”Emerald Azzurra”, kroçera luksoze me 83 turistë në Portin e Durrësit. Rama: Shqipëria destinacion për përjetime autentike

Porti i Durrësit vijon të jetë një nga destinacionet e përzgjedhur nga kroçerat dhe anijet turistike. Këtë të hënë, për herë të parë kroçera luksoze australiane ”Emerald Azzurra” ndaloi në Durrës.

Kryeministri Edi Rama teksa ka postuar fotot, shkruan se ”83 turistë nga e gjithë bota zbritën në bregun tonë për të zbuluar historinë e Durrësit dhe magjinë e Krujës, teksa ky superjaht 110 metra i gjatë do të vazhdojë më pas drejt brigjeve italiane”.

Po ashtu Rama u shpreh se ardhja e kësaj kroçere është një tjetër dëshmi se Shqipëria nuk është më një sekret në Mesdhe, por një destinacion i dëshiruar për ata që kërkojnë shije, histori dhe përjetime autentike.

Mjeti lundrues i gjatë 110 metra, është një superjaht modern i ndërtuar në vitin 2022, me pronësi australiane. Turistët vizituan qytetin bregdetar të Durrësit, si dhe qendrën historike të Krujës, duke u njohur nga afër me trashëgiminë kulturore dhe atraksionet turistike të zonës.

SHKARKO APP