Ekskluzive për “KJ”, Spaho: Paketa e Ramës për pandeminë, anemike. Duhet ndërhyrje reale, ndryshe pasojat do jenë të rënda

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho deklaron se Qeveria u kap e pa përgatitur për të përballuar pandeminë, si në pikëpamje  shëndetësore, ashtu edhe ekonomike.

Bisedoi: Herion Mesi

Në një intervistë  për “Koha Jonë”, në cilësinë e ekspertit të shifrave, Spaho thekson se Kryeministri i ka rrënuar financat e vendit dhe është peng i oligarkisë dhe koncensioneve, prandaj, është miratuar një paketë anemike dhe e pamjaftueshme në ndihmë të shëndetësisë, qytetarëve dhe ekonomisë.

Për të mbuluar dështimet dhe shpëtuar veten politikisht, përdor gjuhë agresive, cinike, përbuzëse, panik-ndjellëse ndaj qytetarëve dhe kujtdo që mendon ndryshe nga ai. Kjo, thotë Spaho, shpjegon trajtimin e pandemisë vetëm në Tiranë, kryerjen e testeve në mënyrë të centralizuar, rolin prej “babai të Kombit” që po luan ditën e natën, sikur jetën e paskemi dhuratë dhe na e ka shpëtuar vetëm ai.

Në intervistën e tij për “Koha Jonë”, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho shprehet se ligjet që po nxjerr për të dënuar me 10-15 vite burg, ata që thyejnë karantinën, në një kohë që flet për zbutjen e karantinës javën e ardhshme, shprehin nevojën e Edi Ramës për ta shkelur Kushtetutën sa herë duan tekat e tij, si dhe tregojnë për mentalitet dhe sjellje prej diktatori, dëshirën për të trembur njerëzit e për t’i mbajtur nën thundër.

Intervista e plotë me nënkryetarin e PD-së

Z. Spaho gjatë kësaj situate që krijoi pandemia, opozita ka qenë e drejtpërdrejtë në kritikat e saj për mungesën e transparencës nga ana e qeverisë. Një transparencë jo vetëm sa i përket shifrave ekonomike të demit që mund të ketë shkaktuar “shtetrrethimi”, por edhe të shifrave të numrit real të të infektuarve në vend. Në fakt, si qëndron e vërteta e këtyre të dyjave, sipas informacioneve që ju keni? Si e shikoni planin e qeverisë për përballimin e krizës dhe ndërhyrjet ligjore që ajo po parashikon të bëjë në Kodin Penal?

Qeveria u kap e pa përgatitur për të përballuar pandeminë, si në pikëpamje  shëndetësore, ashtu edhe ekonomike. Në muajin shkurt, Kryeministri fliste për një grip të thjeshtë, megjithëse sëmundja po shpërndahej me shpejtësi në të gjithë Europën. Më pas kaloi në përdorimin e terminologjisë luftarake dhe nxori mjetet e blinduara rrugëve të Tiranës. Në pikëpamje ekonomike nuk ka shumë hapësirë për të vepruar, sepse Kryeministri i ka rrënuar financat e vendit dhe është peng i oligarkisë dhe koncensioneve. Prandaj, është miratuar një paketë anemike dhe e pamjaftueshme në ndihmë të shëndetësisë, qytetarëve dhe ekonomisë.

Për të mbuluar dështimet dhe shpëtuar veten politikisht, përdor gjuhë agresive, cinike, përbuzëse, panik-ndjellëse ndaj qytetarëve dhe kujtdo që mendon ndryshe nga ai. Kjo shpjegon trajtimin e pandemisë vetëm në Tiranë, kryerjen e testeve në mënyrë të centralizuar, rolin prej “babai të Kombit” që po luan ditën e natën, sikur jetën e paskemi dhuratë dhe na e ka shpëtuar vetëm ai.

Ligjet që po nxjerr për të dënuar me 10-15 vite burg, ata që thyejnë karantinën, në një kohë që flet për zbutjen e karantinës javën e ardhshme, shprehin nevojën për ta shkelur Kushtetutën sa herë duan tekat e tij, si dhe tregojnë për mentalitet dhe sjellje prej diktatori, dëshirën për të trembur njerëzit e për t’i mbajtur nën thundër. Sigurisht, ka plot sahanlëpirës, të cilët trumbetojnë që këto ndryshime janë të domosdoshme për të ruajtur gjoja jetët e njerëzve.

