Ekskluzive/Noka: Rama po rrëshket në Autokraci. Byzylyk elektronik jo ”pushkatim” për të infektuarit

Flet për ”Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së, Flamur Noka: Thirrjeve të opozitës për ndërhyrje në kohë dhe marrje masash të harmonizuara mirë dhe të efektshme i përgjigjej me mospërfillje dhe me ironi

Intervistoi: Redjon Shtylla

Të enjten mazhoranca do të kërkojë të votojë në Kuvend, në një seancë të çuditshme kur vendi është në karantinë, ndryshimet në Kodin Penal që dënojnë me burg kush thyen karantinën. Në një intervistë për ”Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së, Flamur Noka, thotë se ndryshimet e çojnë vendin drejt një rrëshqitje në Autokraci. Nga ana tjetër, ai propozon që të ketë byzylyk elektronik e jo pranga. Nga ana tjetër, i pyetur sesa i është përgjigjur kryeministri Edi Rama propozimeve të PD-së, Noka thekson se ”Thirrjeve të opozitës për ndërhyrje në kohë dhe marrje masash të harmonizuara mirë dhe të efektshme i përgjigjej me mospërfillje dhe me ironi. Me shumë vonesë ndërhyri edhe kur ndërhyri, ndërhyrja ishte gjysmake, me të vetmen masë izolimin, karantinën. Ndërkohë që dy komponentet e tjerë shoqërues të karantinës si testimi dhe gjurmimi, megjithëse të detyrueshëm dhe jetike aplikoheshin sa për show mediatik e propogandë pra në fakt janë aplikuar dhe po aplikohen në masë thuajse të papërfillshme”.

Intervista e plotë

Si e komentoi që mazhoranca nuk i ndahet ndryshimit të Kodit Penal, ku dje në Komision u votua për dënimet e shqiptarëve në lidhje me situatën e pandemisë së Covid-19 dhe nesër do të votohen në një seancë në Kuvend? E cënon sigurinë kombëtare dhe nxit trazira sociale? 

Shqipëria prej kohësh është duke rrëshqitur drejt autoritarizmit. Kryeministri Edi Rama ka 7 vjet që nuk lë rast pa shfrytëzuar për të vendosur nga një gur në themelet e idesë së tij të vjetër autoritariste. Po ta shohësh me vëmëndje vazhdimisht ai ka bërë gjithshça për ti sunduar shqiptarët dhe jo për ti qeverisur. Nuk është as lapsus e as rastësore që shprehjet e tij bazë janë gjobë, gjobë, burg, burg, burg. Gjithçka është në funksion të projektit të tij. E mbani mend si nisi qeverisja në 2013. Gjobë, gjobë, burg, burg, burg. A nuk ishte ky zhargoni më i pëlqyer dhe më i përdorur i tij? A nuk i burgosi mijëra qytetarë hallexhinj vetëm pse riparonin çatinë e shtëpisë, apo murin e oborrit. A nuk ishte moto e qeverisjes: gjobë, gjobë dhe burg, burg kush nuk ka mundësi të paguajë dritat. Të gjitha këto masa ishin për të testuar dhe realizuar nënshtrimin e shqiptarëve dhe në funksion të autoritarizmit dhe nuk kishte si ti shpëtonte kjo periudhë e pandemisë.

Opozita ka dhënë ide konkrete sesi të menaxhohet situata. Si i keni parë këto propozime, i ka marrë në shqyrtim dhe i ka zbatuar qeveria?

Thirrjeve të opozitës për ndërhyrje në kohë dhe marrje masash të harmonizuara mirë dhe të efektshme i përgjigjej me mospërfillje dhe me ironi. Me shumë vonesë ndërhyri edhe kur ndërhyri, ndërhyrja ishte gjysmake, me të vetmen masë izolimin, karantinën. Ndërkohë që dy komponentet e tjerë shoqërues të karantinës si testimi dhe gjurmimi, megjithëse të detyrueshëm dhe jetike aplikoheshin sa për show mediatik e propogandë pra në fakt janë aplikuar dhe po aplikohen në masë thuajse të papërfillshme.

Tani e shikon se vetëm një komponent i pashoqëruar me dy të tjerët është dështim total dhe do e zgjasë pafund karantinën sepse nuk këputet dot  zinxhiri i infektimit. Ai po e ndjen se pasojat e strategjisë së dështuar do jenë të rënda kryesisht ato ekonomike dhe për të larë duart nga kjo gafë që sapo ka filluar ti rëndojë shqiptarëve fillimisht u mundua tja pasoj përgjegjësinë e vendimeve gjysmake të famshmit komitet anti Covid-19 që vetë e ngriti dhe e drejtonte.

Tani që nuk ngjiti kjo strategji nuk ngurroi të kalojë fajin te qytetarët. Ata janë fajtor sipas tij pse strategjia e tij po dështon dhe jo ai dhe qeveria. Ai nuk duhet të mbajë faj asnjëherë dhe fajësimi i qytetarëve është pjesë e strategjisë për të larë duart nga përgjegjësia por dhe e shfrytëzon nga ana tjetër për të vazhduar drejt projektit autoritarizmit. Tani është koha të vendos pra edhe një gur tjetër në ato themele që ti lartësojë ditë pas dite. Shpjegim tjetër nuk ka. Sepse askush në një shtet apo në një demokraci funksionale nuk guxon të ndërmarrë masa të tilla dënimesh.

Nga ana tjetër, si i keni parë masat në botë dhe nga kush vend qeveria ”Rama 2” ka marrë shembull?

Deri 15 vjet burg kush del nga shtëpia. Është tmerr. Është çmenduri. Këtu diferencohen mentaliteti autokratik, diktatorial me atë demokratik. Autokracitë dhe diktaturat gjithmonë e shohin zgjidhjen të masat shtërnguese në kurriz të qytetarëve. A ka ndonjë vend tjetër përveç Koresë së Veriut ku kriminelët jo vetëm që nuk dënohen por lartësohen dhe merren masa drastike që qytetarët të dënohen dhe sakrifikohen. Dhe pse? Se duhet mbuluar dështimi i strategjisë dhe duhet shfrytëzuar ky moment për ëndrrën e sundimit dhe përkedhelje të sedrës së sundimtarit.

A mund të na thotë Kryeminstri pse nuk mori shembullin e Koresë së Jugut por u frymëzua nga masat e Koresë së Veriut? Koreja e Jugut harmonizoi perfekt trinomin fitues të luftës kundër Covid-19: testim, gjurmim dhe izolim. Dhe çdo të infektuari i vendosi byzykë elektronik që edhe ja detyron karantinën edhe e kontrollon nëse e ka thyer karantinën. Këto masa duhej të merreshin si model efikas dhe të ishin sot duke u aplikuar. Por jo ato të Koresë së Veriut si izolim, burgim, pushkatim (ka info që po përdor në masë edhe pushkatim për çdo të infektuar).

A mos duhet tja dimë për nder Kryeministrit tonë që masën e pushkatimit po na e kursen? Autokracitë nuk ngrihen brenda një dite por ndërtohen gradualisht si në rastin tonë. Ndaj duhen ndalur këto masa e duhen frenuar këto hapa nëse duam të jetojmë në demokraci. E kontrollon nëse e ka thyer karantinën. Pra byzylyk elektronik për të infektuarit e jo byzylik metalik (pranga).

SHKARKO APP