Esmeralda Hoxha: Besoj tek plani i LSI-së për arsimin dhe fuqizimin e gruas, Poliçani nuk i do kandidatët si “turistë”

Kandidatja për deputete e LSI-së, pjesë e listës së qarkut Berat: Një nga plagët kryesore të çdo familje është papunësia, e cila ka ardhur si pasojë e mbylljes së shumë sektorëve ekonomik

Intervistoi: Redjon Shtylla

Një mësuese që edukon dhe ka mësuar breza të tërë, ka marrë një tjetër sfidë. Esmeralda Hoxha prej vitesh pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, tani kërkon votën e qytetarëve të Poliçanit për të qenë edhe pjesë e Parlamentit, aty ku kërkon të jap kontributin e saj pas një përvoje në pushtetin lokal. E prezantuar pak ditë më parë nga kryetarja Monika Kryemadhi si pjesë e listës së qarkut Berat e renditur në vendin e 8-të, dhe në një intervistë për “Koha Jonë”, Hoxha tregon më shumë për këtë vendim. “Zgjodha LSI-në si alternativën më të mirë politike dhe me programin më konkret, dhe më pranë qytetarëve”. Si mësuese ku arsimi është fusha e saj, e pyetur për programin e LSI-së, ajo thotë se “LSI-ja e gjen zgjidhjen tek një arsim cilësor, jo me fjalë, por me rritje dyfish të pagave për mësuesit, që për ne është shumë e rëndësishme që mësuesit të jenë edukatorë të brezit të ri dhe të ndihen të motivuar në punën e tyre. Një arsim cilësor që shpenzimet e studentëve të cilat ne synojmë t’i përgjysmojmë, të jenë të përballueshme jo vetëm për studentët shqiptar, por edhe për familjet e tyre. Një pikë e fortë e këtij programi është dhe programi “Mëso dhe fito” i cili është një nga programet më të përkrahura sot nga rinia shqiptare. Punë të garantuar, paga dinjitoze, taksa të ulëta”,-thotë Hoxha.

Zonja Hoxha, ju jeni pjesë në Lëvizjen Socialiste për Integrim si anëtare që prej viteve 2007, dhe tashmë edhe si jeni kryetare e gruas për degën Poliçan, dhe së fundmi emri juaj figuron në listën e kandidate për deputete, përkatësisht në vendin e 8-të për qarkun Berat. Cili është profili juaj dhe përse vendosët që të jeni në këto momente pjesë e politikës?

Kam lindur dhe rritur në qytetin e Poliçanit. Jam diplomuar në degën Histori pranë Universitetit të Tiranës, dhe aktualisht ushtroj profesionin si mësuese. Angazhimi im në Lëvizjen Socialiste për Integrim ka qenë i herët, pasi jam anëtarësuar që në vitet 2007-2008. Zgjodha LSI-në si alternativën më të mirë politike dhe me programin më konkret, dhe më pranë qytetarëve. Më pas kam dhënë kontributin tim jo vetëm si anëtare, por e zgjedhur dhe si anëtare e këshillit drejtues të saj. Jam bërë pjesë e politikbërjes dhe vendimmarrjes lokale si anëtare e Këshillit Bashkiak në zgjedhjet e kaluara, dhe sot kandidimi im si deputete në qarkun e Beratit më gjen njëkohësisht edhe si kryetare e gruas së LSI-së.

Arsimi është një nga pikat e rëndësishme të planit të çdo partie dhe ditët e fundit keni dëgjuar edhe disa premtime elektorale. Duke u nisur nga profesioni juaj si mësuese, ku konsiston programi i LSI-së mbi arsimin dhe ku ndryshon nga çfarë kemi dëgjuar nga partitë e tjera?