Ju si opozitë jeni shprehur për testime masive. Sipas ekspertëve jemi në rënie të kurbës, në opinionin tuaj duhet vazhduar me këtë regjim të deritanishëm?

Testimet masive nuk i ka kërkuar opozita, por janë rekomandim i OBSH-së dhe eksperiencë e të gjitha vendeve, të cilat po arrijnë ta kontrollojnë sëmundjen dhe po hyjnë gradualisht në normalitet. Arsyet se përse ne bëjmë testime me pikatore i di kryeministri, por nuk është vështirë të hamendësosh që në themel të kësaj sjelljeje janë mospërgatitja dhe mospasja e testeve në sasinë e duhur. Këtë e kanë lënë të kuptohet tashmë zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe tenderat me ngut për blerjen e testeve me cmime disa herë më të larta. Nuk jam në gjendje të them se cili duhet të jetë hapi i radhës, përsa i përket karantinës, pasi ajo është ccështje e ekspertëve të shëndetësisë. Ajo që ne i sugjerojmë qytetarëve në lidhje me karantinën, është të dëgjojnë ekspertët dhe të zbatojnë porositë e tyre.

Edhe pse kërkohet një hapje e butë e jetës, si e shikoni ridaljen e shqiptarëve nga karantina?

Rikthimi në normalitet besoj se do jetë i vështirë dhe me kosto të tjera, sidomos në aspektin ekonomik. Pavarësisht cfarë propogandon qeveria, sot degët e turizmit, transportit e biznesit të vogël janë tërësisht të bllokuara dhe pa përkrahje. Fasonët dhe call-centerat po hyjnë në fazën e shkurtimit të punëtorëve. Bujqësia po has vështirësi serioze në shitjen e prodhimeve të stinës dhe mbjelljet e reja. Të pretendosh që kriza ka nxjerrë në rrugë vetëm 50-60 mijë punonjës, në një kohë që një numër të tillë punonjësish ka të paktën vetëm industria e turizmit, do të thotë të fshehësh kokën si struci dhe të përpiqesh të kalosh krizën me shpenzimet e të tjerëve.

Pa humbur kohë duhet të përgatitet dhe zbatohet një paketë ekonomike e cila të ndihmojë realisht dhe jo me fjalë, të gjitha bizneset pa dallim. Nuk ka nevojë të shpikim gjëra të reja. Të bëjmë ato që po bëjnë vendet rrotull nesh, përfshirë Kosovën.

Nëse nuk veprojmë, nesër do të përballemi me rënie të mëtejshme të konsumit, rënie të prodhimit dhe për rrjedhojë, papunësi në rritje.

Në morinë e lajmeve të përditshme që prodhoi këto ditë situata me koronavirusin, Shqipëria mori lajmin e shumëpritur, ku Bashkimi Europian vendosi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në fakt si e shihni këtë vendim të Brukselit, dhe cili do të jetë fati i kushteve të Bundestagut gjerman dhe jo vetëm?

Ishte vendimi më i mirë i mundshëm. Shqipëria do të hyjë në rrugën e reformave dhe demokracisë reale vetëm me një monitorim më të madh dhe të vazhdueshëm nga vendet dhe strukturat drejt të cilave synojmë të bëhemi pjesë. Kushtet e Bundestagut, si dhe të tjera që u shtuan do të duhet të plotësohen, nëse duam që vërtet të hapen negociatat. Përsa na takon ne si opozitë, po japim të gjithë kontributin që reforma zgjedhore të përfundojë, dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Dhe një pyetje të fundit lidhur me situatën në Kosovë, ku edhe pse është përfshirë nga pandemia, vendi tashmë duket se ka mbetur pa qeverisje. Çdo të thotë kjo për Kosovën?

Është për të ardhur keq që Kosova është përfshirë në krizë politike në kushtet e pandemisë të koronavirusit. Uroj që klasa politike kosovare të gjejë zgjidhjen më të mirë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

SHKARKO APP