Fluks për azil, Merkaj: Në 9 muaj mbi 10 mijë shqiptarë janë ndaluar në kufi

Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin në Policinë e Shtetit, Drejtues i Lartë Eduart Merkaj, në një deklaratë për mediat tha se forcimi i sigurisë kufitare vijon të mbetet një nga elementet më të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe forcimi i saj është prioritet i qeverisë, Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit. Ai bëri me dije se në 9 muaj janë ndaluar mbi 10 mijë shqiptarë, pasi nuk plotësonin kushtet për lëvizjen e lirë. Kjo fishër e lartë tregon se shqiptarët çdo ditë e më shumë duan të ikin nga vendi drejt vendeve të BE-së. ”Gjatë periudhës janar-shtator, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar u është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Schengen 10.684 shtetasve shqiptarë ose 30% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndër të cilët 735 shtetas të mitur që nuk kanë plotësuar kriteret për të udhëtuar jashtë vendit. Nga ana e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe janë duke u ndjekur dhe verifikuar 14 raste të braktisjes së fëmijëve nga prindërit, me qëllim përfitimin e azilit në Francë apo Gjermani”.

 

Deklarata e plotë

Strukturat e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, gjatë 9 mujorit të këtij viti, në zbatim të strategjisë për menaxhimin e integruar të kufirit “Kufij të hapur por të sigurt” kanë shtuar masat për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar dhe për menaxhimin e qarkullimit ndërkufitar të shtetasve dhe mallrave. Si rezultat i masave të shtuara për forcimin e sigurisë kufitare, nga ana e shërbimeve të Policisë Kufitare dhe Migracionit, gjatë periudhës janar-shtator janë evidentuar dhe goditur 1 427 raste të paligjshmërisë.

Janë kapur 376 persona në kërkim, janë identifikuar 285 raste të përdorimit të dokumenteve të falsifikuara ose 33% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe janë sekuestruar 398 dokumente të falsifikuara ose 30% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Si rezultat i masave të shtuara në kufirin jeshil, janë proceduar penalisht 819 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit dhe janë kapur nga patrullat e Policisë Kufitare në afërsi të kufirit jeshil, në tentativë për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme 8 795 shtetas, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative gjobë.

Gjithashtu, janë evidentuar dhe goditur 29 raste të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Nga Komisariati i Policisë Rinas, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë zhvilluar 5 operacione të koduara për goditjen e trafikimit të femrave për shfrytëzim prostitucioni dhe për goditjen e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Në përmbushje të prioritetit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, gjatë 9 mujorit të këtij viti janë identifikuar dhe goditur 46 raste të trafikimit të lëndëve narkotike ose 32% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kjo edhe falë masave të marra nga Policia e Shtetit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, duke sjellë edhe rënien e sasisë së lëndëve narkotike të sekuestruara në masën 35%.

Janë evidentuar dhe goditur 18 raste të mosdeklarimit të shumës së parave në kufi sipas legjislacionit në fuqi. Gjatë periudhës janar-shtator, Policia Kufitare ka përballuar me sukses fluksin në rritje të imigrantëve të parregullt, që tentojnë kalimin transit nëpërmjet territorit të Shqipërisë drejt vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Gjatë 9 mujorit janë kapur dhe përpunuar 7,288 imigrantë të parregullt, 37% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar ose 5.7% më shumë se sa gjithë viti 2018, kjo falë edhe mbështetjes së Operacionit të Agjencisë Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, si dhe në kuadër të operacionit FRONTEX.

Bashkëpunimi ndërkombëtar dhe rajonal ka vijuar të forcohet. Në sajë të bashkëpunimit me Guardia di Finanza, gjatë këtij viti janë zhvilluar 8 operacione të përbashkëta dhe 4 operacione ndërmjet Policisë Kufitare të Sarandës dhe Policisë kufitare të Igumenicës, Greqi për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet kufirit jeshil. Policia e Shtetit ka zhvilluar fushata të gjëra ndërgjegjësimi për parandalimin e abuzimit me të drejtën e lëvizjes së lirë në hapësirën Schengen, si dhe po zbaton një sërë masash shtesë për parandalimin e azilkërkimit.

Si rezultat i këtyre masave, gjatë periudhës janar-shtator, nga shërbimet e Policisë Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar u është ndaluar përkohësisht udhëtimi drejt zonës Schengen 10 684 shtetasve shqiptarë ose 30% më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ndër të cilët 735 shtetas të mitur që nuk kanë plotësuar kriteret për të udhëtuar jashtë vendit. Nga ana e Policisë Kufitare në bashkëpunim me Strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në qarqe janë duke u ndjekur dhe verifikuar 14 raste të braktisjes së fëmijëve nga prindërit, me qëllim përfitimin e azilit në Francë apo Gjermani.

Po si rezultat i masave shtesë dhe fushatave sensibilizuese, numri i shtetasve shqiptarë që u është refuzuar hyrja në zonën Schengen ka pësuar rënie me 13%, ndërsa numri i shtetasve shqiptarë të deportuar nga vendet e BE-së ka shënuar rënie me 20%. Policia Kufitare ka përballuar me sukses fluksin e jashtëzakonshëm gjatë sezonit turistik veror, duke ofruar për qytetarët shërbim cilësor dhe eleminuar radhët e gjata në hyrje e dalje në Pikat e kalimit kufitar.

Për periudhën 1 qershor-31 gusht janë përpunuar në hyrje-dalje në total 9 788 901 shtetas shqiptarë e të huaj si dhe 2 555 940 mjete. Policia Kufitare gjatë gjithë sezonit ka qenë e angazhuar në ndihmë të pushuesve duke dhënë ndihmë në 111 raste, ndaj 82 mjeteve lundruese në det në raste emergjente me një numër prej 259 personash në bord dhe janë parandaluar nga patrullat e policisë kufitare 5 raste konflikti mes pushuesve. Janë bllokuar 12 mjete lundruese që shkelën perimetrin e sigurisë duke rrezikur jetën e pushuesve dhe janë vendosur 26 masa administrative me gjobë ndaj mjeteve lundruese për shkelje të rregullave të lundrimit në vlerën 1 854 000 lekë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që të respektojnë rregullat e udhëtimit dhe të qëndrimit në zonën Schengen. Mundësitë për të përfituar azil në këto vende janë zero, prandaj abuzimi me të drejtën e lëvizjes së lirë, shkelja e afateve të qëndrimit dhe refuzimi i aplikimit për azil rrezikon t’ju penalizojë duke ju ndaluar hyrjen në këtë zonë për vite të tëra.

SHKARKO APP