Flet juristi i njohur; Hazizaj: Vettingu në ngërç, ja si zgjidhet kriza politike dhe zgjedhjet

Flet për “Koha Jonë”, konstitucionalisti i njohur Sokol Hazizaj: Klasa politike në maxhorancë është vet ngërçi i zbatimit të ligjit të Vettingut

Intervistoi: Redjon Shtylla

Vettingu, ligji që do të bëjë të mundur rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve është në ngërç edhe pse në Kushtetutë ka marrë formën e duhur. Për juristin e njohur Sokol Hazizaj, problemi qëndron tek tejkalimi i afateve procedurale për të kaluar atë nen për nen në Kuvend dhe të mungesës së opozitës që mund të sjellë stabilitet. Në një intervistë për “Koha Jonë”, konstitucionalisti i njohur Sokol Hazizaj, thotë se klasa politike duhet të zgjidhë ngërçin për t’i hapur rrugë reformës në drejtësi.

Situata politike ka lënë në ngërç Vettingun. Edhe pse ka marrë formën e duhur në Kushtetutë, zgjidhja nga Kuvendi lidhet me afatet kushtetuese dhe ligjore. Në këto kushte si mund t’i jepet zgjidhje kësaj situate? Çfarë pasojash do sjellë mungesa  e opozitës në këtë proces delikat?

Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ndryshe ligji për vetingun, vështruar në detaje mbart në vetvete metodologjinë dhe procedurat e vlerësimit të të gjitha institucioneve jo vetëm të gjyqësorit dhe hetimit, por për pasojë dhe organeve dhe institucioneve qeverisëse të vendit. Ndaj nuk është e rastësishme që kjo mënyrë e të vështruarit mbi gjyqësorin të gjejë përfshirje dhe mbi qeverisjen dhe më tej. Në këtë kuptim, imponimi i institucioneve ndërkombëtare dhe nëpërmjet përfshirjes tyre në këtë proces, cili do të jetë i pandashëm dhe në pastrimin e politikës ka ngjallur debat dhe pse jo frikë apo ngurrim nga lidershipi politik. Ngërçi nuk është vetëm i shkaktuar nga opozita, por dhe nga maxhoranca, pse jo dhe kryeministri, në vështrimin politik dhe më tej. Sot pas shumë muajve të miratimit të dispozitave kushtetuese duket qartazi që klasa politike në maxhorancë është vet ngërçi i zbatimit të ligjit, ndonëse ai kaloi prej votave të saj në Kuvendin e Shqipërisë. Në kuptimin formal, teknik dhe ligjor në respekt të dispozitave kushtetuese, ne ndodhemi në tejkalim të afateve procedurale, por jo vetëm kaq, por ndodhemi dhe në deformimin dhe mungesën e respektimit të hapur të Kushtetutës në gjithë frymën e saj dhe nen për nen. Tani jam i sigurt që Berisha siç në 1994 dhe Rama si rilindës në vitin 2008, individualisht dhe politikisht e arritën objektivin që kanë pasur, mosnjohjen e kushtetutës. Mungesa e bindjes së paku ndaj parimeve themelore sjell vetëm mungesë stabiliteti. Stabiliteti vjen dhe si pasojë e mungesës së opozitës dhe respektit të saj ndaj nenit të posaçëm C/9 të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë mbi komisionin e kualifikimit dhe kolegjin, ku pranohet se “Kuvendi krijon brenda dhjetë ditëve dy komisione ad hoc përzgjedhëse të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, ku një komision ka 12 anëtarë dhe një ka 6 anëtarë”. Parë në syrin e realitetit në të cilin ndodhemi, ngritja e këtyre organeve apo institucioneve kushtetuese është vepër e pamundur, e cila ka vetëm një rezultante, shkak-politika.

Si e keni parë deri tani procesin e zgjedhjes së anëtarëve të komisionit të vetingut? Po detyrën e Avokatit të Popullit që ka marrë në dorëzim kandidatët për vetingun ndërkohë që, i ka mbaruar mandati?

