Ekskluzive/Kërpaçi: Formula e LSI-së për shpëtimin e Maturës. Të ndalet diktatura qeveritare
Intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputetja e LSI-së, Floida Kërpaçi: Lufta me koronavirusin nuk fitohet duke kthyer shtetin nga republikë parlamentare në diktaturë qeveritare
Intervistoi: Redjon Shtylla
Të prekur nga Covid-19, jo fizikisht, por nga ana ekonomike janë edhe studentët. Për këta të fundit Lëvizja Socialiste për Integrim propozoi që të subvencionohen të gjitha pagesat e palikujduara që i kanë si detyrime për vitin akademik 2019-2020. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputetja e LSI-së dhe kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi thotë se vëmendja e qeverisë ndaj të rinjve është zero. Nga ana tjetër, ajo thotë se në periudhën e jashtëzakonshme që po jetojmë, të ndërtohet një program i thjeshtuar mësimor, “ku projektet e panevojshme të reduktohen sepse rrisin shpenzimet e familjeve dhe stresin te nxënësit”. Në panik nga situata janë më së shumti maturantët. “Duhet të miratohet një manual informues edhe orientues për procesin e maturës. Kjo do ti qetësonte, çlironte dhe fokusonte maturantët. Situata e krijuar nga Covid-19 medoemos detyron një rishikim të formulës së testimit të njohurive, jo vetëm për maturën por edhe për lëndët e vitit të fundit”,-thotë më tej Kërpaçi.
Mijëra studentë punojnë për të përballuar pagesat e larta të shkollës por tani janë pa punë, në izolim dhe pa asnjë mundësi për të përballuar pagimin e tarifës. Ju si LSI çfarë i keni propozuar Ministrisë së Arsimit dhe keni marrë përgjigje?
Edhe përpara krizës ekonomike të shkaktuar nga Covid-19 familjet shqiptare kanë patur vështirësi të mëdha ekonomike. Studentët gjithmonë kanë vuajtur në përballimin e kostove të studimit për shkak të tarifave të larta dhe kostos së lartë të jetesës në kryeqytet por dhe në qytetet e tjera universitare. Masat e izolimit e kanë bërë edhe më të vështirë, pasi shumë kanë humbur punën. Ne kemi propozuar që të subvencionohen të gjitha pagesat e palikujduara të studentëve të cilët i kanë këto pagesa si detyrime për vitin akademik 2019-2020. Ka kalur 1 muaj dhe reagimi nga ana e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit është zero, duke treguar edhe njëherë që vëmendja që kanë për të rinjtë është zero. Duhet reagim i menjëhershëm për ti dhënë zgjidhje konkrete këtij problemi e për t’iu gjendur pranë familjeve shqiptare. Nuk duhet lejuar që kriza ekonomike e Covid-19 të cënojë edukimin e brezit të ri.
Si kurrë më parë, mësimi po jepet online, kjo përmes RTSH dhe internetit. Por jo të gjithë i kanë mundësitë. Për ju, çfarë duhet bërë më mirë në këtë kohë të mbetur? Do të ishte më mirë një rifreskim i njohurive sesa të vijohej me programin sikur nxënësit apo studentët të ishin në shkollë, auditor?
Qeveria Shqiptare ka shpenzuar 3.5 mln euro duke blerë 5850 tableta me qëllim për përfshirjen e teknologjisë në mësimdhënie si dhe ka vendosur në dispozicion fond për digjitalizimin e teksteve shkollore. Kryeministri premtoi se deri në celjen e vitit shkollor 2018-2019 të gjitha gjimnazet e Shqipërise do ishin digjitale. Një shqetësim që ngrihet me të drejtë, është se ku kanë shkuar këto lekë dhe pse nuk janë vendosur në punë 5850 tabletat në funksion të të rinjvë që nuk kanë mundësi?
