të gjithë këta ndjehen jo vetëm të zhgënjyer, por dhe të mashtruar poshtërsisht. Rama e solli parajsën, por për tarafin e tij për pjesën tjetër, përfshi dhe një pjesë të madhe të socialistëve, qeverisja e Ramës është ferri. Në këto kushte, rikthimi i besimit tek PD-ja është eminent. Ne kemi pranuar që qeverisja e fundit e PD-së pati dhe defekte, solli dhe pakënaqësi te njerëzit, pavarësisht se as nuk mund të krahasohet me “rilindjen”. Për këtë arsye PD-ja ka reflektuar dhe është gati për t’i dhënë shqiptarëve qeverisjen e duhur, më të mirën që ka pasur ndonjëherë. Po a ka sot të pakënaqur me opozitën? Po ka! Janë një pjesë e qytetarëve, shumë prej tyre nga ai grup të zhgënjyerish që përmenda më lart, të cilët na thonë “hajdeni ti rrëzojmë tani…me dhunë”. Por PD ka nevojë që besimin tek njerëzit ta krijojë jo thjesht nga zhgënjimi apo revolta e disave, por mbi baza reale. Ne duam dhe po realizojmë, rikthimin e bindjes te qytetarët se PD-ja jo me fjalë, por me një program të përgatitur mirë, të detajuar e realist, me njerëzit e duhur e duke riparuar gabimet, do ju japë shqiptarëve qeverisjen më të mirë për ta. Një qeverisje që të mbrojë interesat e qytetarëve e jo të punojë kundër interesave të tyre si “rilindja” e Edvin Ramës.