Ekskluzive/ Halimi: Bllokim i çmendur i vendit. Burgu i Ramës nxit trazira, 3 kategoritë e rrezikuara nga karantina
Ish-deputetja e PD-së dhe Psikologe Klinike, Arbjola Halimi: Asnjë vend deri tani nuk i ka vendosur njerezit në kushtet e shterrethimit, por izolimit duke i edukuar hap pas hapi sesi të respektojnë rregullat
Intervistoi: Redjon Shtylla
“Jemi në kushtet e një bllokimi agresiv dhe të çmendur ku asnjë masë nuk është e mirëmenduar dhe ngandonjeherë kalon kufijtë e çnjerëzores”. Kështu shprehet ish-deputetja e PD-së, njëherësh edhe Psikologe Klinike, Arbjola Halimi, në një intervistë për ”Koha Jonë”. Nga ana tjetër, ajo thotë se vendimi i qeverisë për dënimin e personave që thyejnë karantinën, nxit trazira sociale. “Realisht mendoj se mund të nxiten trazira sociale, ja kam frikën. Kryeministri me komunikimin e tij depresiv, ua ka shtuar edhe me shumë shqetësimin njerëzve. Unë mendoj se kjo qeveri është e paaftë të kuptojë se njerëzit nuk dalin për qejf por për nevojat”. Ndërsa për situatën në të cilën po kalojnë nxënësit dhe maturantët, Pedagogia e Psikologjisë këshillon që “Fatkeqësisht ajo që po ndodh është që po ngarkohen masivisht me materiale dhe pune online pa marrë parasysh nevojat e tyre psikologjike dhe pa dhënë asnjë mbështetje në këtë drejtim. Fokusi tek mbështetja psikologjike, duke i argëtuar më shumë sesa duke i ngarkuar do duhej të kishte qenë qëndrore”.
Vendi po jeton një realitet të ri social. Shtetrrethimi dhe karantina mund të ndikojnë në acarimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe kush janë kategoritë më të rrezikuara?
Është e vërtetë se po jetojmë një ndryshim rrënjësor të të jetuarit për shkak të karantinës dhe shterrethimit. Shtresa e parë më e rrezikuar janë të pamundurit: të sëmurët, shtresat në nevojë, të varfërit por edhe shtresa e mesme, të moshuarit, të cilat janë të ndërvarur për plotësimin e nevojave të tyre nga shumë kushte të cilat izolimi i eleminoi. Familjet e varfëra janë në limitet e ekzistencës së tyre sepse ata nuk mund të blejnë ushqime për ti pasur si rezervë për ditët e izolimit. Duhet shumë kujdes në këtë drejtim.
Së dyti të moshuarit janë diskriminuar masivisht dhe dëmtuar nga kjo. Shumë prej tyre jetojnë vetëm dhe kanë shumë lloje nevojash. Së treti janë patjetër fëmijët të cilët që të zhvillojnë kapacitetet e tyre dhe në mënyrë që të rriten shëndetshëm duhet të kenë në dipozicion sa më shumë hapësira. Ata janë shumë të rrezikuar sepse duke ndenjur në kushte izolimi edhe aftësia e ndërveprimit social të tyre nuk zhvillohet si duhet, një aftësi kjo tashmë e dëmtuar edhe nga teknologjia. Edhe të rriturit janë tepër të rrezikuar por më tepër nga probleme të shëndetit mendor, duke qenë se barra e kujdesit në kushtet e izolimit bie mbi ta.
Më pëlqen që keni përdorur dy terma karantinë dhe shtetrrethim sepse janë dy gjëra të ndryshme. Në karantinë mund të qëndrosh për aq kohë sa askush nuk të frustron dhe pengon për nevojat. Shterrethimi është sa i dëmshëm dhe i frikshëm. Në kushtet e Shqipërisë kjo gjë ka dëmtuar shumë pasi paaftësia për të llogaritur nevojat e njerezëve dhe sesi ata mund ti plotësojnë, ka çuar në masa ekstreme që jo vetëm nuk kanë ndihmuar por kanë dëmtuar më shumë. Asnjë vend deri tani nuk i ka vendosur njerezit në kushtet e shterrethimit, por izolimit duke i edukuar hap pas hapi sesi të respektojnë rregullat.
Shumë flitet për moshën e tretë, aq sa qeveria “Rama 2” ja ka ndaluar edhe daljen nga shtëpia. Si mendoni se ndihet kjo grupmoshë në këtë trysni dhe çfarë duhet të bëjnë familjarët apo personat kujdestarë që kjo moshë të mos ndjekë këtë “diskriminim”?