Zgjedhja e anëtarëve të vetingut duhet parë në tre vështrime, në atë material, procedural dhe ndërkombëtar. Nëse në dy vështrimet e para zgjedhja e tyre është jo kushtetues, që do të thotë se procesi është në devijim deri në shtrembërim të Kushtetutës dhe kërkesave të saj si në kohë dhe hapësirë, sepse procesi duhej filluar nga Presidenti i Republikës, në mos më pas nga Avokati i Popullit, e kundërta ndodhi. Sa i përket mandatit të tij, Avokatit të Popullit, padyshim duhet pranuar se roli i tij në konceptin kohor është tërësisht jo kushtetues, siç janë dhe dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, dy anëtar të Gjykatës Kushtetuese dhe do jenë së afërmi ose shumë shpejt Presidenti i Republikës apo Kryetari i ILDKP-s. Ndërsa në konceptin e ndërkombëtarëve, kam frikë se i kanë gjithëpranuar këto devijanca kushtetuese, duke pranuar nga ana tjetër se procesi me gjithë të metat e tij ka rëndësi për rezultatet që do të arrijë. Ata e dinë shumë mirë gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria, ndaj janë të vendosur për të bërë atë që duhet. E njohin shumë mirë sjelljen e lidershipit shqiptar, që është transplatuar si sjellja e xhepistëve të para viteve 90’ që nuk linin xhep pa hapur, në shitës konfeksionesh që qepin xhepat e vjedhur në rrugë ligjore.

Si mund të zgjidhet kjo krizë politike që sot është brenda afateve të caktuara në ligjin zgjedhor?

Pretendimi im nuk qëndron në pranimin e krizës politike, pra sot nuk jemi në krizë politike, por jemi në krizë morale dhe besimi. Kjo e dyta nuk ka lidhje me politikën. Pse? Sepse ndryshe ose me përjashtim të situatave kushtetuese të stisura të vonesës së zëvendësimit të anëtarëve të institucioneve kushtetuese, ne ndodhemi përpara institucioneve politike të legjitimuara nga procese zgjedhore. Sot konstatohet se sjellja qeverisëse dhe e kundërta e saj nuk janë politike, duke pranuar vetëm faktin se situata e kanabizimit apo e korrupsionit nuk është sjellje vetëm e pozitës së sotme por dhe e të djeshmes. Ajo çka ndryshon qëndron vetëm në faktin se premtimi elektoral i zbatimit të ligjit në goditjen ndaj tyre nuk gjeti zbatim, përkundrazi shtoi larmin dhe e bëri atë nga problem rajonal në çështje kombëtare. Referuar këtij qëndrimi, kriza që duket si politike, nuk ka lidhje as me rezultatin zgjedhor të vitit 2013 dhe çdo ketë lidhje me rezultatin e 2017. Situata është e zgjidhshme, ku solucioni qëndron me ndryshimin e kryeministrit dhe jo maxhorancës politike, e cila nga sa duket do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve rihapi verifikimin për rreth 21 zyrtarë të lartë, ndërkohë që, refuzoi heqjen e mandatit për dy kryebashkiakë. Si i shihni veprimet e KQZ, por dhe kërkesat e prokurorisë?

Procesi i riverifikimit të trajtuar nga KQZ-ja ishte tërësisht jo ligjor dhe jo kushtetues, ndaj dhe përfundoi pa rezultat, ose me rezultat të pakonsiderueshëm. Ndonëse, duhet thënë hapur që sjellja e saj ishte më tepër si shprehje e konfliktit institucional me Prokurorinë se sa një detyrim ligjor. Duhet të përsëris dhe për kujtesë, se ndonëse është e vërtet se institucionet nuk duhet të jenë në asnjë rast dashnore të qeverisjes, por duhet pasur kujdes se në historinë e erosit me qeveritë ka dhe profesione më të vjetra se dashnoret.

KQZ plotësoi kuorumin e KZAZ-ve të mbetura pa anëtarë nga opozita, a është një cenim që i bëhet PD-së dhe nëse ajo vendos të marrë pjesë në zgjedhje, krijohet rrëmujë?

