Ekskluzive/Xhixho: Zgjatja e fatkeqësisë natyrore, jo rrugë për burgosje. Rama do diktaturë

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho: Shqetësim mbetet mosbërja e testimeve për gjithë popullatën, që do të na jepte një panoramë më të saktë të zhvillimit të pandemisë

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Kjo nuk është luftë por sfidë dhe është padyshim shfrytëzim i situatës për të realizuar ëndrrën e kryeministrit për dhunimin e demokracisë dhe instalimin e një diktature me adhurimin e udhëheqësit e shpëtimtarit të kombit”. Këtë situatë lexon nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, e cila në një intervistë për “Koha Jonë”, thotë se zgjatja me dy muaj e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, është e pa argumentuar ligjërisht dhe e panevojshme për realitetin në të cilin ndodhemi. Për ndryshimet e Kodit Penal, ish-deputetja e LSI-së, pohon se ti tregosh burgun qytetarëve në këtë periudhë të vështirë duke i terrorizuar, cënuar në mënyrë flagrante të drejtat e tyre, ndaj dhe thirrjet për mbrojtje dhe protesta nuk mungojnë.

Shqipëria ndodhet poshtë Bosnjës dhe Kosovës në raportin për lirinë e medias. Indeksi universal i lirisë së medias e rendit Shqipërinë në vendin e 84. Kosova ndodhet në vend të 70 dhe Bosnja në vend të 58. Si e shpjegoni që vendet që janë më të avancuara në Integrimin në BE kanë më pak liri të mediave?

Është për të ardhur keq që një nga liritë kryesore të botës demokratike që pretendojmë se po ndërtojmë çdo ditë, siç është liria e medias të ketë ketë renditje që çdo vit shkon drejt përkeqësimit. Që me fillimin e procesit të negocimit e me monitorim më të madh të Bashkimit Europian ndaj vendit tonë, të kemi një përmirësim të këtyre treguesve e padyshim të jemi të sinqertë kjo nuk do mund të ndodhi për sa kohë të kemi këtë maxhorancë e këtë kryeministër që ka një qasje agresive e patronazhi ndaj medias, duke arritur deri aty sa krijoi një ERTV për arsye totalisht propagandë dhe në iniciativën e fundit të paketës Antishpifje si prova e qëllimit të kësaj maxhorance për të kontrolluar median e manipuluar nëpërmjet saj opinion publik. Pas kundërshtimit të paketës Antishpifje nga Komisioni i Venecias, qeveria u tërhoq përkohësisht por qëllimi mbetet ndaj dhe rezistenca duhet të jetë vigjilentë për mos lejuar kalimin e asaj pakete që do të ishte një kthim pas për lirinë e medias apo më keq akoma një vdekje e mendimit kritik në Shqipëri.

Komisioni i Ligjeve miratoi zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor 2020. E shihni si nevojë për të mbajtur shtetrrethimin?

Sipas nenit 174 të Kushtetutës e cila sanksionon se “1-Për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit. Zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore mund të bëhet vetëm me pëlqimin e Kuvendit”. Të gjithë prisnim rikthimin në normalitet padyshim duke vazhduar me  zbatimin e rregullave të distancimit social dhe higjenës, gjithashtu dhe të rivendosjen në vend të të gjithë të drejtave dhe lirive të qytetarëve që gjatë kohës së pandemisë u kufizuan edhe në shumë raste në tejkalim të gjendjes së krijuar duke shkelur në shumë raste këto të drejta.

Kjo zgjatje me dy muaj është në shkelje të kushtetutës, e pa argumentuar ligjërisht dhe e panevojshme për realitetin në të cilin ndodhemi. Kemi vetëm 32 të shtruar në spital dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për rregullat e distancimit social ka funksionuar, pasi në 99% të rasteve ata i kanë respektuar këto rregulla. Shqetësim mbetet padyshim mosbërja e testimeve për gjithë popullatën nga ana e qeverisë që do të na jepte një panoramë më të saktë të zhvillimit të pandemisë në vend e do mund të lokalizonim e izolonim të infektuarit dhe jeta të vazhdonte për ata që nuk janë prekur.