LSI-ja e gjen zgjidhjen tek arsimi cilësor për të rinjtë dhe të rejat, si dhe punësimi dinjitoz për një të ardhme të sigurtë për ta. Për një arsim cilësor, jo me fjalë, por me rritje dyfish të pagave për mësuesit, që për ne është shumë e rëndësishme që mësuesit të jenë edukatorë të brezit të ri dhe të ndihen të motivuar në punën e tyre. Një arsim cilësor që shpenzimet e studentëve të cilat ne synojmë t’i përgjysmojmë, të jenë të përballueshme jo vetëm për studentët shqiptar, por edhe për familjet e tyre. Gjithashtu një pikë e fortë e këtij programi është dhe programi “Mëso dhe fito” i cili është një nga programet më të përkrahura sot nga rinia shqiptare. Punë të garantuar, paga dinjitoze, taksa të ulëta. Ky program i cili është shumë i thjeshtë, shumë real, i prekshëm dhe shumë i mundshëm, në mënyrë të tillë që t’u krijojmë mundësinë të rinjve dhe të rejave tanë, për të ecur përpara dhe për të qenë të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Keni dhënë kontributin në Këshillin Bashkiak të Poliçanit, duke përforcuar edhe njëherë tjetër se gjatë viteve të fundit pjesëmarrja e grave në jetën politike shqiptare, si në pushtetin vendor ashtu edhe në parlament apo pushtetin qendror ka shënuar rritje jo vetëm për shkak të kuotave. Çfarë të mirash mendoni se ka sjellë kjo rritje e pjesëmarrjes për shoqërinë shqiptare?

Gjykoj që shoqëria shqiptare është në një nga fazat më të civilizuara përsa i përket angazhimit të gruas në sferën publike dhe politike. Roli i gruas në vendimmarrje dhe politikë shkon përtej vendosjes së kuotave. Prezenca e gruas në politikë e në administratë e bën politikën më të përgjegjshme dhe më sociale. Gruaja shqiptare shpeshherë mund të bëhet pre e botës politike maskiliste dhe të bullizohet nga format jo të hijshme, duke marrë shkas dhe nga ngjarjet e fundit i cili është një shembull i keq i denigrimit të figurës së gruas në politikë. Unë mendoj që secila prej nesh duhet të jetë një zë i fortë kundër çdo padrejtësie dhe në mbrojtje të të drejtave tona.

Nëse flasim për sfidat me të cilat përballet sot elektorati shqiptar, çfarë mund të na thoni më konkretisht për zgjedhësit në zonën tuaj? Në takimet që keni patur, për çfarë kanë më shumë nevojë, apo cilat janë shqetësimet më kryesore?

Sfidat me të cilat përballet elektoriati shqiptar sot janë nga më të mëdhajat në këto 30 vite. Problemet politike, ekonomike dhe sociale kanë ndikuar drejtëpërsëdrejti në jetën e çdo qytetari e familje të thjeshtë shqiptare, duke i bërë ata të humbasin shpresën për një të ardhme të sigurt për familjet e tyre. Në qytetin tim të Poliçanit, një nga plagët kryesore që gjendet në themel të çdo familje është papunësia, e cila ka ardhur si pasojë e mbylljes së shumë sektorëve ekonomik.

Një nga burimet kryesore të punësimit ka qenë dhe Kombinati Mekanik Poliçan, prej të cilit është ndërtuar dhe ky qytet, por sot është jashtë funksionit, duke lënë të pashpresë banorët e Poliçanit. Qeveria i braktisi punëtorët, duke shuar dhe mundësinë e fundit të jetesës së tyre dhe fatkeqësisht këta puntorë gjenden mes katër rrugëve, dhe për më tepër të papaguar për punën e tyre prej shumëvitesh. Paçka kërkesave që punëtorët i kanë drejtuar qeverisë, ata nuk shohin asnjë dritë jeshile dhe kjo ka sjellë varfërimin e tyre dita-ditës.

Është e dhimbshme tek sheh çdo ditë largimin e shumë familjeve nga qyteti që ata vetë e ndërtuan.Ky është njeri prej problemeve, por kemi dhe shumë probleme të tjera në zonat rurale përreth të cilat nuk kanë marrë asnjëherë vëmendjen e duhur, duke i lënë ata në një zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor të dobët.

Pse duhet që votuesit dhe bashkëqytetarët në Poliçan të besojnë votën e 25 prillit tek ju?

Jam lindur, rritur dhe kam krijuar familjen time në këtë qytet. I njoh nga afër shqetësimet dhe problematikat e tyre, dhe jam përpjekur të jem një zë i fortë për të adresuar dhe kontriubuar në zgjidhjen e tyre. Qytetarët e mi meritojnë të përfaqësohen me dinjitet, me vërtetësi dhe përulësi dhe jo nga kandidatë turistë që i vizitojnë ata një njëherë në katër vite, kur kemi zgjedhje dhe kërkojnë vota. Qytetarët duan plane konkrete, kandidatë të denjë, të gjendshem dhe alternativa e duhur është LSI-ja. Prandaj mendoj dhe jam besimplotë që do të më mbështesin me votën e tyre.

SHKARKO APP