Sot jemi në prill dhe jo vetëm nuk kemi klasa digjitale në të gjithë Shqipërinë por mësimi po kryhet në kushte shumë të vështira për mijëra të rinj e familjet e tyre. Mijëra të tjerë as nuk kanë mundësi që të kenë internet e jo më të qëndrojnë me orë të tëra duke ndjekur mësimet. Në diskutimet e përditshme që kam zhvilluar me të rinjtë ka një shqetësim në rritje për mënyrën sesi po vijohet me mësimin, ku theksohen si shqetësime kryesore mungesa e interaktivitetit dhe ngarkesa e shtuar me detyra dhe projekte. Do të propozoja që në periudhën e jashtëzakonshme që po jetojmë të ndërtohet një program i thjeshtuar mësimor, ku projektet e panevojshme të reduktohen sepse rrisin shpenzimet e familjeve dhe stresin te nxënësit.
Ministria e Arsimit të ndalojë marrjen e vendimeve sa për të bërë propagandën e radhës, por të thirren ekspertët më të mirë të sektorit të arsimit që kemi dhe çfarëdo propozimi që do të dali nga një debat transparent e gjithëpërfshirës mes atyre që e njohin më së miri edhe tipologjinë e nxënësit mesatar shqiptar të zbatohet pa futur duart e shkatërrimit qeveria. E rëndësishme është që të tregohet kujdes i veçantë për të lehtësuar sa më shumë të jetë e mundur barrën psikologjike mbi të rinjtë. Falënderim e mirënjohje edhe për mësuesit e Shqipërisë, si ata në universitete dhe ata në gjimnaze apo fazat e më hershme të edukimit, për punën e tyre të jashtëzakonshme në kushte jo të zakonshme.
Për provimet e Maturës Shtetërore, ministrja Besa Shahini ka thënë se ato do të mbahen. Maturantët janë të shqetësuar dhe theksojnë se matematika nuk kuptohet me një mesazh zanor edhe pse ministrja ka thënë së fundmi se në provime nuk do të ketë pyetje nga mësimet online. Do të krijojë kjo një situatë kaos dhe panik tek maturantët? Ju si LSI, çfarë propozoni për këtë situatë?
Maturantët janë lënë në harresë nga ministria dhe qeveria. Shqetësimi i tyre në këto momente të distancimit social e të pamundësisë për të jetuar përditshmërinë është edhe më i madh. Ne e kemi ngritur gjithmonë problemin e Maturës Shtetërore si një proces eksperimental që nuk i përgjigjet përkushtimit dhe sakrificës së të rinjve dhe familjeve të tyre.
Qeveria nuk ka asnjë plan se çfarë do të ndodh me arsimin dhe me këtë proces vendimmarrës për të ardhmen e të rinjve. Po me ata mijëra të rinj që nuk kanë mundësi të kenë një vakt e jo më të ndjekin mësimin online çfarë do të ndodhi? Do të penalizohen? Mendoj që në këto momente duhet të ketë një orientim programor për maturantët të fokusuar vetëm te lëndët që kanë provime të maturës shtetërore. Duhet të miratohet një manual informues edhe orientues për procesin e maturës. Kjo do ti qetësonte, çlironte dhe fokusonte maturantët. Situata e krijuar nga Covid-19 medoemos detyron një rishikim të formulës së testimit të njohurive, jo vetëm për maturën por edhe për lëndët e vitit të fundit.
Mesatarja e gjimnazistëve do të ndikohet tej mase prej notave që do marrin në lëndët e zhvilluara gjatë kohës së mbylljes së shkollave. Për ne është e rëndësishme të ketë zgjidhje shkencore dhe të dëgjohen ekspertët dhe jo eksperimentuesit që nëpër zyrat e Ministrisë me një të rënë të lapsit marrin vendime që ndikojnë thellësisht në psikologjinë dhe të ardhmen e brezit të ri. Në këto ditë sfiduese mesazhi im për maturantët është të studiojnë dhe ta marrin vet situatën në dorë dhe mos të dorëzohen pavarësisht se jemi në drejtimin e një qeverie që nuk ka as plan arsimor as shëndetësor e as ekonomik. Asnjë nuk duhet të luaj me të ardhmen e të rinjve por edhe të rinjtë duhet të jenë aktiv e kërkues për të mos lejuar që e ardhmja e tyre të kalojë në plan të dytë.
Duket sikur nuk flitet shumë për studentët e Arsimit të Lartë, sidomos për degët që e kanë të detyrueshme praktikën. A mund ta konsiderojnë ata simestrin e dytë të humbur? Sipas informacioneve që keni, çfarë program po ndjek ministria për Arsimin e Lartë dhe çfarë ju propozoni?