Ne të gjithë kemi nevojë ti rikthemi normalitetit e sidomos ekonomia shqiptare që do vuajë për disa kohë këtë bllokim kaq radikal e me masa të pamjaftueshme për ta lehtësuar sadopak atë. Padyshim që rregullat e distancimit social siç parashikon dhe OBSH-ja, do i kemi pjesë të një mënyrë të re jetese derisa të zbulohet vaksina ndaj Covid-19.

Qeveria forcoi Kodin Penal që çon në burg shkelësit e rregullave. Si i shikoni këto masa lehtësime të qeverisë, është sinjal që Shqipëria e ka fituar betejën me Covid-19 dhe janë të nevojshme kaq masa drastike? Cënon ky vendim dokumentin e fundit të Këshillit të Europës?

Dokumenti i fundit zyrtar i Këshillit të Europës për menaxhimin e pandemisë nga Shqipëria është tejet i rëndësishëm në adresimin e një shqetësimi shumë të madh përsa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe shtetit të së drejtës, gjatë kohës së pandemisë. Ky dokument vuri theksin që kufizimi i të drejtave të lirive të qyetarëve duhet bërë veten me ligj, si kundër ne e kemi të parashikuar në Kushtetutë në nenin 17 ku sanksionon qartë që “kufizmin i të drejtave të bëhet me ligj dhe në përpjestim me gjendjen që e ka diktuar atë”.

Gjithashtu kufizimet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, standartet ndërkombëtare dhe të gjykohen nga Gjykata Kushtetuese. Edhe në situatë emergjence duhet të mbizotërojë Shteti i së drejtës, thotë KE-ja pasi vlerat e Europës janë Demokracia, Shteti i së drejtës dhe të drejtat e Njeriut. KE-ja rekomandon se duhen shmangur marrja e masave penale ndaj qytetarëve. Ndërkohë tek ne u ndryshua Kodi Penal pa asnjë analizë të situatës, pa përfshirjen e mendimit të ekspertëve të së drejtës penale, konstitucionalise dhe as u bë e mundur pasja e një debati të gjerë me shoqërinë civile pasi ato ndryshime cënojnë të drejtat e njeriut dhe janë në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit.

Ti tregosh burgun qytetarëve në këtë periudhë të vështirë duke i terrorizuar, cënuar në mënyrë flagrante të drejtat e tyre e kjo pa e raportuar dhe arsyetuar në Këshillin e Europës ku ne aderojmë që prej vitit 1995, do të thotë të abuzosh me pushtetin e kur mbi të gjitha kjo ndodh në kushtet e pandemisë, nuk i shërben aspak menaxhimit të përgjegjshëm e human të situatës. Fatkeqësi mbetet gjithashtu tërheqja nga Konventa Europiane e Drejtave të njeriut si paaftësi e kësaj qeverie për të garantuar të drejtat e njeriut në kohë pandemie. Duke mos mundur të zbatojë parimin e proporcionalitetit, pra që limitimi i të drejtave dhe lirive të jetë në proporcion me gjendjen faktike në të cilën ndodhet vendit. Kjo tërheqje nuk duhet të lejojë nga asnjëri nga ne që të legjitimojë shkeljen e të drejtave tona, ndaj duhet të jemi vigjilent dhe të kujdeshëm për të kërkuar që ato të respektohen.

Kryeministri Edi Rama flet për luftë, ushtri dhe humbje jetësh imagjinare. Këto ditë kemi parë sesi po protestohet në vende demokratike duke zbatuar edhe distancën fizike. Etiketimet për kreun e qeverisë si diktator nuk kanë munguar këto kohë. Shumë qytetarë pyesin, çfarë mund apo duhet bërë në këto kushte?

