Ekskluzive/Ristani: Rama puç për pushtet. Do e lejojmë? S’luhet me zgjedhjet dhe çfarë i duhet PD-së
Ish-sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani: Vitet e drejtimit nga Rilindja e kanë larguar Shqipërinë nga ëndërra europiane. PD-ja në kohën që drejtonte vendin, kishte vetëm tre kushte
Intervistoi: Redjon Shtylla
Situata politike për Kodin Zgjedhor, nuk është në ujërat më të qetë. Opozita politike i kërkoi Kuvendit që të votojë sa më parë pa vonesa ndryshimet e votuara nga Këshilli Politik por në seancën e së enjtes në Kuvend, kryeministri Edi Rama foli ndryshe. Në një bashkëbisedim me ish-sekretarin e PD-së, Arben Ristani, ky i fundit thotë se marrëveshja e arritur bëri diçka në këtë drejtim, duke futur në ligj identifikimin biometrik të zgjedhësve, apo duke mos lejuar Ramën që të kap komisionet zgjedhore, por nga ana tjetër, ai nënvizon se “sigurisht që kjo nuk është e plotë dhe e mjaftueshme për garancitë që kërkon procesi”. Në intervistën për “Koha Jonë”, ai thotë se kreu i qeverisë, Edi Rama nuk e ka luksin që të prishë marrëveshjen, por për të ai vetëm po përpelitet përpara përballjes me zemërimin popullor të shkaktuar nga keqqeverisja.
Si e gjykoni që një nga 15 kushtet e BE-së që është Reforma Zgjedhore, nuk po ecën siç duhet. Mund të kemi një sabotim, pasi Edi Rama tha të enjten në parlament se do t’i qëndrojë marrëveshjes, por si me dinakëri nxori opozitën parlamentare sikur po kundërshton. Si e shihni edhe që PS-ja del kundër listave të hapura?
Unë jam i parimit se e keqja nuk na ka ardhur kurrë se kemi pasur ligje të këqinj. Përkundrazi, ligjet tona të post komunizmit, kanë marrë shumë nga ligje të përparuara dhe të kolauduara ndërkombëtare. Në këtë kontekst, e keqja jonë qëndron tek zbatimi, tek vullneti i mbrapshtë për të manipuluar procesin zgjedhor dhe për të kondicionuar rezultatin duke blerë votën, duke vënë në presion administratën shtetërore dhe votuesin apo duke ndikuar me anë të ndarjes territoriale etj.
Reformat duhen pikërisht për të penguar sa mundet vullnetin e mbrapshtë. Marrëveshja e arritur bëri diçka në këtë drejtim, duke futur në ligj identifikimin biometrik të zgjedhësve, apo duke mos lejuar Ramën që të kap komisionet zgjedhore, por sigurisht që kjo nuk është e plotë dhe e mjaftueshme për garancitë që kërkon procesi.
Mendoj se Rama nuk e ka luksin që të prishë marrëveshjen, por vetëm po përpelitet përpara përballjes me zemërimin popullor të shkaktuar nga keqqeverisja. Përsa i përket sistemit zgjedhor që duhet përdorur dhe që mund të jetë më i mirë për Shqipërinë, përgjigja është shumë komplekse sepse duhet studiuar mirë, pasi ka një mori faktorësh që duhen debatuar, para se të vendoset. Për këtë arsye, nuk mund të kemi një produkt të mirë, pa një diskutim të plotë dhe gjithpërfshirës.
Ka rrezik që zgjedhjet që janë vendosur në 15 prill- 15 maj 2021, të shtyhen? Për koalicionet parazgjedhore, sa mundësi ka që kryeministri Edi Rama me opozitën parlamentare të bëjnë një puç kushtetues dhe t’i pengojnë ato?
Periudha zgjedhore dhe jetëgjatësia e parlamentit janë përcaktime të rregulluara me kushtetutë dhe ligj. Po ashtu janë të parashikuara dhe rastet përjashtimore se kur dhe si mund të shtyhen zgjedhjet. Përgjigja ime është jo, Rama nuk do ketë mundësi të luajë me datën e zgjedhjeve. Ju pyesni a bën dot puç Rama? Kryeministri Edi Rama bën çdo gjë për të ruajtur pushtetin. Çështja është a do ta lejojmë ne të na shkatërrojë demokracinë dhe të na marrë jetën? Sigurisht jo, me çdo kusht dhe me çdo mjet të ligjshëm.
Prej disa javësh PD-ja ka nisur fushatën, ku kandidatët për deputetë do të përzgjidhen nga anëtarësia dhe në 4 faza. Nga ana tjetër, Basha flet për faktorin e ri por nuk ka mohuar as rikthimin e figurave të vjetra të politikës që ku të gjithë në PD, thonë se është shumë e rëndësishme. Keni marrë ju një ftesë për të qenë pjesë e ekipit për zgjedhjet e ardhshme?
Zbatimi i statutit të partisë, vendimmarja kolegjale, demokracia e brendshme e partisë në veprim, janë jo vetëm kusht për mënyrën e veprimit nesër në administrimin e pushtetit, por edhe shembull për partitë e tjera dhe për funksionimin e jetës demokratike në Shqipëri. Vlerësimi, dhënia vlerë pra e çdo kontributi, apo investimi intelektual që demokratët kanë bërë në vite, është kusht për fitoren e PD-së. Ndërthurja e eksperiencës me vrullin rinor është ajo që i duhet PD-së. Personalisht, nuk bëhet fjalë për ftesë formale, ndërkohë që unë jam pjesë e kryesisë së partisë dhe kryetar i komisionit të apelimit në parti.
Parlamenti Europian miratoi më 20 qershor rezolutën për Ballkani Perëndimor, ku për Shqipërinë thuhet se duhet të përmbushë 15 kushtet e BE-së para konferencës së parë ndërqeveritare. Trysnia e Bundestagut solli shtimin e kushteve, ndërsa u kërkua për herë të parë edhe ndëshkimi i krimeve zgjedhore. A vëreni një presion të shtuar ndërkombëtar mbi qevrinë?
Vitet e drejtimit të Shqipërisë nga Rilindja si sekt banditesk, e kanë larguar Shqipërinë nga ëndërra europiane. PD-ja në kohën që drejtonte vendin, kishte vetëm tre kushte për hapjen e negociatave. Tre kushte lehtësisht të realizueshme të cilat Rama në opozitë i pengoi për tu përmbushur dhe Edi Rama në pushtet i bëri plot 15 të tilla. Është detyrë e shqiptarëve, tashmë që të heqin qafe Ramën dhe banditët e tij, për to hapur rrugë zhvillimit dhe realizimit të ëndrrës europiane. Është e dukshme se edhe në raport me ndërkombëtarët, Ramës i ka sosur vaji i kandilit dhe është kuptuar mashtrimi. Partnerët ndërkombëtarë janë me Shqipërinë dhe shqiptarët dhe jo me bandën, me të korruptuarit, me trafikantët e të gjitha llojeve. Presioni do shtohet çdo ditë nga brenda dhe nga jashtë. Të gjithë ne do ja dalim mbi të keqen.