Edi Rama: Greqia ka nevojë për Ju siç keni nevojë ju për Greqinë!
Në sallën “Christmas Theater” në stadiumin ‘Galatsi’ në Athinë, ku ishin mbledhur mijëra shqiptarë, Rama tha se ishte i prekur dhe i emocionuar nga pritja.
Ai mban një fjalim të jashtëzakonshëm.
“Mirëseardhja juaj më emocionon, entuziazmi juaj më përul, mbi të gjitha jeta dhe vepra juaj më mbushin me frymëzim shqiptarinë dhe më shumë krenari për ju njerëz të zakonshëm nga të 4 anët e Shqipërisë që jeni bërë shëmbëlltyra e jashtëzakonshme e krenarisë së Atdheut tone në këtë pjesë të Europës.”
Disa këtu në Greqi, vijoi Rama, u çuditën të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju. “Por mbase, kur ta shikojnë këtë shfaqje të gëzimit familjar, ata do të kuptojnë se unë nuk kam ardhur të të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, u shpreh ai.
Rama tha se ishte atje për të folur me qytetarët e barasvlefshme të Greqisë demokratike në Europën demokratike.
“Kam ardhur të flas me qytetarët e barasvlefshme të Greqisë demokratike në Europën demokratike, ku shqiptarët nuk janë më të ardhurit e leckosur nga malet, apo barbarët e dyndur nga detet, por janë përfaqësuesit e një vendi krenar që është Shqipëria jonë”, deklaroi Rama.
Shqipëria, tha Rama, e ka ngritur përfundimisht kokën e ulur në shekuj nga dhuna e historisë së saj tragjike, dhe i sheh sot drejt e në sy të gjithë, me të njëjtin respekt që meriton dhe kërkon nga të gjithë.
Mes të tjerash, Rama gjatë fjalimit të tij tha: Ju arritët të mos jeni të huaj në këtë vend. Jeni bërë shëmbëlltyra e krenarisë së atdheut tonë në këtë pjesë të Europës.
“Sikurse është minoriteti grek një thesar i shkëlqyer që funksionon sot brenda një kornize garancish dhe faktesh që bën Shqipërinë një ndër shembujt më përparimtarë në këtë drejtim. Ata grekët e Shqipërisë kanë halle, kanë probleme. Pa diskutim duhet të bëjmë edhe më shumë për ta, por e vërteta e madhe jashtë fushës së vogël të lojërave politike është se asnjë hall dhe problem i tyre nuk është i ndryshme nga hallet dhe problemet e shqiptarëve. Në një vend si i yni që përparon përditë po ku plagët e trashëgimisë negative të të së shkuarës nuk janë ende plotësisht të mbyllur, ama kurrë asnjë herë, në asnjë rast një grek etnik në Shqipërinë e viteve të fundit nuk ka pasur asnjë hall problem për shkak të kombësisë së tij”, deklaroi Rama.
” Ju jeni gjaku dhe shpirti i një kombi që cfarë nuk pa dhe cfarë nuk hoqi, po asnjë padrejtësi nuk e zhbëri dot nga faqja e këtij dheu.
Ju arritët të mos jeni më të huaj në këtë vend. Ju i bëtë vendin vetes në shoqërinë greke.
Ju erdhët, luftuat dhe fituat. Dhe mos e harroni kurrë, me ligj dhe zakon, Greqia sot është e juaja, saç është edhe e grekëve.
Bashkë me greket, ju shqiptarë jeni evropianet e Greqisë. Ju sot keni këtu shtëpitë tuaja, dyqanet, bizneset, fëmijë të mirë shkolluar në sistemin arsimor të Greqisë. Greku e shqiptari nuk dallohet më.
Ndërkohë ju ktheheni gjithë e më shpesh edhe në shtëpitë tuaja në Shqipëri ku keni mbajtur me ndihmën tuaj financiare, prindër të moshuar, nipër e mbesa, keni nisur të investoni kursimet tuaja.
Jo të gjitha dallimet janë sheshuar. E di që fantazmat e paragjykimeve i shfaqen tek tuk ndonjëherë, përmes ndonjë gojë apo dore të të shkuarës në rrugën tuaj të hapur me forcën madhështore të shembullit. Por di që koha juaj nuk kthehet më prapësht.
Vendimmarrësit e këtij vendi e kanë të plotë vetëdijen se Shqipëria ka nevojë për ju, sic ju keni nevojë për Greqinë. Greqia dhe shqiptarët e Greqisë janë bërë të pazëvendësueshëm. Kush dyshon këtë dyshon tek dielli që lind, ndërsa kush e kundërshton i bie pasqyrës me kokë, vijoi në fjalën e tij Rama.
Ai tha se emigrantët shqiptarë u përballën në fund të shekullit të shkuar me operacionet fshesa njësoj si paraardhësit e tyre në veri të Greqisë.
“U përballët me gjithëfar shprehjesh brutale të arrogancës së fqinjit të pasur ndaj komshiut të varfër. Përjetuat poshtërimin e fshesave të zeza të fundshekullit ’20 kur iu shkulnin nga shtëpinë me rrobat e trupit nëpër natë për t’u deportuar në Shqipëri si në një film të ri të një kohe shumë të vjetër të shpërnguljeve me përdhunë të paraardhësve tanë nga shtëpitë e tyre në veri të Greqisë”, tha ai.