Kjo nuk është luftë por sfidë dhe përdorimi në mënyrë propagandistike i termit luftë për të justifikuar veprimet arbitrare, cenimit të drejtave të njeriut në tekalim të gjendjes së diktuar apo dhe abuzimet me tendera të denoncuar me të drejtë është një papërgjegjshmëri në kufijtë e absurdit e padyshim shfrytëzim i situatës për të realizuar ëndrrën e kryeministrit për dhunimin e demokracisë dhe instalimin e një diktature me adhurimin e udhëheqësit e shpëtimtarit të kombit.

Kjo pandemi solli dhe cënim të shtetit të së drejtës me aktet normative antikushtetuese që dhe vet Këshilli i Europës e shpreh si shqetësim funksionimin e demokracisë, e të drejtave njerit e shtetit të së drejtës në këto kohë. Nuk duhet kurrsesi që në fund të pandemisë ne të mos kemi më demokraci në vendin tone e as shtet të së drejtës.

Tashmë që rreziku më i madh ka kaluar por përsëri dhe dalja nga izolimi duhet të vazhdojë me kujdes sipas rregullave ne duhet mos harrojmë e të mos lejojmë në asnjë moment dhe rrethanë të drejtat tona kushtetuese, protestat e të gjitha formave si pjesë e zhvillimit të demokracisë.

Kjo pandemi nuk duhet e nuk mund të shuhaj apo stigmatizoj zërat kritik të njerëzve të lirë apo dhe medias pasi ato i shërbejnë monitorimit të menaxhimit sa më efikas të kësaj situate. Ne do duhet të mësohemi me një mënyrë jetese të re po kjo duke vazhduar me mbrojtjen e demokracisë, shtetit që funksionon mbi bazën e ligjeve e jo statuseve në facebook, e mbi të gjitha në respektimin e te drejtave tona kushtetuese.

Në mesin e pandemisë, nga Europa erdhi pak ditë më parë njëlajm i mirë. Vendi siguroi pak javë më parë hapjen e negociatave, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipërisë juvendosën një sërë kushtesh nga Brukseli. Pse ndodhi kjo sipas jush?

Kjo “Po” nuk erdhi pa kushte sikundër ishte vendimi për Maqedoninë e Veriut. Kjo pasi qeveria shqiptare nuk kishte plotsuar  9 kushtet e Bundestagut Gjerman të vëna vitin e shkuar. Ndërkohë që hapja në parim e negociatave u shoqërua me shtesë të kushteve dhe jo pak por tashmë kemi plot 15 kushte që duhet të plotësohen nga qeveria shqiptare në mënyrë që të fillohet konkretisht me hapjen e kapitujve që do negociohen.

Plotësimi i ketyre kushteve do të jetë në një monitorim të rreptë nga Komisioni Europian. Pra nga 9 kushtet e Bundestagut Gjerman që kishim vjet, këtë vit sërisht kushtet nuk plotësohen por ato shtohen në 15. Të mos harrojmë që në 2016 kur për herë të parë Komisioni rekomandoi hapjen e negociatave kishim vetëm 5 kushte.

Padyshim ishte një PO për shqiptarët dhe që Bashkimi Europian është në krah të qytetarëve shqiptar në ëndrrën e tyre europiane dhe nga ana tjetër kushte të shtuara për t’u plotësuar për qeverinë. Prandaj pa përfundimin e reformës zgjedhere, pa sistem drejtësie të pavarur dhe funksional që fillon me ngritjen e funksionimin sipas Kushtetutës së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pa luftuar krimin e korrupsionin në të gjitha nivelet padyshim që nuk mund të kemi fillim të proçesit të negocimit i cili mbeti sërish pa datë. Prandaj kërkohet të lexohet me maturi e përgjegjshmëri ky dokument e sa më parë të fillohet me plotësimin e tyre.

SHKARKO APP