Ftesa e PS-së për PAA-në, Duka: Balla kreu detyrën që i kishte ngarkuar udhëheqësi i tij
Kreu i PAA-së në një intervistë për “Koha Jonë” konfirmon bashkëpunimin me Bashën edhe në zgjedhjet e 2017-ës
Nga Herion Mesi
Konventa e Partisë Agrare Ambientaliste bëri bashkë të majtë e të djathtë, ku foltorja e Pallatit të Kongreseve shërbeu jo vetëm për të hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës, por edhe për të përcjellë porosi e ftesa për koalicion forcës më të re të arenës politike. Fillimisht, ishte Lulzim Basha, i cili e ftoi aleatin e tij Agron Dukën që t’i qëndrojë besnik bashkëpunimit të tyre ndër vite. Por në mungesë të Kryeministrit Edi Rama, porosinë dhe ftesën për t’ju rikthyer të majtës, Dukës ia përcolli Taulant Balla. E kur kanë kaluar dy ditë pas këtyre ftesave publike, kreu i PAA-së Agron Duka, në një intervistë për “Koha Jonë” komenton pikërisht këto ftesa të dy partive më të mëdha në vend. Në gjykimin e Dukës, nënkryetari i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla kreu detyrën që i kishte dhënë udhëheqësi i tij, Edi Rama, i cili sipas Dukës, për të forcuar aleancën e vet për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës kërkon aleanca të reja. “Në fund të fundit ai atë detyrë ka dhe çdokush përpiqet që të forcojë aleancat e veta dhe ta çojë uji në mulli të vet”- shprehet Duka. Ndërsa ftesa e kryedemokratit Lulzim Basha në vlerësimin e kreut të PAA-së është një ftesë normale dhe të arsyeshme, pasi ai kërkon vazhdimin e bashkëpunimit jo vetëm në zgjedhjet e pjesshme të Kolonjës, por edhe ato të vitit të ardhshëm. Dhe duke i vënë në peshoren e vlerësimeve, Agron Duka nuk ka asnjë dyshim se në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës PAA do të jetë pjesë e koalicionit të djathtë. Ndërsa lidhur me përgatitjet për garën e pjesshme, Duka shprehet se aktualisht janë dërguar tre zyrtarë të lartë të PAA-së, ndërsa të hënën e ardhshme, e gjithë Kryesia e kësaj partie do të zbarkojë në Kolonjë, për të qëndruar në krah të kandidatit të djathtë të propozuar nga PAA-ja, Dritan Hajro, i cili kandidon përballë kandidatit të majtë Ilia Stefo.
Si i komentoni ftesat e bashkëpunimit që ju bënë dy forcat e mëdha, Partia Socialiste dhe ajo Demokratike në Konventën e PAA-së?
I shikoj si normale. Ne si forcë politike jemi një parti e qendrës dhe ftesën e zotit Basha e shikoj fare të arsyeshme, pasi ne jemi në aleancë me kampin e djathtë, kështu që normalisht kreu i PD-së kërkon vazhdimin e bashkëpunimit, si dhe ne kemi kandidaturën tonë të përbashkët edhe në Kolonjë, ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme për këtë bashki. Ndërsa, Balla kreu detyrën që i kishte dhënë udhëheqësi i tij, që në fund të fundit kjo parti ka dhe një të kaluar me të majtën, kështu që për të forcuar aleancën e vet për zgjedhjet parlamentare të 2017-ës kërkon aleanca të reja.
A mund ta cilësojmë si provokim ftesën e bërë nga zyrtari i Partisë Socialiste, i cili bën thirrje për shkëputje nga koalicioni i djathtë, pikërisht në një aktivitet të këtij koalicioni, siç ishte Konventa e PAA-së që u mbajt të shtunën?
Kjo varet nga këndvështrimi që çdokush dëshiron ta shikojë këtë. Por unë nuk e shikoj si negativ. Sigurisht ai e bëri për leverdinë e tij në radhë të parë, por nuk është se e kam vrarë mendjen shumë se ç’donte të thoshte me mesazhin e tij zoti Balla. Pasi çfarë do të provokonte?! Në fund të fundit ai atë detyrë ka dhe çdokush përpiqet që të forcojë aleancat e veta dhe ta çojë uji në mulli të vet. Por ne jemi aty ku kemi qenë dhe këtë e tregojmë edhe me zgjedhjet në Kolonjë.
Do vazhdoni të jeni pjesë e së djathtës edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017-ës?
Normalisht që po. Pa asnjë diskutim.
Si po shkojnë përgatitjet për garën e Kolonjës?
Deri tani shumë mirë. Sot (dje) në orën 17:00 do të zhvillojmë një mbledhje të posaçme, ku pritet të ngremë dhe shtabin drejtues të fushatës tonë në Kolonjë, pasi siç e dini, deri të dielën ishin të angazhuar me punimet e Konventës Kombëtare. I kemi çuar atje tre zyrtarë të lartë nga Kryesia e PAA-së, të cilëve u është bashkuar edhe vetë kandidati ynë për kryebashkiak të Kolonjës atje dhe me fillimin e javës së ardhshme do të zbresim dhe ne në terren, ku do të jemi prezent gjatë gjithë kohës në Kolonjë.
Ftesa e Ramës

I dërguari nga Partia Socialiste, Taulant Balla kishte një mesazh nga kryeministri Edi Rama për agrarët e drejtuar nga Agron Duka. “Përshëndes konventën tuaj me bindjen se do të jetë e fundit që e gjen PAA në koalicion me PD. Dua të përcjellë përshëndetjet e zotit Rama, që më porositi t’ju them se në Kolonjë do të jemi të detyruar të fitojmë për t’i thënë PD se përballë nesh nuk fitoni dot. Kjo do jetë humbja e radhës e PD, jo e PAA-së. vendi juaj është në krah të fituesve dhe jo me humbësit. Suksese pas 20 nëntorit”, tha Taulant Balla në Konventën e PAA-së.
Ftesa e Bashës

Kreu i PD-së premtoi se së bashku me PAA-në do të ndjekin të gjitha iniciativat ligjore për të mos lejuar që ligji për importin e mbetjeve të hyjë në fuqi. “Ne së bashku demokratë dhe agraro ambientalistë do të çojmë deri në fund nismat tona ligjore për të bërë të mundur referendumin ligjor për këtë çështje si dhe shpresojmë se do bëjmë maksimumin që dekreti i Nishanit të qëndrojë në fuqi. Aleanca jonë është e hapur dhe jemi të gatshëm të mirëpresim çdo forcë politike dhe të përfaqësojmë çdo shqiptar që qëndron dhe lufton për këto vlera”,- tha Basha.
KOHA JONË SONDAZH

