Edi Paloka zgjidhet kreu i ri i Këshillit Kombëtar të PD-së: Nesër në gjithë Shqipërinë do të ketë protesta
Deputeti demokrat, Edi Paloka është zgjedhur këtë mbrëmje kreu i ri i Këshillit Kombëtar të PD-së. Paloka fitoi me shumicë votash përballë ish-deputetes së PD, Eleina Qirici e cila kandidonte gjithashtu për kryetare të Këshillit Kombëtar. Paloka ka marrë 132 vota ndërsa Eleina Qirici mori 79 vota. Kurse në total morën pjesë 211 votues.
Edi Paloka tha se rezoluta që u miratua për zgjedhjen e presidentit, tregon qëndrimin që duhet të mbajë grupi parlamentar i PD-së, pasi Këshilli është organi më i lartë i partisë.
“Përcaktohet qartazi qëndrimi që duhet të mabajë grupi parlmentar, pasi Këshilli është organi më i lartë që përcakton linjën e PD-së. Një vendim i rëndësishëm është që nesër në gjithë Shqipërinë do ketë një protestë para komisariateve në rrethe për aktin e rëndë që ka ndodhur ku një i ri u gjet i vdekur në qelinë e komisariateve të Kavajës. Në Tiranë para kryeminsitrisë do ketë në orën 8 një protestë të heshtur”, tha Paloka.
Këshilli i ri Kombëtar është organi i cili pritet të zgjedhë kryesinë e Partisë Demokratike, së bashku me drejtuesit e tjerë të partisë, si nënkryetarët dhe Sekretarin e Përgjithshëm. I vetmi post vakant për disa kohë do të vijojë të jetë ai i kryetarit të partisë, i cili do të zgjidhet në 22 maj.