Fatos Lubonja: Takimet Rama-Vuçiç, fasadë për t’iu bërë qejfin perëndimorëve
Takimet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë thjesht fasadë për të legjitimuar pushtetin e tyre me mbështetje të Perëndimit.
Kështu thotë gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Fatos Lubonja, duke shtuar se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve, ashtu sikurse edhe midis popujve të tjerë të Ballkanit, do të mundë të përmirësohen vetëm me konsolidimin e demokracive dhe lirive në vendet respektive, me kultivimin e kulturave humaniste dhe me lulëzimin e ekonomive të qëndrueshme.
"E para gjë që mund të them është se më mirë që bëhen këto takime dhe këto shfaqje mediatike me këto deklarata për bashkëpunim sesa të nxitet urrejtja, siç ndodhi me ngjarjet në stadiumin e Beogradit", shprehet Lubonja.