“FBI gjen 5 miliardë euro e dollarë të korrupsionit shqiptar”

Nga: Spartak Ngjela

Midis kohës që vjen dhe kohës që ikën, është një veprim i dukshëm dhe me sukses shoqëror ai që e bën një njëri të panjohur të njohur.
Por, që koha të ndryshojë për një shtet a për një komb, në mënyrë që ky të dalë pastaj nga stanjacioni ekonomik: forca duhet të flakë njerëzit që e bllokojnë gjendjen me stanjacion të imponuar.

Shqipëria sot është në stanjacion, dhe ka njëzet vjet kështu.
Ç’duhet bërë?

l.
Korrupsioni ka bllokuar gjithçka. Është nivel i i ulët i intelektit politik shqiptar që ka sjellë këtë gjendje. Por, edhe pse sot, me ndihmë ndërkombëtare është formuluar juridikisht deri në një kushtetutë të re Reforma shqiptare, sërish ajo ka pengesa.
Pengesat vijnë nga pushtetarët e korruptuar, të cilët tani, edhe pse zihen në debate fyese me njëri-tjetrin, janë të bashkuar kundër Reformës.

Ata që nuk kanë pushtet ekzekutiv, Meta dhe Berisha, vinë qark e vërdallë për të gjetur mbështetje në Beograd dhe Athinë, kurse Edi Ramë është lëshuar drejt Stambollit, për të garantuar mjete financiare që, nëse do t’i vihet embargo nga Uashingtoni dhe Berlini për bllokimin e Reformës nga ai vetë, ky ta gjejë mundësinë e sundimit me paratë e Erdoganit.

Rama është jashtë çdo arsyeje politike, ai sot është një nën mediokër keqdashës që, në jerm, mendon se sundimi i tij është vlerë më e madhe se pasuria dhe jeta me mirëqënie e shqiptarëve.

Ja, kjo është gjëndja e sotme në Shqipërinë që po pret të reformohet.
Atëherë:

ll.
Pyetja që duhet ngritur këtu është kjo: nëse Rama e thellon këtë rrugë për të bllokuar Shqipërinë dhe për të dalë jashtë doktrinës politike perëndimore të Shqipërisë postkomuniste, për të shkuar në Lindje, çfarë pritet të bëjë kundër tij politika amerikane?

Politika amerikanë tani e ka të zgjidhur se, duke pasur me vete e në mënytë krejt të qëndueshme edhe Prokuroren e Përgjithshme, edhe ministrin e Brendshëm, madje edhe Kryetarin e Kuvendit, e ka gjithçka të zgjidhur me procedurë ligjore, pasi korrupsioni duhet të goditet me arrestimin e personave të rangjeve të larta. Rama nuk ndërhyn dot këtu.

Plus kësaj, duhet që edhe organet e vetingut të eliminojnë me veprime drastike gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.

lll.
Deri tani po kuptohet se nuk ka rrugë tjetër për të shpëtuar gjendjen veç aksiomës së famshme të Fushesë: Arrestoni !

Në fakt kjo ka qënë rruga e ndjekur edhe në Rumani, edhe në Bullgari, por edhe në Kroaci. Prandaj sigurisht që kjo duhet të jetë edhe rruga shqiptare

Menjëherë pas pastrimit të gjyqtarëve të korruptuar, dhe pas zëvendësimit të shpejtë të tyre, duhet të nisë goditja penale drastike bashkë me konfiskimin e parave dhe pasurive të korrupsionit.

Deri tani, FBI ka gjetur mbi 5 miliardë Euro e Dollarët të korrupsionit shqiptar; ajo ka identifikuar mijëra hektarë te grabitura me imponim shtetëror. Nga kërkimet deri tani janë të gatshme për t’u konfiskuar me ligj 5 miliardë dollarë dhe euro, të depozituara nëpër banka jashtë Shqipërisë. Por janë po kështu në rrugën e konfiskimit edhe mijëra hektarët e grabitur, shumica të rregjistruarë me emra të varfërish që befas iu ka mbirë te dera një pronë.

Sigurisht që, mbi të gjitha duhet të vihet sekuestro ndërkombëtare, se në fakt këto janë para të popullit shqiptar, dhe është provë e pakundërshtueshme që këta pushtetarë të mund të depozitojnë 5 miliardë Euro nëpër bankat e huaja, pa pasur lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Është e kuptueshme gjithashtu që ky proces do të fillojë bashkë me proceset penale të krimit të organizuar shqiptar, i cili është i vërtetuar që ka qenë në partnership me korrupsionin e lartë shtetëror të të dy krahëve të politikës Shqiptare.

Kurse, Uashingtoni duhet ta ketë qartë, dhe sigurisht që e ka të qartë, që, shqiptarët do ta presin me eufori, me shprese, me besim dhe me përkrahjen e tyre masive goditjen antikorrupsion të niveleve të larta shtetërore.

Në një vështrim historik, përsëri Uashingtoni po del çliruesi i shqiptarëve; sepse sot është mëse e kuptueshme që, shpëtimin nga korrupsioni banditesk shtetëror i niveleve të larta, shqiptarët do ta konsiderojnë si një çlirim nga një zgjedhë vdekjeprurëse, njëlloj si edhe çlirimin e shqiptarëve të Kosovës nga rreziku i genocidit serb.
Në të vërtetë, ky është gjykimi më i saktë për historinë e miqësisë strategjike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

SHKARKO APP