Gazmend Bardhi te Krimet e Rënda: Në Prokurori të thirret Rama

Gazmend Bardhi, këshilltari ligjor i PD, ka dhënë një deklaratë pasi ka dalë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në të cilën ishte thirrur për të dhënë sqarime lidhur me audio-përgjimin për vëllain e Ministrit të Brendshëm.

Përfaqësuesi i PD-së, Bardhi deklaroi se sot në prokurori duhet të ishin thirrur ata që akuzohen nga PD për shkelje ligji. “Është shqetësuese që nuk merrej në pyetje Agron Xhafaj, nuk merrej në pyetje vetë ministri, Fatmir Xhafaj dhe as Kryeministri, që ngriti alibi për audio-përgjimin dhe thirreshin pikërisht ata që e kishin denoncuar veprimtarinë kriminale të Agron Xhafajt”,- tha Bardhi.

Ndërkohë, vëllai i ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj u vetëdorëzua të autoritetet italiane për të vuajtur dënimin që i është dhënë në vitin 2012. Para nisjes në Itali ai bëri një padi për zyrtarët e PD duk i akuzuar për falsifikim të materialit të audio-përgjimit si dhe dha dëshminë e tij.

Komunikimi per media e Gazment Bardhit: Çfarë deklaruat në Prokurori?
Gazment Bardhi: Siç ju e dini ne sot ishim në cilësinë e personave që kemi apo që mund të japim të dhëna mbi hetimin që ka nisur Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sigurisht që faktet dhe argumentat tona tashmë janë publike. Jemi përpara një rasti të dokumentuar të abuzimit me pushtetin nga ministri i Brendshëm dhe qeveria për llogari të një veprimtarie kriminale të vëllait të ministrit të Brendshëm. Unë jam jurist dhe sigurisht që do të bashkëpunoj me organin e Prokurorisë sa herë që të thirrem por nuk mund të rri dot pa shprehur shqetësimin tim që kjo është Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe shtetasi i dyshuar si i përfshirë në trafik droge që është vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është marrë ai i pari në pyetje por jemi marrë ne që denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje ministri i Brendshëm që i lehtëson veprimtarinë kriminale vëllait por jemi marrë ne që e denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje akoma Kryeministri që ka krijuar një alibi publike ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafajt. Por ndërkohë nuk ju bën ju me dijeni dhe besoj se ju nuk e keni aktin e ekspertimit. Dhe prokuroria do të duhet të kishte sekuestruar këtë material privat, siç e quan kryeministri sepse është një e dhënë që i ndihmon hetimet.
Prandaj edhe thirrja ime publike ndaj organit të Prokurorisë është që të fusë hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji. Dhe drejtimi i duhur që i kërkon ligji është të ndëshkohet në mënyrë spektakolare individët e përfshirë në krim të organizuar dhe individët që bëjnë trafik droge. Rasti është publik bëhet fjalë për vëllain e ministrit të Brendshëm.
Pyetje: Ju konkretisht çfarë deklaruat?
Gazment Bardhi: Ne deklaruam gjithçka u pyetëm dhe gjithçka që kemi bërë publike me fakte dhe prova edhe gjatë këtyre ditëve.
Pyetje: Ju konkretisht për çfarë u pyetët?
Gazment Bardhi: Për gjithçka që kemi bërë publike mbi faktet dhe materialet që ne i kemi bërë publike. Të njëjtat fakte dhe materiale sigurisht që Prokuroria i disponon dhe ne kemi dhënë sqarimet tona mbi këto fakte dhe mbi këto prova.

SHKARKO APP