Festa e Bastijës; Presidenti Nishani uron Presidentin Hollande
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka uruar homologun e tij francez, Fransua Holond, me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditën e Bastijës.
Kreu i shtetit i ka dërguar Holondit një mesazh urimi, ku ndër të tjera i shpreh mirënjohjen e shqiptarëve për mbështetjen që Franca i ka dhënë vendit tonë për dekada.
Mesazhi i plotë i urimit:
“I nderuar Zoti President,
Me rastin e Festës Kombëtare të Francës, Ditës së Bastijës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell për ju dhe të gjithë qytetarët francezë, urimet më të ngrohta e të përzemërta.
Përfitoj nga rasti që, në këtë ditë të shënuar për vendin tuaj, të shpreh mirënjohjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve për mbështetjen që Franca i ka dhënë ndër dekada. Konstatoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, janë zgjeruar më tej dhe kanë marrë dimensione të reja në kuadrin e proceseve integruese euroatlantike.
Mesazhet tuaja gjatë Konferencës së Parisit, për vijimin e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, na inkurajojnë më shumë për vijimin me vendosmëri e përkushtim në rrugën e reformave të thella, pasi Shqipëria e konsideron integrimin në Bashkimin Evropian si alternativën e vetme dhe objektivin e saj më madhor.
Me urimet më të mira për ju dhe vendin tuaj, ju lutem pranoni z. President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”.
KOHA JONË SONDAZH

