Evis Kushi i përgjigjet Albana Vokshit për testimin e mësuesve: Të sfidoj!
Ministrja e Arsimit Evis Kushi i është përgjigjur deputetes demokrate Albana Vokshi në lidhje me testimin dhe vlerësimin e mësuesve.
“Sfidoj deputeten Albana Vokshi që të provojë akuzat e saj në lidhje me ndërhyrjen time apo të stafit tim në procese testimi dhe vlerësimi të mësuesve.
Unë që sot largohem nga detyra nëse ajo i provon akuzat, por, në të kundërt, deputetja do të mbajë përgjegjësi morale dhe ligjore për shpifje.
Që sot do të depozitoj padinë në gjykatë. Qytetarët nuk mund të helmohen çdo ditë me shpifje. Është turp dhe e pafalshme që, për qëllime politike, të shpërdorohet besimi i qytetarëve nga karrigia e deputetit, duke sajuar akuza që cënojnë besueshmërinë dhe nxitin pasiguri te mësuesit dhe nxënësit për proceset vlerësuese në sistemin arsimor.
Të dashur mësues, ne do të vazhdojmë çdo ditë të punojmë së bashku për të përmirësuar më tej sistemin tonë arsimor, duke mos u dekurajuar nga asnjë sulm politik.
Të dashur nxënës, ne bëjmë çdo ditë e më shumë përpjekje për të garantuar barazi, transparencë dhe meritokraci në vlerësimin e arritjeve tuaja”, shkruan Evis Kushi.