Edi Rama: Suksesi në luftën kundër hashashit është i dukshëm
Kryeministri Edi Rama për herë të parë ka folur në Kuvend për mbjelljen masive të kanabisit në vend.
Kryeministri bëri mbrojti Ministrinë e Brendshme dhe Policinë, duke u shprehur se kanë shkatërruar më shumë kanabis se çdo qeveri e mëparshme. Ai tha se mbjella e hashashit është zhvendosur në zona malore, por suksesi i policisë është i dukshëm.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend për hashashin:
Është e qartë se një propagandë, e shthurur sa më s’ka, ka arritur të dehë edhe personazhe që në pamje të parë nuk kanë lidhje me hashashin.
Kam këtu një fakt. Është folur shumë dhe flitet shumë në lidhje me një tezë, që ne shkatërruan Lazaratin, për të shkatërruar një monopol dhe për ta përhapur hashashin në të gjithë Shqipërinë dhe për t’i ndarë parcelat, sipas influencës së tyre. Kjo është pak a shumë teza bazë. Sot dëgjova që edhe Niko [Peleshi] disponon disa parcela në Pukë. Me siguri Pandi [Majko] është vënë në kontakt për disa parcela në Dibër, meqë ka qënë atje e kështu me radhë.
Fakti është ndryshe dhe nuk po i referohem asgjëje tjetër, vetëm komunikatave të Policisë së Shtetit, në kohën kur ministër i Brendshëm ishte shkëlqesia e tij, zoti Bujar Nishani, nga qershori në tetor të vitit 2008. Të mos harrojmë edhe që në atë kohë nuk kishte monitorim ndërkombëtar. Pra, nuk fotografohej sipërfaqja e mbjellë nga avionët e Guardia di Finanza dhe nuk monitorohej mënyra sesi reagonte policia ndaj këtij fenomeni. Çfarë rezulton, përtej Lazaratit? Nuk po i lexoj të gjitha, se janë pa ekzagjerim, qindra fshatra. Janë këtu të gjitha, janë komunikata të policisë, të deklaruara nga policia. Nuk po flas për ato të padeklaruarat.
Në qarkun e Beratit, gjithë ato fshatra. Në qarkun e Durrësit, po ashtu disa fshatra. Po ashtu në Krujë, disa fshatra. Në Fier, disa fshatra. Në Gjirokastër, pa Lazaratin, dhjetëra fshatra. Në Korçë, edhe këtu fshatra. Në qarkun Kukës, Tropoja, shikoni fshatrat ku sipas komunikatës së policisë janë asgjësuar bimë narkotike. Fshatrat e Shkodrës janë më shumë sesa në gjithë fshatrat e Shqipërisë.
E përsëris, flasim për komunikata të policisë, gjithmonë!
Vazhdojmë me Vlorën, e cila është në krye, shikoni deklaratën, vetëm fshatra.
Kjo është 2008-a e hashashit që po na “xen ajrin”.
Sipas komunikatave të policisë rezultojnë të shkatërruar në atë kohë, 330.000 rrënjë. Ndërkohë që në vitin më të mirë të qeverisë së Partisë Demokratike, sipas të dhënave të Guardia di Finanza, është shkatërruar vetëm 7% e sipërfaqes së mbjellë.
Do shikoni sesi rritet hashashi një vit më pas, kur ministër është kryetari i Partisë Demokratike aktualisht. Berati, më shumë fshatra. Shikoni në Durrës, shtohet Kruja, nga 5-6 fshatra është gjithandej ku shtrihet bashkia. Në Fier, Mallakastra dhe në listë hyn edhe Lushnja. Gjirokastra ka më pak dhe ka disa më shumë në Tepelenë. Korça më shumë. Tropoja shoqërohet tanimë jo më me vetveten, por me Hasin dhe me Kukësin. – Gjithmonë flas bazuar në komunikata të Policisë së Shtetit. – Lezha, në vitin e mëparshëm, nuk e citova se nuk figuron, por shfaqet tani. Ja ku kemi në listë, Kurbin, Mirditë, Lezhë. Në Shkodër kemi përsëri një shtrirje të gjerë në gjithë qarkun dhe shfaqet dhe Puka, në 2009-n “plantacionet e Niko Peleshit”.
Vazhdojmë me Tiranën, të cilën nuk e preka se nuk kishte. Në 2009-n, këtu shfaqet Tirana. Vazhdojmë me Vlorën, e cila është disa faqe, në 2009-n gati 3 faqe.
Ky është fakti i bazuar tek vetëm çka ka komunikuar Policia e Shtetit, në kohën kur nuk kishte fotografim ajror dhe kur nuk kishte monitorim ndërkombëtar. Kujt ia tregoni Shqipërinë e hashashit, që ju paska zënë ajrin dhe diellin?!
Më lejoni t’ju bëj dhe një krahasim të fundit, bazuar në shifrat e Guardia di Finanza. 7% sipërfaqe e shkatërruar në vitin 2013. 96.4% sipërfaqe e shkatërruar vitin e kaluar.
Ndryshimi është se, nëse ne kemi shkatërruar në vitin për të cilin fola, disa herë më shumë, ka ndodhur vetëm një ndryshim, ne kemi hapur kutinë e Pandorës. Nuk e kemi mbajtur mbyllur, për të bërë atë për të cilën na akuzojnë, për të bërë menaxhimin politik të parcelave. Lazarati ka qënë i menaxhuar politikisht. Ka qënë banka e madhe e parasë së zezë, që ne e shkatërruam. Ishte i përqendruar. Ndërkohë që parcelat e tjera kanë qenë po ashtu të menaxhuara politikisht.
Së fundi, ndryshimi tjetër e dini kush është? Këto fakte tregojnë që kultivimi është spostuar në thellësi, nuk është më siç ka qenë, haptas kudo. Por nuk flitej për të, nuk bëhej debat për të, sepse mbahej mbyllur në këtë kuti Pandore që ne e kemi hapur.
Kemi bërë shumë mirë që e kemi hapur dhe e përballim sy më sy këtë fenomen, që është i lidhur me një sërë aspektesh, jo vetëm me një. Por pa as më të voglin dyshim është fenomeni që për herë të parë po luftohet seriozisht në Shqipëri, që kur erdhi kjo qeveri dhe që kur në krye të Ministrisë së Brendshme u vu ai ministër atje.
Edhe një këshillë. Nuk jeni të detyruar ta bëni. Flisni këtu për hashashin sa të doni, por kur vriten policë nga zona juaj, të paktën shikojini në varrim.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=-g4c2z0zY1I&feature=em-uploademail” width=”560″ height=”315″]
KOHA JONË SONDAZH

