Erisa Xhixho: Vendi është gjunjëzuar ekonomikisht, qeveria na zhyti në borxhe

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, njëherësh edhe kandidate për deputete si pjesë e listës së qarkut Tiranë, ka analizuar situatën ekonomike në vend, ku thotë se jemi të gjunjëzuar ekonomikisht dhe se hedh akuza që qeveria ”Rama 2”, ka bërë që shqiptarët të futen në borxhe. ”Sipas INSTAT, pandemia nxori mbi 43 400 të papunë gjatë vitit të kaluar, pasi numri i të punësuarve zbriti në 1,23 milionë nga 1.27 milionë që ishte në 2019-ën. Kriza e Covid-19 rriti në 11.8% shkallën e papunësisë, duke thelluar papunësinë edhe mes të rinjve, në nivelin 21.7%. Shifrat flasin për rënie të madhe të punësimit jo vetëm në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë, por edhe në sektorin e industrisë dhe bujqësisë. Sipas INSTAT në fund të 2020 u regjistruan si të papunë 165.4 mijë individë në të gjithë vendin”,-shkruan Xhixho.

Shkrimi i plotë nga Erisa Xhixho

Kur ka kaluar tashmë më shumë se një vit nga nisja e pandemisë, vendi është gjunjëzuar ekonomikisht.
Qeveria që na zhyti në borxhe, që duhet t’i paguajnë për vite edhe fëmijët tanë, që na futi duart në xhepa me zhvatjen në dhjetëra koncesione korruptive për të favorizuar klientët, na la pa asnjë përkrahje dhe ndihmë konkrete, të vetëm për ta përballuar situatën e rëndë të pandemisë. Pandemia i dha ekonomisë shqiptare, prej vitesh të keqtrajtuar, grushtin e fundit. Politikat ekonomike të qeverisë janë prej vitesh jo efikase për të mos thënë që një strategji ekonomike në shërbim të mirëqenies së popullit nuk ekziston fare në fakt. Menaxhimi tepër i keq i këtij sektori nga qeveria në pushtet e la vendin plotësisht të pafuqishëm për t’u përballur me pasojat e pandemisë.

Përtej videove të bukura plot ngjyra të kryeministrit dhe propagandës qeveritare, fakt është që papunësia ka shënuar rritje të madhe, bizneset janë mbyllur e të tjera janë në prag falimentimi. Fakt është që listat e borxheve në dyqanet e lagjeve janë bërë varg, e shumë familje nuk dihet se kur do çlirohen prej tyre. Fakt është që sot qindra mijëra familje nuk po dinë më se si mund të arrijnë edhe vetëm me bukë në fund të muajit, pa llogaritur faturat, ilaçet, energjinë, e ca më keq borxhet ku i zhyti kovidi.

Le të flasim me shifra. Sipas INSTAT, pandemia nxori mbi 43 400 të papunë gjatë vitit të kaluar, pasi numri i të punësuarve zbriti në 1,23 milionë nga 1.27 milionë që ishte në 2019-ën. Kriza e Covid-19 rriti në 11.8% shkallën e papunësisë, duke thelluar papunësinë edhe mes të rinjve, në nivelin 21.7%. Shifrat flasin për rënie të madhe të punësimit jo vetëm në sektorin e shërbimeve dhe tregtisë, por edhe në sektorin e industrisë dhe bujqësisë. Po sipas INSTAT në fund të 2020 u regjistruan si të papunë 165.4 mijë individë në të gjithë vendin.

Po çfarë ndodhi me bizneset? Me gjithë politikën e pagave të luftës, propaganda e madhe qeveritare e kohës së izolimit, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti 26 % e bizneseve në vend kanë kaluar në status pasiv, tregues i dhimbshëm i realitetit me të cilin po përballet ekonomia. Raporti i fundit tregon se në periudhën janar-shkurt kanë kaluar në status pasiv 2200 biznese, 934 prej të cilëve vetëm në Tiranë. Falimentim masiv pati në shumë ndërmarrje të tjera të vogla, në pamundësi të likuiditetit dhe rënie të konsumit.

Tregtia me pakicë ka qenë ndër aktivitetet më të goditura, me 23,5 % vetëm shërbimi ushqimor. Ndërmarrjet e mbyllura janë kryesisht ndërmarrje të vogla, ku ndërmarrjet vetëm me një të punësuar zënë 75 % të totalit të ndërmarrjeve të mbyllura. Sipas të dhënat e përpunuara nga lista e subjekteve pasive, të cilën Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e përditëson çdo ditë duket se në janar-shkurt të këtij viti bizneset e kaluar në status pasiv ishin rreth 2,200, me një rritje prej 26% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ku është ndihma publike!? Ku është mbështetja e shtetit për bizneset e mesme dhe të vogla në këtë periudhë krize të thellë!? Ku janë ndihmat ekonomike për personat dhe për familjet në nevojë, të cilat rriten përditë në numër!? Ndërkohë që ndihma ishte me pikatore dhe jo për të gjithë, 100 milionë euro llogaritet shuma që buxheti i shtetit ka paguar për koncesionet në shëndetësi, që nga viti 2015, kur filloi për herë të parë zbatimi i kontratave të Partneritetit Publik-Privat, deri në maj të vitit 2020.

Bizneset e vogla u gjendën vetëm përballë krizës. Ata thonë se nuk i subvencionon kush për orarin e shkurtuar, masat shtesë të marra në kushte pandemie, uljen e xhiros ditore nisur edhe nga ulja e konsumit të popullsisë.
Të detyruar, shumë syresh kanë shkurtuar forcën punëtore ose kanë ulur qepenat. Kush përgjigjet për këtë? Po për ato qindra familje që dolën pa rroga në kulmin e një krizë të paprecedentë? Cila qeveri e majtë i lë shtresat në nevojë në pikë të hallit? Asnjë, përveç një qeverie të papërgjegjshme si kjo jona, që nuk mendon për njerëzit, por si të sigurojë veten dhe një grusht klientësh të vet.

Të dashur qytetarë! Ju do gjykoni, ju do vlerësoni me votë. Besoni në forcën tuaj! Ndryshimin e bëni ju, duke zgjedhur qeverinë që ju ka juve në qendër të prioriteteve, shëndetin, mirëqenien, sigurinë tuaj dhe të fëmijëve tuaj, një qeveri që i trajton qytetarët me të njëjtat standarde, që nuk le askënd në mëshirë të fatit!

SHKARKO APP