Erion Braçe e pranon: Njerëzit po ikin sepse…
Fillimisht kjo mazhorancë tha publikisht se shqiptarët po ikin për shkak se janë keqpërdorur nga grupe kriminale.
Më vonë u tha se po ikin për shkak të një keqkuptimi me një njoftim të një zyrtari gjerman.
Kur eksodi nuk u ndal, u tha se shifrat e gjermanëve janë të gabuara apo edhe që shqiptarët po largohen nga Greqia drejt Gjermanisë.
Por të paktën një zyrtar socialist duket relatavisht i qartë se përse po ikin shqiptarët.
Deputeti socialist Erion Braçe thotë se shqiptarët po ikin pasi nuk janë pjesë e programeve të punësimit.
“Njerëzit që po ikin nuk janë ende pjesë e programeve tona të punësimit, përfitimeve prej saj, shpesh nuk përfshihen fare në programet tona të ndihmës sociale, programe që nuk janë ende aq efektive sa t’i gjenden pranë çdo familjeje në nevojë, në pamundësi ekonomik apo fizike, siç është rasti i personave me aftësi të kufizuar”, tha ai për GSH.
“Dhe shqiptarët nuk po ikin vetëm sot. Për 8 vite me radhë, 55 deri në 73 mijë shqiptarë kanë ikur çdo vit”.