Elona Guri: LSI i është kthyer në makthin më të madh të Edi Ramës

Drejtuesja politike e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Durrësin, Elona Guri, përmes një reagimi në rrjetet sociale deklaron se sulmet e Edi Ramës ndaj LSI tregojnë frikën e tij për humbjen e zgjedhjeve. “LSI i është kthyer në makthin e tij më të madh, që i del në ëndërr, e lë pa gjumë. Ai e kupton shumë mirë që nga vota e shqiptarëve në 25 prill nuk e shpëtojnë dot as oligarkët, as bandat, as milionat e koncensioneve, as kërcënimet me vendin e punës apo me ndërprerjen e përkrahjes sociale”,- shprehet Elona Guri.

Reagimi i plotë i Elona Gurit në Facebook:

“Edhe sot nuk e ndali logorenë e tij, si një llaxore e keqe lagjeje, duke sulmuar LSI.

LSI i është kthyer në makthin e tij më të madh, që i del në ëndërr, e lë pa gjumë.

Ai e kupton shumë mirë që nga vota e shqiptarëve në 25 prill nuk e shpëtojnë dot as oligarkët, as bandat, as milionat e koncensioneve, as kërcënimet me vendin e punës apo me ndërprerjen e përkrahjes sociale.

I rrudhur, i mplakur, i deformuar në fytyrë, Edi Rama e tregon qartë sikletin e tij të pas 25 prillit, ku do t’i duhet të japë llogari për të gjitha zullumet e bëra në kurriz të shqiptarëve që nga tradhtia kombëtare, vjedhjet me koncensionet kriminale, fshehjen e viktimave nga Covidi e deri ne lënien e qytetarëve vetëm përballë së keqes.

I tromaksur, i frikësuar, i ligështuar nga Aleanca e Madhe e Opozites së Bashkuar, Edi Rama çirret, shpif dhe kërcënon për të mbajtur me gajret “rilindasit” e tij të kapur nga tmerri i votës së lirë të shqiptarëve.

Ditët e tua po mbarojnë, ora e shqiptarëve të lirë po vjen. 25 prilli do të jetë fundi i makthit tënd dhe dita e ndryshimit për Shqipërinë. Më pas makthe edhe më të këqija të presin.

Kurseje veten se do kesh shumë për të folur, por kësaj radhe para Drejtësisë”, shprehet Elona Guri.

SHKARKO APP