Edi Rama shkel ligjin për fushatën zgjedhore

Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë shkelur ligjin ende pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore.
Kodi Zgjedhor, i cili është miratuar nga PS dhe opozita parashikon që vendosja e posterave elektorale të mos jetë më në çdo vend, por vetëm pranë zyrave elektorale. Konkretisht neni 79 i Kodit thotë se “gjatë fushatës zgjedhore përdorimi dhe afishimi i çdo materiali tjetër statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat, lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës”.
Ndërkohë fotot më poshtë tregojnë një poster gjigand të kryeministrit Edi Rama të vendosur në rrugën Rrogozhinë-Peqin.
Sipas ligjit, policia dhe drejtuesit e bashkive duhet të ndalojnë vendosjen e posterave dhe duhet ti heqin ato./Koha Jonë

Neni 79 i Kodit Zgjedhor

  1. Jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve, kryetari i bashkisë, në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, përcakton vendet publike në territorin e bashkisë përkatëse për afishimin prej partive politike dhe subjekteve zgjedhore të materialeve propagandistike. Vendet e caktuara duhet të jenë në ambiente që sigurojnë shikueshmëri publike dhe të kenë hapësirë të mjaftueshme ku të gjitha subjektet zgjedhore që marrin pjesë në zgjedhje të paraqesin programet e tyre zgjedhore dhe mesazhet zgjedhore. Vendimi i kryetarit të bashkisë bëhet publik në faqen e internetit të bashkisë menjëherë pas miratimit.
  2. Gjatë fushatës zgjedhore përdorimi dhe afishimi i çdo materiali tjetër statik për propagandë zgjedhore, përfshirë flamujt dhe posterat, lejohet vetëm në një largësi prej deri 5 metrash nga zyra zgjedhore e partisë politike apo subjektit zgjedhor përkatës.
  3. Të gjitha  materialet  propagandistike  vizive  që përdoren  në  fushatë  duhet  të shoqërohen me shënimin: “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të…” (vijon emri i subjektit zgjedhor).
  4. Ndalohet përdorimi i materialeve propaganduese në kundërshtim me përcaktimet e bëra në pikat 2 dhe 3 të këtij neni.
  5. Policia Bashkiake dhe/ose Policia e Shtetit garantojnë zbatimin e përcaktimeve të bëra në këtë nen duke hequr menjëherë çdo material propagandues të subjekteve zgjedhore në vendet jashtë përcaktimeve të bëra në pikat 1 dhe 2 të këtij neni.

SHKARKO APP