Ekskluzive/Paloka: Përplasja e bandave të “Rilindjes”, jemi më pranë luftës civile sesa zgjedhjeve

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka intervistë për “Koha Jonë”: Edi Rama të mos vazhdojë lojërat me Reformën Zgjedhore, po e çon vendin në grusht shteti

 

Intervistoi: Redjon Shtylla

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, paralajmëron kryeministrin Edi Rama, që të mos vazhdojë lojërat me ndërkombëtarët dhe me opozitën, lidhur me Reformën Zgjedhore. “Nëse ai kthen në qëndrime deklaratat se Reformën do ta bëjë vetëm në atë që quan Parlament, atëherë unë e kam shprehur dhe herë tjetër, jemi në kushtet e një grushti shteti”. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Paloka thotë se opozita po kërkon dhe po lufton që zgjedhjet të jenë të lira, larg influencës së krimit, oligarkëve dhe pushtetit. “Këto i garanton një qeveri tranzitore. Në të kundërtën, opozita do të duhet të përgjigjet me të njëjtat mënyra për të mbrojtur votën e lirë dhe demokracinë në Shqipëri. Në një rast të tillë do të jemi më pranë luftës civile sesa zgjedhjeve”. Ai thotë se SHBA, Europa dhe shqiptarët, duan zbatimin e kushteve të Bundestagut, për zgjedhje demokratike si zgjidhje.

Që pas vendimit të BE-së për moshapjen e negociatave, në vend opinioni por edhe zëra brenda PD, shprehen se opozita duhet të kishte vijuar me protesta masive. Si ju përgjigjeni atyre që e shohin heqjen dorë nga protesta si dobësi të opozitës? Nga ana tjetër, sa garanci ka opozita që nëse bëhen ndryshimet elektorale vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme? Si do të arrini ju tek ky vendim?

Opozita nuk ka hequr dorë nga asnjë formë e reagimit opozitar, përfshi edhe protestat. Kur flisni për “protesta”,  ju keni parasysh protestat e mëdha kombëtare, sepse protestat nuk kanë pushuar në asnjë moment, si ato të organizuara nga opozita ashtu dhe gjithë protestat e tjera të mbështetura nga opozita. Protestat kombëtare, të cilat u organizuan nga opozita patën disa arritje jo të vogla. Rritja e numrit të protestuesve nga njëra protestë në tjetrën, tregoi qartazi rritjen proporcionale të pakënaqësisë dhe revoltës qytetare ndaj qeverisë Rama por mbi të gjitha tregoi rritjen e mbështetjes për opozitën e bashkuar. Kjo rritje e revoltës dhe mbështetjes së opozitës, bëhet edhe më evidente po të kemi parasysh dhe faktin që gjithë ajo periudhë protestash u shoqërua me dhunë, burgosje dhe represion shteteror. Dështimi i farsës së 30 qershorit mund të konsiderohet si një rezultant kulmor dhe pasqyrim i drejtëpërdrejtë i gjithë atij reagimi qytetar. Sot praktikisht, të gjitha sondazhet, përfshi dhe ato që bën Rama, tregojnë qartazi se PD-ja është parti e parë dhe opozita e bashkuar është maxhoranca absolute dhe me diferencë të theksuar me “rilindjen”.

Një aspekt tjetër i suksesit i protestave është dhe në terrenin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë, pa të cilët Shqipëria nuk mund të ecë përpara. PD dhe aleatët e saj, janë forcat që jo vetëm nxorrën vendin nga diktatura por e orientuan qartazi drejt demokracive perëndimore. Edhe sot janë partitë opozitare që me qëndrimin e tyre të qartë e të vendosur perëndimor, që nuk lejojnë devijimin e linjës të vendit, ndryshe nga “rilindja” e Ramës që e “shëtit” Shqipërinë nga orienti tek lindja ish-komuniste pansllave. Në këto kushte , ishte e papranueshme dhe absurde situata që u krijua fillimisht në marrëdhëniet tona me partnerët perëndimorë për shkak të vendimeve të forta që opozita u detyrua të ndërmarrë me dorzimin e mandateve dhe mospjesmarrjen në zgjedhjet lokale.

Demokracitë perëndimore nuk e pranojnë bojkotin por për të nxitur qëndrimet kundër akteve të opozitës, nuk mungoi as korruptimi i disa diplomatëve apo veprimtaria perverse e grupimeve të majta me ndikime të qarta sorrosiane. Detyrë e opozitës ishte të sqaronte se veprimet tona, ishin akte ekstreme në kushte ekstreme e jo kapriço e disa partive që kërkojnë pushtet. Mbështetja e madhe qytetare në protesta, ndihmoi ndjeshëm edhe për ndryshimin e opinionit të partnerëve.