Me thënë të drejtën për moshën e tretë janë lënë pak hapësira, sesi mund të veprohet me ta. Jo të gjithë i kanë të afërmit pranë që tu shërbejnë. Mund ti kenë në qytete të ndryshme. Është e frikshme të mendosh se ndërkohë që u morën masa për ti izoluar, nuk është marrë asnjë masë për ti ndihmuar. Janë tepër të rrezikuar dhe të trishtuar sepse ndjejë pikërisht si thoni ju, se po i diskriminojnë për shkak të moshës. Rreziku real është se nuk ka kush t’u ofrojë kujdesin në kushtet e izolimit sepse edhe autorizimin nuk ta miratojnë me motivacionin për të shkuar tek ta, e sa sa të tjera. Jemi në kushtet e një bllokimi agresiv dhe të çmendur ku asnjë masë nuk është e mirëmenduar dhe ngandonjeherë kalon kufijtë e çnjerëzores.
Nxënësit po vijojnë mësimet, tashmë online. Ka sigurisht një ngarkesë më të madhe nga ana psikologjike, sidomos tek maturantët. Keni ndjekur raste dhe çfarë këshille i jepni Ministrisë së Arsimit, çfarë duhet të bëjë për këtë situatë?
Fatkeqësisht ajo që po ndodh është që po ngarkohen masivisht me materiale dhe pune online pa marrë parasysh nevojat e tyre psikologjike dhe pa dhënë asnjë mbështetje në këtë drejtim. Fokusi tek mbështetja psikologjike, duke i argëtuar më shumë sesa duke i ngarkuar do duhej të kishte qenë qëndrore. Po aq edhe këshillimi profesional i maturantëve dhe jo mbingarkesat. Kujtoj se Shqipëria është një vend që po e aplikon për herë të parë mësimin online dhe nxënësit janë të papërgatitur, plus është seriozisht e dëmshme për shëndetin e tyre (sytë, etj) që të jenë gjithë kohës në kompjuter kur rekomandimet janë se nuk mund të rrinë më shumë se dy orë në ditë.
Mësuesit po i ngarkojnë nxënësit me detyra jo për faj të tyre por të tilla plane u kërkojnë. Injorancë totale. I kam këshilluar prindërit që të mos shqetësohen dhe të mos ndihen në faj nëse fëmijët nuk janë shumë të rregullt apo nuk i bëjnë shumë mirë mësimet gjatë kësaj periudhe, se do ti mësojnë më vonë. E rëndësishme është të mos traumatizohen për mesimet se janë tashmë në rrezikun e një traume siç është ajo e pandemisë që ata as e kuptojnë por edhe e përjetojnë fuqishëm.
Të njëjtën këshillë edhe për maturantët por këshillat nuk mjaftojnë. Duhet mbështetje reale nga Ministria e Arsimit, që të mos mbingarkojë dhe frustrojë me kërkesa maturantët dhe nxënësit në kushtet ku ndodhen. Mësuesi më shumë se kurrë duhet të jetë në rolin e këshilluesit. Është themelore dhe qëndrore.
Qeveria dhe mazhoranca synon të votojë më 16 prill ndryshime në Kodin Penal për ashpërsimin e masave ndaj personave që thyejnë karantinën, që shkon deri në 15 vite burg. Si e shikoni ju, që sa herë që kjo qeveri bën ndryshime, përmendet fjala burg? Mendoni se Rama mund të nxisë trazira sociale me këtë vendim?
Realisht mendoj se mund të nxiten trazira sociale, ja kam frikën. Kryeministri me komunikimin e tij depresiv, ua ka shtuar edhe me shumë shqetësimin njerëzve. Unë mendoj se kjo qeveri është e paaftë të kuptojë se njerëzit nuk dalin për qejf por për nevojat. Nevojat jane ekzistenciale se kërcënojnë mbijetesën, pra mosplot[simi i tyre është si një tjetër virus. Mua nuk më habit burgu në fjalorin e tij, pasi të gjithë sunduesit agresiv përdorin zhargon të ngjashëm për të nënshtruar popoullin. Ajo që po kuptoj unë këto ditë është se njerëzit po fillojnë të dalin prej rrathëve të nënshtrimit dhe sigurisht jeta do të vazhdojë, me shumë gjasë pa këtë qeveri e cila edhe lehte nuk do të ikë.