Ekskluzive/Pampuri: Izolimi pa testime jo efektiv. Njerëzit pa bukë, Rama kërkon burg

Ish-deputetja e PD-së: Risku i kolapsit ekonomik për shkak të falimentimit të bizneseve të vogla, të mesme e të mëdha dhe nxjerrja e qindra mijërave personave nga puna

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Testet e pakëta në Shqipëri, janë thjeshtë dhe vetëm për shkak të buxhetit fare të pakët që është vënë në dispozicion të blerjes së tyre. Nuk është koha të bëjmë heroin, duke mbajtur dhe ruajtur një kurbë fictive dhe duke fshehur shifra”. Kështu thotë ish-deputetja e PD-së, Orjola Pampuri në një intervistë për “Koha Jonë”, ku nga ana tjetër, thotë se izolimi pa testime është një hap jo efektiv. Për ndryshimet në Kodit Penal, e teksa e quan një lajthitje tjetër të Ramës, këshillon qeverinë që të kthejë sytë tek qindra mijëra familje që duan të ushqehen dhe të mbijetojnë. “Ndërgjegjësimi është hapi parësor që ndërmerr çdo qeveri në situatë të tilla pandemie dhe qytetarët të cilët kanë besim tek qeveria e tyre priren t’i zbatojnë”.

Qeveria ka prezantuar një paketë të dytë financiare, ku këtë herë është zgjeruar edhe me biznesin e madh, me fasoneritë dhe me turizmin. Kush janë rezultatet e pritshme dhe e zbut kjo ngërçin në të cilën ndodhet ekonomia shqiptare? Nga BE dhe FMN, ndihma shkon në 350 milion euro. Qeveria po jep 100 milion euro. Çfarë i sygjeroni qeverisë për paketën e tretë?

Paketa e parë ekonomike ishte tregues i rëndësishëm i dështimit të qeverisë në përmbushjen e nevojave të biznesit të vogël dhe të vetëpunësuarve, për të cilët ofroi 26.000 lekë të cilat nuk përmbushnin as nevojat për pagesat e detyrimet, si taksa, fatura energjie, uji, etj, nga kjo paketë përftituan thjesht 1 nga 3 biznese. Për këtë fazë kishte rreth 38.000 aplikime, të cilat u shqyrtuan deri më 9 prill dhe rreth 42 % e tyre u refuzuan, një numër i konsiderueshëm, aplikuesish që përjashtohen, dhe mbeten të papërfshirë dhe rrjedhimisht të falimentuar.

Përsa i përket paketës së dytë, pavarësisht shifrave që ofrohen për të mbështetur, e gjithë çështja qëndron pikërisht në selektimin e tyre, pra mënyrën se si do të përzgjidhen e kush prej tyre duhet të përfitojë. Sipërmarrësit e bizneseve të mëdha të cilët kanë të punësuar qindra mijëra qytetarë, mes tyre familjarë e kryefamijarë, kanë nevojë immediate të mbështeten e përfitojnë nga paketa ekonomike. Një prioritet për paketën e tretë duhet të jetë turizmi, sipërmarrësit të cilët po ashtu kanë, qera, taksa, të punësuar, pronarët e bareve e restoranteve, të cilët po ashtu janë burim i rëndësishëm të ardhurash për shumë familje.

Përsa i përket paketës së tretë, përfshirja e biznesit të vogël e të mesëm, identifikimi dhe përfshirja e të gjithë personave të cilët janë përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike dhe jetojnë në varfëri ekstreme. Rreth 70.000 gra kryefamiljare rrezikojnë të mbeten pa punë, për shkak se ky biznes është në prag falimentimi për shkak të mos rinovimit të kontratave. Të rishikohet mundësia që të 120000 punonjësve të biznesit të vogël, të cilët nuk arritën të përfitojnë nga paketa e parë, të përfshihen në mnëyrë immediate në skemë. Të mbështetet në një qëllim të vetëm, transparenca, për çdo kategori, mungesa e transparencës, nxit mungesën e besimit, dyshimin dhe abuzimin.

Si e komentoi që mazhoranca nuk i ndahet ndryshimit të Kodit Penal, ku sot do të votohet në një seancë në Kuvend për dënimin e të infektuarave që thyejnë karantinën? E cënon sigurinë kombëtare dhe nxit trazira sociale? 

Miratimi i Kodit Penal është një lajthitje tjetër, në vijim të nismave të dështuara që qeveria ka ndërmarrë mediatikisht por realisht nuk ka realizuar asnjërën. Së pari të miratosh ndryshime të tilla në Kodin Penal, është shkelje e të drejtave të njeriut në një kohë kur ne jetojmë e veprojnë në një shtet demokratik, ku çdo njeri ka të drejtën të ketë një strehë e të ushqehet, e në pamundësi këtë e ndërmerr shteti.

