Fjalori i Ramës për protestuesit, Plasari: Halabakë iu dukën dhe shokut Çaushesku, por…
Kryeministri Edi Rama doli dje para mediave me një fjalim të përgatitur për të komentuar vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie dhe për të treguar qëndrimin e tij për ngjarjen.
Por ndër të tjera, Rama do të sulmonte edhe protestuesit teksa u shpreh:
“Kur ne sapo e kishim nisur rrugën e qeverisjes së vendit, tamam shtatë vjet më parë, u zhvillua në Shqipëri protesta më e madhe e më qytetare e viteve të pluralizmit demokratik; ajo e refuzimit ndaj armëve kimike, ku nuk u thye asnjë xham, nuk u plagos asnjë polic, nuk u dogj asnjë fije bari e nuk u shfaq asnjë grimcë nga rrugaçëria e halabakëria tipike, e protestave të nxitura dhe organizuara prej pushtetarëve të rënë nga vakti, që duan të rikthehen në pushtet me pahirin e mosarsyes, me inskenimet e pambarimta e me dizinformimin sistematik të opinionit publik, deri edhe për të vdekurit në spitale!”
Por këtij qëndrimi të kreut të qeverisë i përgjigjet studiuesi i mirënjohur Aurel Plasari duke sjellë një shembull nga Rumania e vitit 1989.
Sipas tij, edhe diktatori Çaushesku “halabakë” I quante protestuesit por fundi i tij duhet tashmë.
Postimi i plotë i Plasarit:
“HALABAKË” IU DUKËN EDHE SHOKUT CEAUŞESCU
Por ja si e gdhendi kujtimin e tyre zonja e madhe poetja Ana Blandiana:
“Kjo që po jetojmë sot dhe ajo që do të jetojmë në vjetët e në dhjetëvjetëshat e ardhshëm do të jetë vepra e atyre fëmijëve të pjellë prej nënash të dëshpëruara ngaqë qenë të detyruara t’i nxirrnin në botë, të rritur në heshtje, në frikë, në të ftohtë e në uri, të ushqyer prej prindërish të terrorizuar që u trembeshin ditë e natë denoncimeve, të kapitur pas orëve të kaluara nëpër radhët e pafundta, të edukuar prej mësuesish të poshtëruar e të detyruar të mos i thoshin ato që mendonin, fëmijë të cilët i mësonin të mos e ngrinin zërin, ta ulnin radion, ta mbulonin me pëllëmbë dorezën e telefonit, t’i shmangeshin shoku-shokut, të mos i hapeshin askujt, të mos i besonin asnjeriu. Ngjarjet që po jetojmë sot janë vepra e atyre fëmijëve të dënuar me jetë e me vetmi, dhe që, me një përçmim të pamatë për jetën që u qe dhënë pa dashje, e flakën atë mbi banakun e pamëshirshëm të historisë duke paguar me të çmimin e solidaritetit, të dashurisë, të besimit e të shpresës dhe na bënë të gjithëve të rilindim në këto Krishtlindje të përgjakta e sublime. E ruajttë të pacenuar, kjo kryqëzatë e mrekullueshme e fëmijëve të Rumanisë, lirinë e blerë kaq shtrenjtë dhe e shpëntë përpara nëpër vite, po kaq të pastër e përvëluese, deri në pjekjen e plotë të demokracisë së paprapsueshme”.