Sot komuniteti ndërkombëtar, ka vënë me shpatulla pas muri jo vetëm Ramën, por si rezultat i eksperiencës me Shqipërinë, BE po kërkon të ndryshojë dhe rregullat e saj për të shmangur dizinformimin prej zyrtarëve e burokratëve të korruptuar. Sot opozita ka mbështetjen totale të qytetarëve dhe mirëkuptimin e partnerëve. Kushtet e Bundestagut janë zgjidhja jo vetëm për hapjen e negociatave por dhe për krizën në Shqipëri. Opozita është angazhuar në mbështetjen dhe realizimin e këtyre kushteve. Angazhimi për realizimin e një reforme zgjedhore efektive e konsensuale dhe realizimin e zgjedhjeve pas kësaj reforme. Këtë kërkojnë shqiptarët, këtë kërkon Bundestagu, e këtë theksuan pak ditë më parë dhe raporteret e KiE: Zgjidhje të krizës nëpërmjet zgjedhjeve të lira e demokratike. Zgjedhjet demokratike si zgjidhje, përmendi dhe përfaqësuesi i SHBA-së, z.Palmer.

Paketa me 5 pikat e opozitës, nuk pranohen nga kryeministri. Reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR që nesër thotë Edi Rama, “por përkthyes të huaj në shqip, kurrën e kurrës”. Kryeministri Rama nuk e ka pranuar propozimin e PD-së që këtë reformë ta bëjnë bashkë me ekspertë të huaj. Ju si e shihni këtë situatë?

Ne kemi paraqitur pesë pikat për të parashtruar rrugën ku ne mendojmë që të procedohet për të arritur në një reformë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale dhe efektive ashtu siç na kërkohet nga Bundestagu, partnerët por dhe siç është tradita e gjithë periudhës së pluralizmit në Shqipëri. Roli i ndërkombëtarëve dhe përfshirja e tyre është kërkuar jo vetëm sepse janë ata që Reformën Zgjedhore dhe implementimin e saj e kanë përfshirë në kushtet për hapjen e negociatave me BE, por edhe për disa arsye të tjera prej të cilave njëra për fat të keq vazhdon të mbetet një nevojë; roli i arbitrit.

Mos harrojmë që Rama që tani nuk pranon ndërhyrjen e ndërkombëtareve, deri dje abuzonte në mënyrë skandaloze edhe me opinione ambasadorësh për çështje tërësisht shqiptare, për të mos përmendur rolin e ndërkombëtarëve në Reformën e Drejtësisë.

Sidoqoftë ne kemi bërë një propozim zyrtar, për të cilin nuk ka një përgjigje zyrtare e as ndonjë kundërpropozim. Nëse nuk pranon propozimin tonë, atëherë cili është kundërpropozimi për të plotësuar kushtet që të kemi një reformë ashtu siç kërkohet, pra transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale dhe efektive? Sigurisht që nuk është komisioni Gjiknuri. Rama nuk mund të vazhdojë lojërat as me ndërkombëtarët e as me opozitën. Në të kundërt, nëse ai kthen në qëndrime deklaratat se Reformën do ta bëjë vetëm në atë që quan Parlament, jemi në kushtet e një grushti shteti dhe jo vetëm opozita por gjithë qytetarët shqiptarë do duhet të reagojnë si në kushte të tilla.

Ditët e fundit në vend ka pasur një sërë ngjarjesh kriminale, si ajo e Prokurorit të Durrësit, ku lidhjet mes qeverisë duken më qartë se kurdo herë tjetër. Kryeministri  në vitin e 7-të të qeverisjes, thotë se shumë shpejt do të nisë luftë frontale ndaj krimit. Më këtë nivel kriminaliteti dhe ndërhyrje të krimit me strukturat qeverisës, a nuk ndjehet e rrezikuar opozita dhe në zgjedhjet e radhës?

Lidhjet direkte të krimit me qeverinë Rama, janë tanimë një e vërtetë e njohur dhe vërtetuar me fakte të pakundërshtueshme. Fakti është që pas çdo krimi, pas çdo përplasje bandash, del në dritë një konflikt që ka në bazë grabitjen e Shqipërisë nga bandat e “rilindjes”. Pas çdo bande dhe krimi, shfaqet emri i një deputeti apo funksionari të Ramës dhe Rama vetë. Nuk ka si të ndodh ndryshe. Opozita e ka denoncuar me kohë këtë realitet. Rama erdhi në pushtet nëpërmjet bandave dhe krimit. Ata bënë votat dhe i dhanë pushtetin Ramës, po sigurisht këtë nuk e bënë nga “dashuria” për Ramën, por në këmbim të privilegjeve e përfitimeve të premtuara.

