Ekskluzive/ Panariti: Të gjithë jemi të gatshëm të kufizojmë lirinë në luftën ndaj pandemisë, por jo demokracinë!

Ish-ministri i Bujqësisë: Shqipëria dhe ekonomia e saj ka marrë një goditje shumë të rëndë nga paraliza e prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve. 

Bisedoi: Herion Mesi

Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti shprehet se strategjia e kontrollit të COVID ishte ajo e përcaktuar nga OBSH-ja: testim, testim, izolim, karantinim i të prekurve me simptoma dhe pa simptoma dhe distancim social!

Por, thotë ai, ajo që dalloi regjimet autokrate unitariste nga ato të demokracisë funksionale, ishte mënyra e zgjedhur prej të parëve në kufizimet e lirisë për qytetarët të kërkuara dhe imponuara nga situate.

Në këtë kontekst, teksa denoncon rastet e shteteve autokrate, metodat e të cilëve u aplikuan dhe nga qeveria “Rama” në Shqipëri në përballimin e kësaj pandemie, Panariti deklaron se të gjithë jemi të gatshëm të kufizojmë lirinë në luftën ndaj pandemisë, por jo demokracinë!

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në një prononcim për “Koha Jonë”, thekson se tipike për këtë mënyrë “brutale” të administrimit të situatës ishte edhe anashkalimi i ligjeve, i parlamentit dhe qeverisja me akte normative dhe dekrete në kapërcim të parashikimeve kushtetuese.

“Sigurisht këtu u spekullua me rrezikun e përhapjes së shpejtë të infeksionit dhe frikën dhe panikun e krijuar nga kjo situatë, për të demonstruar ushtrime force autokratike, shpesh qesharake, pa sens madje edhe të rrezikshme edhe për vetë kontrollin e infeksionit”, shprehet ndër të tjera ish-ministri Edmond Panariti në prononcimin e tij dhënë për “Koha Jonë”.

Prononcimi i plotë i ish-ministrit Edmond Panariti dhënë për “Koha Jonë”

Z. Panariti, si e shikoni situatën e krijuar nga përhapja e koronavirusit në vendin tonë dhe masat e qeverisë për përballimin e krizës së shkaktuar nga pandemia?

Sigurisht që pandemia e shkaktuar nga Koronavirusi, e kapi të papërgatitur njerëzimin! Ndaj këtij infeksioni agresiv, për shkak të njohjes së pamjaftueshme të shkaktarit dhe rrugëve të tij të transmetimit nuk pati një protokoll të qartë të mbrojtjes, parandalimit, zbulimit dhe kurimit të tij. Gjërat ndryshonin në proces mbi bazën e përvojave të kufizuara dhe të dhënave të pa plota dhe provizore.

Gjithsesi në përgjithësi strategjia e kontrollit të COVID ishte ajo e përcaktuar nga OBSH: testim, testim, izolim, karantinim i të prekurve me simptoma dhe pa simptoma dhe distancim social! Por ajo që dalloi regjimet autokrate unitariste nga ato të demokracisë funksionale, ishte mënyra e zgjedhur prej të parëve në kufizimet e lirisë për qytetarët të kërkuara dhe imponuara nga situata. Të parët (Autokratët) përqafuan me shumë zell masat drakoniane të shtetrrethimit absolut, madje edhe me shoë force butaforik të rreshtimit të blindave në rrugë për presion psikologjik dhe frikë ndërkohë që mbetën mjaft prapa krahasuar me vendet e tjera me testimet e popullatës, sigurimet e mjeteve mbrojtëse si maska etj për personelin mjekësor dhe popullatën apo në shtimin e kapaciteteve reanimuese në spitale.

