Flet i madhi i skenës shqiptare, Agron Llakaj: Po shikoj një projekt tjetër, por jo “Portokalli”

Lajmi se Agron Llakaj do të kthehet në drejtimin e “Portokallisë” bëri xhiron e portaleve javën që shkoi. Largimi i regjisorit Altin Basha dhe rikthimi i ish-drejtuesit të “Portokallisë” në “Top Channel” do të ishte sensacion për sezonin televiziv.

Por Agron Llakaj, i cili së fundi moderon “Al Pazar” në “Vizion Plus”, nuk e mendon më rikthimin në ekranin, ku sipas tij mori fill akademia e parë e humorit në Shqipëri.

Në një prononcim për revistën “Who”, Llakaj u shpreh se kapitulli i tij me “Top Channel” është vendosur në një kornizë përjetësisht, që do të thotë se i takon një eksperience të arkivuar te kujtimet e së shkuarës.

“Në përgjithësi, e gjithë kjo zhurmnajë që ka më shumë se 24 orë që rrotullohet nëpër portale se ‘Agron Llakaj rikthehet në ‘Portokalli’, nuk është aspak e vërtetë. ‘Portokallia’ është një faqe e rëndësishme profesionale e imja, por e vendosur në ‘kornizë’ përjetësisht… Mirënjohjen për ‘Top Channel’ e kam të gdhendur me emrin e Dritan Hoxhës, por nuk i përkas asaj race njerëzore që po ika unë, mbrapa u bëftë kiameti! ‘Portokallisë’ i kam uruar gjithmonë suksesin, si akademia e parë e humorit shqiptar dhe s’do e dëshiroja kurrë një mbyllje, largim dhe aq më pak shkatërrim të saj. ‘Portokallia’ është e ‘Top Channel’ dhe nuk identifikohet me askënd”, tha Llakaj, i cili nuk mohon në asnjë moment ftesën e drejtuesve të “Top Channel” për t’u rikthyer në skenën e aq shumë emocioneve.

Aktori dhe krijuesi i njohur, aq i dashur për shqiptarët, u shpreh gjithashtu se ka oferta për t’u larguar nga “Vizion Plus”, me të dyja projektet e tij televizive.

“Sa u takon fjalëve… është e vërtetë që kam ftesa edhe për ‘Al Pazar’, por edhe për ‘Fake Off’ që të shkoj diku tjetër, po i studioj me qetësi bashkë me stafin tim dhe në kohën e duhur, do të vendos. Por do të shtoja se njerëzit kanë aq shumë halle e probleme jetike, sa s’do t’ia dijë njeri se ku shkon Agroni apo dikush tjetër. Ne jemi aktorë dhe krijues, punojmë dhe kemi të drejtën të lëvizim sipas kushteve dhe interesave tona. E rëndësishme është që të punosh me përkushtim dhe të ndihesh i respektuar dhe i vlerësuar aty ku je dhe i vlerësuar gjithmonë nga publiku”, tha Llakaj duke lënë të hapur mundësinë e shfaqjes në një tjetër logo gjatë sezonit të ri televiziv.

A ka një prapaskenë pas gjithë kësaj “skene mediatike”, të prezantuar nga Agron Llakaj? Në fakt, po. Burime për “Panorama Plus” kanë treguar se Llakaj është në kontradikta me drejtuesit e “Vizion Plus” dhe ka shumë gjasa që ky sezon të jetë dalja e tij e fundit në këtë ekran. Madje, sipas burimeve brenda këtij televizioni, Llakaj ka kaluar jo vetëm 24 orë thashethemnajë, por edhe dilemë të madhe, ndërkohë që ka nisur telefonatat me aktorët e humorit që ai ka njohje, për organizimin e një trupe sa më të kompletuar në televizionin tjetër ku ka plan të shkojë.

Prej 8 vitesh, “Al Pazar” është spektakli i së shtunës në “Vizion Plus”, që mbledh një audiencë të konsiderueshme edhe në matjet televizive. Por për të mësuar se çfarë do të ndodhë me të prej shtatorit, do të duhet të presim edhe pak.

SHKARKO APP