Fatura korruptive e koncesioneve/ Aferat miliarda dollarë, për të cilat hesht dhe opozita
Qytetarët shqiptarë do të paguajnë mbi 500 milionë euro në dhjetë vitet e ardhshme për kontratat konçesionare, që qeveria e Edi Ramës ka dhënë tek një grusht i vogël biznesesh. Shifra, e bërë publike nga vetë Ministria e Financave po rritet me shpejtësi, teksa qeveria vazhdon të firmos konçesione të reja. Vitin e ardhshëm pritet të hyjnë në fuqi të paktën edhe tre kontrata të tjera, të cilat kanë një kosto të përafërt prej 530 milionë eurosh për të gjithë jetëgjatësinë e tyrë.
Biznesi i konçesioneve po rritet me ritme të frikshme duke ngarkuar kosto marramendëse tek qytetarët në favor të një numri të vogël biznesesh. Opozita ka denoncuar publikisht disa prej tyre, veçanërisht ato në fushën e shëndetësisë, të cilat janë fituar nga biznese të lidhura direkt me qeverinë. Por në disa raste të tjera, ajo ka heshtur në mënyrë të pashpjegueshme, edhe përballë fakteve kokëforta. Rasti më flagrant është konçesioni i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës i fituar nga bashkimi i kompanive Kastrati dhe Salillari. Ky konçesion përbën një rast të paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar, pasi qeveria përmbysi fituesin e tenderit duke refuzuar haptazi Bankën Botërore.
Ky konçesion do i kushtojë qytetarëve shqiptarë, mbi 420 milionë euro në 35 vitet e ardhshme dhe pavarësisht shifrës marramendëse dhe proçedurës së dyshimtë të tenderit, opozita nuk e kundërshtoi për asnjë moment, por heshti. Por ai i Durrës-Kukës nuk është rasti i vetëm ku opozita ka heshtur përballë aferave të dyshimta të qeverisë. Privatizimi i bregdetit në Hamallaj dhe Palasë në favor të grupit Balfin, është një tjetër rast flagrant. Edhe pse në të dy rastet, proçedura e privatizimit të bregdetit ishte shumë e dyshimtë, opozita nuk tha asnjë fjalë. Por konçesionet nuk janë kontratat e vetme, përmes të cilave qeveria po transferon qindra milionë euro tek bizneset e lidhura me të.
Në tenderat publikë rastet e dyshimta janë edhe më të shumta. Dhe në një pjesë të mirë të tyre, fitojnë gjithmonë të njëjtët emra. Geci, Salillari, Spitali Amerikan, Kastrati, Balfin. Lista është e gjatë. Dje Partia Demokratike ka marrë jo pak kosto politike për disa nga këto biznese, pasi socialistët në opozitë i denonconin papushim si biznese të lidhura me qeverinë e djathtë. Sot të njëjtat biznese janë duke fituar me procedura të dyshimta qindra milionë euro kontrata publikë nga qeveria e Edi Ramës. Por opozita hesht. Duke marrë sërish kosto. Edhe në opozitë, ndërkohë që qeveria vazhdon e pashqetësuar të ndajë fitimet me klientët e saj në kurriz të qytetarëve.(Syri.net)
KOHA JONË SONDAZH

