”Erdhi një person i panjohur”, dëshmitë e vartësve të Ervin Muçës: Drejtori foli me tone…

Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjet në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.

Pjesë nga dokumentari:

Faktin që Klodian Mazari la zyrën e tij pranë AKSHI-t dhe u mor me ekstraktimin e të dhënave në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, e pranojnë edhe specialistë të këtij sektori si edhe vetë Drejtori i Drejtorisë së Sistemeve. Në këtë rast eprori direkt i Ardit Muço, shefit të dorëhequr të sektorit të IT-së, i cili gjatë orëve të pasdites të datës 2 gusht e kishte parë Klodian Mazarin në ambientet e oborrit të Drejtorisë. Por ai thotë se nuk i kishte dhënë rëndësi qenies së tij aty, pasi kishte pak njohje me të. Edhe pse Klodian Mazari, ishte aty pikërisht për të ndërhyrë në sistemin e të dhënave, ku drejtor në Drejtorinë e Sistemeve, ishte vetë Besjon Tanuzi. Ndërkohë që një tjetër punonjës ka treguar edhe rrethanat se si Klodian Mazari, u thirr në zyrë nga drejtori i madh, Ervin Muça, për t’i dhënë një dorë në kryerjen e back up-it të të dhënave.

“Më datë 2 gusht 2023, rreth orës 18.00 në zyrën tonë erdhi një person i panjohur për mua, por që ishte njohje e drejtorit, ku mesa duket ishte specialist i IT. Ai u ul në kompjuterin e specialistes tjetër dhe bashkë me drejtorin, dhe specialisten A. V filluan të kryenin back up-in. Në orën 19.00 unë u largova nga zyra dhe lashë aty tre specialistët, si edhe personin e panjohur për mua. Ndërsa drejtori ishte larguar disi më herët”, mësohet të ketë thënë specialistja E.H.

Zyrtarja shpjegoi më tej se back up-et e sistemeve bëhen në mënyrë automatike dhe në mënyrë periodike dhe pas përfundimit të procesit, po në mënyrë automatike vjen një email në adresën e personit të autorizuar, në këtë rast shefit të Sektorit. Vetë punonjësi E. H, pranoi për grupin hetues se drejtori i madh, në këtë rast Ervin Muça, u kishte ushtruar presion atyre, që të kryenin veprime të kundraligjshme. Dhe këtë e kishte bërë hapur në sy të të gjithë specialistëve të sektorit që mbulon teknologjinë dhe informacionin. Madje në një moment ai e ka çuar gjuhën edhe më tej, në kërcënime më të rënda, duke u kujtuar specialistëve se nëse nuk zbatonin urdhrin e tij, ata do shkonin të gjithë 200 metra më poshtë. Pra në Prokurori, duke pasur parasysh se godina e serverit të Policisë së Shtetit, ku ruhen të dhëna, është jo më shumë se 200 metra nga godina e institucionit të akuzës.

“Në një moment drejtori filloi të flasë me tone të ashpra, kërcënuese. Ai na kujtoi se nëse nuk zbatonim urdhrin e tij, do të shkonim 200 metra më poshtë, duke nënkuptuar Prokurorinë e Tiranës”, ka dëshmuar E.H.

Të gjitha këto dëshmi që provonin se drejtori Ervin Muça, kishte kryer një operacion që kishte si qëllim eksportimin e të dhënave jashtë serverit zyrtar të policisë, u pohuan edhe nga vetë shefi i sektorit të Teknologjisë dhe Informacionit. Ardit Muço i cili ishte në konflikt të hapur me drejtorin Ervin Muça, që nga momenti që ky i fundit u emërua drejtor i këtij departamenti të rëndësishëm në Policinë e Shtetit, në muajin qershor të vitit 2023.

“Unë punoj prej 12 vitesh në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit. Ku së fundmi kam mbuluar edhe detyrën e shefit të sektorit të Serverave. Pozicion nga ku më datë 1 Gusht 2023, i kam paraqitur dorëheqjen Drejtorit të Përgjithshëm. Në lidhje me një email që unë kam dërguar në adresën e punës, më duhet të informoj se në atë komunikim unë tërheq vëmendjen për eksportimin e të dhënave dhe rrezikun e publikimit të tyre. Kjo edhe në bazë të shqetësimit që më kanë referuar vartësit e mi, të cilëve drejtori Ervin Muça, u ka kërkuar një kopje të bazës së të dhënave të sistemit TIMS”, thotë Muço.

Ai tha më tej për grupin hetues se më datë 2 Gusht 2023, pasi u njoh me shqetësimin e vartësve të tij, të cilët ishin vënë në presion nga drejtori Ervin Muça, për të kryer medoemos eksportin e të dhënave, ai u kishte sugjeruar kolegëve që ta refuzonin kategorikisht një urdhër të tillë. Madje duke u sugjeruar që të mos i jepnin asnjë fjalëkalim, drejtorit Ervin Muça, apo personave të tjerë që do të autorizoheshin prej tij. Por sipas tij, drejtori Ervin Muça, nuk ishte mjaftuar me kaq, por e kishte marrë edhe në telefon.

“Po atë ditë, më datë 2 Gusht 2023, rreth orëve të pasdites, drejtori Ervin Muça më mori në telefon, ku më kërkoi që t’i jepja fjalëkalimet e serverave të bazës së të dhënave të sistemit TIMS. Por unë i kujtova procedurën standarde të punës si dhe rregulloren e Policisë së Shtetit. Ku i thashë se fjalëkalimet mundësohen vetëm ditën që bëhet edhe dorëzimi i detyrës. Dhe kjo në Sekretari, dhe jo nëpërmjet telefonit sikundër kërkonte drejtori Ervin Muça”, thuhet në dëshminë e Muços.

SHKARKO APP