Tipike për këtë mënyrë “brutale” të administrimit të situatës ishte edhe anashkalimi i ligjeve, i parlamentit dhe qeverisja me akte normative dhe dekrete në kapërcim të parashikimeve kushtetuese. Sigurisht këtu u spekullua me rrezikun e përhapjes së shpejtë të infeksionit dhe frikën dhe panikun e krijuar nga kjo situatë, për të demonstruar ushtrime force autokratike, shpesh qesharake, pa sens madje edhe të rrezikshme edhe për vetë kontrollin e infeksionit. I tillë përshembull ishte mbyllja totale e popullit në shtëpi dhe e aktiviteteve në fund javë, për t’i hapur ato të hënën dhe vazhdim, në fasha orari disa orëshe ku dyndeshin në markete në të njëjtën kohë me qindra qytetarë të shëndoshë dhe të infektuar duke e bërë nul dhe zero nga pikëpamja e kontrollit të infeksionit edhe bllokimin e fundjavës..Një administrim i segmentuar dhe i programuar i kufizimit të lëvizjeve do të ishte më i efektshëm për kontrollin e infeksionit dhe më pak stresues dhe i dhimbshëm për njerëzit. Shqipëria të paktën po t’u besohet shifrave zyrtare të të prekurve dhe të vdekurve nga COVID, nuk e justifikonte vendosjen dhe zbatimin e masave drakoniane të kufizimit të lirisë.

Në fakt nën pretekstin e kufizimit të lirisë të imponuar nga situata, po kërkohet të kufizohet demokracia dhe të instalohet mënyra e qeverisjes me masa dhe sanksione të jashtëzakonshme  në vazhdimësi, madje edhe kur situata të mbyllet! Parlamenti është thjesht një zyrë noteriale e qeverisë për të vulosur këtë paketë ndryshimesh të kodit penal me masa ndëshkimi tërësisht jo proporcionale dhe jo kushtetuese. Kjo është shumë e rrezikshme! Kjo është një situatë “sui generis” e pashembullt në rajon dhe më gjerë. Qeverisjet autokrate   po e përdorin pandeminë për abuzim me pushtetin! Është shumë e lehtë, nën pretekstin e pandemisë të shpallesh dhe të vendosësh masa të jashtëzakonshme, por është po aq e vështirë t’i heqësh ato, thotë Douglas Routzen, President i Qendrës Ndërkombëtare për ligj në Ëashington. Autokratët kudo në botë, me pretekstin e pandemisë, po qeverisin me dekrete, po ndryshojnë me shpejtësi ligje dhe rregullore, duke anashkaluar mekanizmat e kontrollit dhe balances së pushteteve për të konsoliduar sundimin e tyre. Të gjithë jemi të gatshëm të kufizojmë lirinë në luftën ndaj pandemisë, por jo demokracinë!

Shqipëria dhe ekonomia e saj ka marrë një goditje shumë të rëndë nga paraliza e prodhimit, tregtisë dhe shërbimeve. Paketat “antikrizë” nuk parashikojnë injektimin e parave grant për mbajtjen në këmbë të biznesit të vogël dhe të mesëm në vështirësi siç po veprojnë BE dhe Amerika, por flasin për mekanizma “surealë” të garancive sovrane për marrje kredish  për pagesa alogjike që askush nuk i justifikon në aktivitetin ekonomik.. Prandaj vëndi do ta ketë shumë më të vështirë përballimin e krizës post koronavirus krahasimisht me vendet e Evropës. Në këtë aspekt treguesi i Përballimit Global të Krizave na vendos në fund të Evropës dhe nga fundi në botë për nga aftësitë për përballjen e pasojave ekonomike nga COVID – 19. Vendi ynë renditet i 95 ndër 130 vende në aftësitë e përballimit të krizës ekonomike pos covid. Treguesi  i Përballimit (GRI – Global Resilience Index) e ka nxjerrë këtë renditje duke krahasuar reagimin fillestar ndaj pandemisë me faktorë të tjerë si stabiliteti politik, qeverisja, rreziqet, zinxhiri i furnizimit, etj,.

SHKARKO APP