Shteti ndërmerr masa të rrepta për të qëndruar në shtëpi, ndërkohë nuk siguron bukë për qytetarët, nuk siguron strehë për të pastrehët dhe sidomos për ata që ndodhen në një gjendje të tillë. Ndërgjegjësimi është hapi parësor që ndërmerr çdo qeveri në situatë të tilla pandemie dhe qytetarët të cilët kanë besim tek qeveria e tyre priren t’i zbatojnë. Qeveria nuk mund të ndërmarrë masa të rrepta ndëshkuese, kur qindra mijëra familje duan të ushqehen dhe të mbijetojnë.

Sigurisht çdo vend tjetër në Europë e botë, ndërmerr masa por parashikon dhe paketa ekonomike të cilat u vijnë në ndihmë çdo shtrese, kështu edhe qytetarët janë më të prirur t’i zbatojnë por nuk mund të dënosh me burg e ndëshkosh me gjoba, apo kërcënosh qytetarë pa iu ofruar së pari bukë, nuk mund tu japësh mend apo të urdhërosh biznese, pa i mbështetur ato. Ndaj e gjitha kjo nuk ka lidhje me ashpërsimin e masave por me shkelje të të drejtave të njeriut.

Vendi po jeton një realitet të ri social. Shtetrrethimi dhe karantina mund të ndikojnë në acarimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe kush janë kategoritë më të rrezikuara?

Përballë një situate të tillë shumë kategori janë të rrezikura, e nëse nuk mbështeten, sigurisht gjendja e secilit agravohet. Në aspektin social ekonomik është risku i kolapsit ekonomik për shkak të falimentimit të bizneseve të vogla, të mesme e të mëdha dhe nxjerrja e qindra mijërave personave nga puna.

Rrjedhimisht varfërimi i qindra e mijëra familjeve dhe si pasojë stresi e ankthi prevalon më shumë se në çdo kohë, ata të cilët kanë predispozita për të patur probleme të tilla përjetojnë rizgjimin e simptomave të depresionit, apo ankthit. Të tjerët të cilët nuk kanë patur më parë histori me ankthin e depresionin mund të përjetojnë stres të vazhdueshëm i cili duhet të mbahet nën kontroll me qëllim që të mos të përjetojë në një fazë të mëvonshme simptoma depresioni.

Mund të ketë një problematikë tjetër siç është dhuna në familje, mund të ketë rishfaqje apo nxitje të simptomave të çrregullimit obsesiv kompulsiv, të personave të cilët më parë i kanë përjetuar këto simptoma dhe kanë arritur t’i mbajnë nën kontroll. Një kategori tjetër që ka risk të lartë janë edhe mosha e tretë, të cilët vuajnë nga sëmundje kronike dhe stresi i izolimit mund të nxisë kriza hipertensioni apo çrregullime kardiovaskulare.

OBSH-ja ka deklaruar se strategjia më e mirë që njohin është testimi i masës së popullsisë, që të kenë kontroll mbi shpërndarjen e Covid-19. Përse autoritetet shqiptare nuk po e ndjekin këtë strategji? A është rasti që nuk kemi mjaftueshëm teste?

Bazuar në deklaratat e OBSH, si dhe eksperiencat e vendeve të tjera të zhvilluara si Gjermania, Norvegjia, etj, mund të themi se izolimi pa testime është një hap jo efektiv. Duke testuar, identifikojmë, izolojmë dhe kurojmë dhe në fund parandalojmë. Shtimi i testeve, pra testet masive ku të niset fillimisht me të gjithë personelin shëndetësor, në parësor, sekondar e terciar, policia, administrata e më pas edhe më gjërë por kjo në një hap të dytë, pas hapjes graduale, si dhe përfshirja e testeve serologjike.

Teste për të provuar nëse e kemi kaluar Covid-19, pasi ka shumë raste në të cilat mund të kemi mbartës, jemi asimptomatik, por përbëjmë rrezik për të tjerët, kështu do të nisnim hap pas hapi rifillimin e jetës dhe do të ndihmonim shëndetin së pari por paralelisht edhe ekonominë. Duke bërë kaq pak teste dhe duke marrë masa drastike izolimi nuk zgjidhim gjë. Ne nuk mund të qëndrojmë pafund të izoluar dhe njëkohësisht dhe virusi nuk ka një deadline sesa do të qëndrojë në ambient. Testet e pakëta në Shqipëri, janë thjeshtë dhe vetëm për shkak të buxhetit fare të pakët që është vënë në dispozicion të blerjes së tyre.

Nuk është koha të bëjmë heroin, duke mbajtur dhe ruajtur një kurbë fiktive dhe duke fshehur shifra, por duke qenë transparentë, duke bërë sa më shumë teste, duke marrë masa për të mbrojtur personelin shëndetësor. Besoj se kjo është strategjia e duhur për të rinisur jetën sërish. Ndryshe po kolapsojmë ekonominë dhe po dëmtojmë shëndetin e shqiparëve, jo vetëm nga Covid-19 por edhe nga patologji të tjera të cilat nxiten dhe shfaqen si pasojë e izolimit.

SHKARKO APP