Gara për Parkun Fotovoltaik të Spitallës/Rama: 70% e prodhimit të jetë për tregun e brendshëm
Kryeministria ka bërë me dije se ka nisur procesin e garës për Parkun e Ri Fotovoltaik të Spitallës, në zonën e ish-Kënetës së Durrësit. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë një event shumë të rëndësishëm për të nesërmen e ekonomisë dhe sektorit energjetik si dhe forcimin e imazhit tw vendit tonë në një kohë kur gjithë bota ka një shqetësim lidhur me burimet e energjisë dhe domosdoshmërinë për diversifikimin e saj.
“Pas suksesit me ankandin për ndërtimin e Parkut Fotovoltaik të Karavastasë, ku së shpejti nis ndërtimi nga kompania franceze Voltalia, ky është një tjetër investim strategjik në sektorin energjetik shqiptar dhe njëkohësisht një investim madhor. Së shpejti do të fillojë puna në kantierin e parë të energjisë diellore në Shqipëri. Është pjesë e një mozaiku që jeton vizionin tonë për Durrësin e vitit 2030 dhe vizionin tonë për Shqipërinë e 2030 sepse në këtë zonë prej vitesh ka qenë një zonë e parë si një periferi, ku ka pasur hapësirë për ndërtime kaotike të atyre që gjatë dekadave kanë lëvizur nga zona të thella drejt qendrave të mëdha urbane, ndërkohë që me këtë park kemi bërë vetëm hapin e parë duke filluar nga lagjia e re, po aq mbresëlënëse sa edhe shkollat që po ndërtohen. T’i hapim rrugë transformimit të portit të vjetër me një port të madh turistik që do t’i japë Durrësit magnetin e fuqishëm për të tërhequr sa më shumë turistë dhe të ketë atë turizmin elitar dhe të jetë një pikë në Mesdhe. Kjo periudhë e pandemisë ka frenuar shumë procese e bllokuar disa procese të rëndësishme. Duhet të krijohet mundësia që 70% e prodhimit të jetë për tregun e brendshëm. Shpresoj që shumë shpejt të jemi përsëri këtu. Mozaikun e Shqipërisë ta kemi një realitet të plotësuar në këtë 10 vjeçar që kemi mbërrirë. Punët nuk fillojnë kur dalim në tv, nuk nisin kur bëhen publike por kur ideohen, konceptohen projektet, negociohet, është një punë përgatitore solide që do të na japë sukses”, tha Rama.
Ministrja Transportit dhe Energjisë, Belinda Balluku, tha se parku nuk do të ndikojë në mjedisin e zonës, e konceptuar si zonë industriale. “Parku do të shtrihet në 120 hektarë do të prodhojë fuqi maksimale prej 100 megavat. Pas parkut të Karavastasë ka pasur shumë kërkesa nga investitorë të huaj. Fituesi i garës shpallet në 2 mars 2021”.