Shqipëria është kthyer në një plaçkë që Rama e ndan mes oligarkëve dhe bandave kriminale sepse vetëm kështu mund të vazhdojë të ketë mbështetjen e tyre për pushtet. Krimi e oligarkia me në krye vetë Ramën, nuk ngopen kurrë. Kjo sjell pastaj dhe përplasjen e vetë bandave të “rilindjes” dhe detyrojnë Ramën të bëhet palë, siç bëri dhe në rastin e fundit duke kaluar në mënyrë skandaloze deri në kërcënimin e një prokurori që më pas u bë dhe viktimë e një atentati, ku përsëri del si atentator nipi i një deputeti “rilindas”.

Kjo situatë, sa të jetë Rama në qeveri vetëm rëndohet. Bandat i kanë dalë duarsh dhe ka rrezik t’ia hanë kokën përpara opozitës. Po ndryshe nga opozita që kokën ja ha politikisht, ata do ja hanë në kuptimin më të parë të fjalës. Gjushi nuk e la bashkinë se i doli emri në manipulim votash por se nuk përballonte dot detyrimet ndaj krimit. E njëjta gjë po ndodh me drejtuesit e hipotekave (sot kadastra) në Durrës apo në mënyrë ekstreme në Vlorë, që marrin urdhëra direkt nga Rama për të kaluar pasuritë e shqiptarëve në emër të bandave apo oligarkëve, e pastaj bëhen pre e krimit apo bandave rivale por gjithmonë “rilindase”.

Opozita po kërkon dhe po lufton që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme, larg influencës së krimit, oligarkëve dhe pushtetit. Këto i garanton vetëm një qeveri tranzitore. Në të kundërtën, opozita do të duhet të përgjigjet me të njëjtat mënyra për të mbrojtur votën e lirë dhe demokracinë në Shqipëri. Po sigurisht në një rast të tillë do të jemi më pranë luftës civile sesa zgjedhjeve.

Ballkanit i është premtuar prej 20 vitesh Integrim i plotë në BE por ky premtim është shtyrë nga viti më vit. Pas refuzimit për çeljen e negociatave, duket se janë kthyer kërcënimet nga vende që mund të na kanosin me influencë nga Rusia, Kina Turqia. Si e shihni ju situatën dhe a po përdoren influencat nga politika?

Brenda Ballkanit ka diferenca të qarta dhe këto diferenca nuk vijnë për shkak të qëndrimit të BE-së por si rezultat i mosplotësimit të kushteve dhe reformave nga qeveritë e vendeve të ndryshme. Në një qeverisje 8-vjeçare nga PD-ja, Shqipëria nënshkroi fillimisht MSA, u bë anëtare e NATO-s, liberalizoi vizat dhe praktikisht plotësoi kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE (që u bllokua artificialisht nga Rama me mosvotimin e tre ligjeve). Prej marrjes së qeverisë nga Rama, jo vetëm nuk është bërë asnjë hap përpara, ka gjashtë vite që shtyhen e nuk hapen negociatat por rrezikojmë dhe kthim pas.

Holanda me një vendim direkt të Parlamentit por indirekt dhe Franca, kanë kërkuar rikthimin e vizave për shqiptarët si pasojë e rritjes së kriminalitetit dhe numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria e Ramës. Jo vetem kaq, po siç rezulton dhe nga deklarimet më të fundit të Presidentit Macron, Rama mori në qafë dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, e cila i kishte plotësuar kushtet po nuk u nda nga Shqipëria për të mos u ndjerë shqiptarët të diskriminuar.

Po kur nënshkruanin MSA, na anëtarësonin në NATO, na liberalizonin vizat e na jepnin statusin e vendit kandidat, a nuk ishin po këto vende? Ajo që ndryshoi ishte qeverisja në Shqipëri e jo racizmi i këtyre vendeve. Edhe influencat ekstraperendimore, në Shqipëri gjejnë jehonë dhe mbështetje pikërisht nga Rama e kjo jo vetëm në formën e deklaratave kërcënuese por dhe si veprime konkrete me ofrimin e sektorëve strategjik të ekonomisë së vendit për firma të caktuara. Prandaj largimi i Ramës bëhet gjithnjë e më emergjent, jo vetëm për shqiptarët por dhe për partnerët.

SHKARKO APP