Gara e këshillave bashkiakë/ Veliaj zbulon fokusin e PS-së
Mbrëmjen e djeshme PS konfirmoi emrat e kandidatëve për 61 bashkitë në zgjedhjet vendore të 14 majit, ndërsa ende nuk ka publikuar emrat e këshillave bashkiakë.
Për kandidatët ka folur sot kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se PS i ka bërë llogaritë për të fituar këto zgjedhje bashkë me ato të vitit 2025.
“Kemi konfirmuar kandidatët për Qarkun e Tiranës – është qarku më i madh, me 700 mijë votues. Tirana ka vajtur me 62 kandidatë. Me përqendrimin e popullsisë Tirana do të ketë gjithmonë e më shumë zë, edhe me ndryshimin e mandateve në 2025, kështu që kemi marrë disa vendime jo vetëm për të fituar 14 Majin, por për të menduar edhe për fitoren e radhës”, u shpreh Veliaj.
Përsa i përket këshillave bashkiakë, ai deklaroi se do të respektohet balanca gjinore, ndërsa theksoi se socialistët janë fokusuar që të kandidojnë kryesisht me juristë dhe financierë.
“Këshillat Bashkiake do të respektojnë balancën gjinore. Kemi bërë një shartim të disa rrymave, që përfaqësojnë shoqërinë e Tiranës, edhe të disa krahinave. Sigurisht, Tirana tani është mozaiku që përfaqëson gjithë Shqipërinë. Kemi disa prurje të reja nga bota akademike dhe kemi kryesisht një fokus tek juristët dhe financierët, duke qenë se Këshilli Bashkiak do të duhet të marrë vendime të rëndësishme për vazhdimësinë e punëve në Tiranë. Kemi disa projekte madhore që duam të kalojmë: Stadiumin e ri ‘Selman Stermasi’, Pallatin e ri të sportit “Asllan Rusi”, dy hangarë që e kanë tejkaluar moshën e tyre dhe duhet që t’i bëjmë të reja. Do të thotë që do të bëjmë disa procedura ligjore dhe skema financiare për të bërë këto investime”, tha Veliaj
KOHA JONË SONDAZH

