Fitoi mandatin, Erisa Xhixho: LSI u përball me presion nga shteti dhe bandat
Erisa Xhixho, kandidatja e LSI-së për deputete, e cila arriti që të merrte mandatin e saj në këto zgjedhje, ka falënderuar të gjithë qytetarët për mbështetjen që i dhanë.
“Faleminderit nga zemra për çdo qytetar që më ka hapur derën, që me energji dhe forcën e karakterit ishte pjesë e fushatës së LSI-së, që votoi LSI-në, të cilat për mua janë e do mbeten vota zemre e guximi.
Mirënjohje për secilin nga të rinjtë, vajzat e djemtë e LRI-së, që vendosën t’i përkasin një force politike ku ata janë protagonistë, frymëzues dhe drejtues të saj.
Që sollën në këtë fushatë ide, profesionalizëm dhe një qasje europiane e qytetare e të bërit politikë, duke respektuar dinjitetin e qytetarëve dhe jo përdhosur atë. E di, kjo është një rrugë e vështirë, por e drejtë.
Faleminderit strukturave të LSI-së të njësisë nr. 1 dhe 2, me të cilat unë pata nderin të punoj, e që për mua nuk janë thjesht anëtare partie, por janë miqtë e mi, heronjtë e mi sot e gjithë jetën time. Ata janë forca ime e frymëzimi im.
E di, u kërcënuat, u shantazhuat, tentuan t’ju blejnë e t’ju diskreditojnë me lloj-lloj formash, por ju rezistuat e luftuat deri në fund me dinjitet, sepse besojmë te politika e vlerave dhe te misioni ynë për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve.
Këto zgjedhje ishin nga më të vështirat e 15 viteve të angazhimit tim politik, u përballëm me presionin e shtetit, me banda, me blerjen e votës, të dinjitetit e varfërisë së zgjedhësve, me frikën e qytetarëve për të bërë një foto në biznesin e tyre apo me shfaqjen në krahun tonë, pasi i trembeshin hakmarrjes së partisë-shtet.
Hakmarrja nuk mungoi, pasi prindërit e të rinjve të angazhuar në LSI u persekutuan, u hoqën nga puna, siç ndodhi me atë prind që e pagoi me papunësi vetëm për një përqafim të fëmijës së tij në një takim elektoral.
Kjo nuk është Shqipëria që meritojnë fëmijët tanë, ndaj jemi më të bindur se kurrë në vazhdimin e betejës sonë.
Unë nuk do ndalem, do më keni gjithmonë në krah, me zemër e shpirt për çdo shqetësim tuajin, gjithmonë e gatshme dhe e vendosur për t’ju përfaqësuar, pjesë e asaj politike që kujdeset e mban fjalën.
Beteja jonë do të vazhdojë çdo ditë, pasi procesi nuk ka përfunduar ende, si asnjëherë më parë 5% e fletëve të votimit kanë dalë të pavlefshme, plot 83028 fletë. Ne nuk do ndalojmë deri në numërimin dhe rinumërimin e çdo vote të vlefshme, në respekt të vullnetit të çdo votuesi. Qytetarët shqiptarë meritojnë që procesi të mbyllet me transparencë dhe në bazë të ligjit deri në fund, sepse besimi i tyre te fuqia e votës jo vetëm s’duhet cenuar, por është me rëndësi për demokracinë në vendin tonë.
Misioni vazhdon....🇦🇱”, deklaroi Erisa Xhixho.