Vlerësimi juaj është i drejtë. Kjo vjen sepse Ministria në kohë normale kur do ti kontrollojë Universitetet i konsideron si institucione varësie që duhet të zbatojnë urdhërat e Ministrisë, ndërsa kur kanë detyrimin ti ndihmojnë i ofrojnë “pavarësinë” dhe i lënë të vetëm për tu përballuar me vështirësitë e pandemisë. Duhet ndërhyrje e menjëhershme sepse fundi i vitit akademik po vjen. Po të analizojmë situatën do të shohim se universitete të ndryshme përdorin platforma të ndryshmë online, e madje dhe brenda një fakulteti ka ndryshim, duke sjellë një corientim te studentët, ku shumë prej tyre nuk kanë mundësi reale aksesi në internet për të ndjekur leksionet online.
Mos të harrojmë edhe premtimin e qeverisë në Paktin e dështuar të Universitetit për ndërtimin e bibliotekave me standarde europiane dhe me libër universitar online falas për studentët në gjuhën shqipe brenda qershor 2019! Ashtu si çdo gjë tjetër dhe ky është një mashtrim dhe premtim i pambajtur nga kryeministri. Mungesa e teksteve sjell një shqetësim të madh te studentët për performancën e tyre duke u shqetësuar edhe për mënyrën sesi do të vlerësohen. Për studentët në simestrin e fundit të arsimit të lartë shtete të ndryshme kanë dhënë zgjidhje për praktikën.
P.sh. Italia I ka futur të gjithë mjekët e infermierët në profesion pa qenë nevoja e kalimit të periudhës së proves dhe testimit të profesionit që kryhet zakonisht. Kjo mund të ishte një zgjidhje e mundshme edhe në Shqipëri. Që në mars 2020 për shkak të politikave të lehtësuara të Gjermanisë për emigracionin pritej që një valë e madhe profesionistësh do largoheshin për të gjetur mundësi të reja në vendin mik. Duhet të bëjmë çmos që ti mbajmë këtu profesionistët e rinj, sepse nuk është vetëm Covid-19 por që Shqipëria të ndërtohet si vend europian duhet të ndërtohet e të kapërcejë sfidat që ka përpara dhe këtë mund ta bëjë brezi i ri dhe të mirë arsimuar.
PS-ja synon të votojë më 16 prill ndryshime në Kodin Penal për ashpërsimin e masave ndaj personave që thyejnë karantinën, që shkon deri në 15 vite burg. Si e shikoni ju, që sa herë që kjo qeveri bën ndryshime, përmendet fjala burg? Mendoni se kryeministri Rama mund të nxisë trazira sociale me këtë vendim?
E vetmja rrugë për të luftuar Covid-19 është testimi masiv i qytetarëve. Lufta me koronavirusin nuk fitohet duke kthyer shtetin nga republikë parlamentare në diktaturë qeveritare. Çfarë kemi nevojë është një qeveri që prioritarizon shkencën dhe u jep fjalën ekspertëve. Kërcënimet me burg dhe masat shtrënguese thjesht nuk do gjejnë dakordësinë e qytetarëve e cila ka treguar një sjellje shëmbullore për ndalimin e përhapjes së Covid-19 por që sot ka shqetësim ekonominë dhe vijimin e jetës pas Covid-it. Në vend të kërcënimeve qeveria shqiptare duhet të realizojë testime në masë për të analizuar më qartë hartën e shpërndarjes së virusit dhe të ndalojë përhapjen më tej të tij, të mos e lërë popullatën nën dëshirat e virusit, si dhe të zgjerojë paketën e ndihmës ekonomike për të garantuar ushqyerjen dhe nevojat bazike të familjeve por dhe mbijetesën e vendeve të punës. Nëse nuk ka ndihmë për biznesin nuk do të ketë më vende pune por shqiptarë të papunë dhe kjo është më e rrezikshme se virusi. Kryeministri e njohin të gjithë që nuk i mban premtimet dhe që çdo fjalë e ka propagandë. Është koha që duhet të na udhëheqi përgjegjshmëria dhe dashuria për vendin.