Kodi Zgjedhor në ndryshimet e tij të vitit 2012, sa i përket ngritjes së KZAZ-ve ka parashikuar afate procedurale evazive duke krijuar mundësin e subjekteve politike të caktojnë përfaqësuesit e tyre dhe ne afate të tjera procedurale. Kodi Zgjedhor i jep të drejtë KQZ që 90 ditë përpara ditës së zgjedhjeve të marrë vendim për ngritjen e KZAZ-ve. Por në nenin 29/5 të tij pranohet se, “Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike, sipas këtij neni. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve”. Në këtë kuptim subjektet politike e ruajnë të drejtën e paraqitjes së anëtarëve deri në afatin e sipërcituar, pra 30 ditë para ditës së zgjedhjeve. Nisur nga ky vështrim nuk ka pse të ketë rrëmujë dhe anomali në funksionimit e KZAZ-ve dhe procesit zgjedhor në tërësinë e tij.

Politika ka detyrën për të përgatitur zgjedhjen Presidentin. Ka shumë data që aludohen për zgjedhjen e Presidentit, por kur duhet të nisë puna për zgjedhjen?

Neni 88 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë e lidh afatin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës me dy momente, kur pranon se: “Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë  fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”. Në këtë kuptim Kuvendi ndodhet në shterimin e afateve maksimale të fillimit të procesit, ndaj dhe beteja morale merr pamje politike në situatën aktuale. Ndoshta dhe nuk ka pse të jetë ndryshe kur shumë konflikte politike dhe brenda maxhorancave janë përfijuar si të kulmuara dhe të paorientuara në dukje. Në një politikë normale puna për zgjedhjen apo kompromiset politike duhet të kishte filluar, me qëllimin e realizimit të një procesi sa më transparent, por siç duket ne kështu dimë dhe bëjmë.

Çfarë ndodh nëse nuk zgjidhet Presidenti nga ky Parlament, si e parashikon Kushtetuta?

Pranimi i Kushtetutës si akti themelor i sigurisë së përvijimit dhe krijimit të kushteve të ekzistencës së shtetit dhe kur ka vakum institucional është tipari themelor, esencial. Respekti ndaj saj përbën garancinë esenciale të të drejtës për të jetuar, të krijon mundësinë e plotë, si asnjë akt tjetër për të gjetur zgjidhjen e duhur brenda germave të saj për çdo të drejtë. Ndaj dhe është më e sulmuara nga politika. Edhe kësaj pyetjeje i ka gjetur përgjigje duke pranuar në nenin 91 të saj se: “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij”.

Në kushtet e krizës aktuale politike, a merr rëndësi specifike zgjedhja e një presidenti konsensual, pavarësisht votave që ka shumica në Kuvend?

Duke pohuar se, nuk ndodhemi në krizë politike, por thjesht në krizën e besimit të një pjese të politikës ndaj kryeministrit dhe arbitraritetit të tij në dukje të rilindur, roli aktiv dhe kushtetues i Presidentit të Republikës do të zinte dhe ka një vend të rëndësishëm. Por e kundërta ndodh gjithmonë çuditërisht te ne. Në vite institucionet duke qenë tërësisht të njëanshme dhe jo profesionale jo rrallë herë, paragjykohen edhe pa u ngritur. Është bërë shprehi që kaherët se përveç ndonjë rasti sporadik, maxhorancat përcaktojnë natyrën e çdo organi, për të pasur brenda aspiratave të saj funksionimin e institucionit, si dhe duke krijuar mundësinë e të kundërtës ta paragjykojë procesin. Për më tepër, sot kur kriza morale merr pamjen e krizës politike ose trajtohet si e tillë, pasoja apo zgjedhja dhe zgjidhja është tërësisht e njëanshme dhe arbitrare. Nisur nga kjo analizë, presidenti i ardhshëm do të vijë si pasojë e zgjedhjes së maxhorancës së sotme, por që shumë shpejt nga i paragjykuari i opozitës do të jetë në tehun e sulmit dhe paragjykimeve të zgjedhësve të tij, pra të koalicionit të majtë.  

SHKARKO APP