Dekorimi i Meidanit mbledh të majtën dhe të djathtën në Presidencë, përveç Ramës

Në institucionin e Presidencës u zhvillua sot në mbrëmje ceremonia e dekorimit të ish-Presidentit, Rexhep Meidani me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”.

Në ceremoni morën pjesë politikanë të majtë dhe të djathtë, si dhe pjesa më e madhe e drejtuesve politikë të Kosovës. Në takim mungoi vetëm kryeministri Edi Rama. Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Presidentët e Shqipërisë, Sali Berisha, Bujar Nishani dhe Bamir Topi, Kryetari i Opozitës së Bashkuar, Lulzim Basha, ish-kryeministri dhe Ministër për Diasporën, Pandeli Majko, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, deputetë, politikanë, diplomatë, akademikë, shkencëtarë, gazetarë dhe personalitete të shquara nga shumë fusha nga Shqipëria dhe Kosova.

Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidenit Ilir Meta, ka reaguar ndaj lajmeve të mediave për mungesën e Edi Ramës në ceremoninë e dekorimit të ish-Presidentit, Rexhep Meidani. Jo pa ironi, Blushi shprehet se kryeministri ka qenë i ftuar, sëbashku me mjaft personalitete të tjera, por kreu i qeverisë nuk ka ardhur pasi duhet të ketë qënë duke u marrë me Bjellorusinë.

“Kryeministri Rama ka qenë sot i ftuar në ceremoninë e dekorimit të Prof.Dr Meidanit, por ai ka qenë duke u marrë me Bjellorusinë. Ndaj e mirëkuptojmë për mungesën!”,- shkruan Blushi në një mesazh në Facebook duke ju përgjiur interesit të gazetarëve për mungesën e Edi Ramës.

Ditën e sotme, zyra e Presidencës së OSBE që drejtohet nga Edi Rama njoftoi se do të negociojë mes opozitës dhe qeverisë Bjelloruse për të zgjidhur konfliktin e rëndë në këtë shtet.

SHKARKO APP