Gazmend Oketa: Më 25 qershor, shqiptarët ta godasin me votë paktin ogurzi Rama-Basha
Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së: 18 maji, akti i dytë i marrëveshjes së 2008-ës, që synohet prishja e çdo balance institucionale
Intervistoi: Herion Mesi
Tensioni 4 -vjeçar mes dy kundërshtarëve politikë Edi Ramës dhe Lulzim Bashës nuk ishte asgjë më shumë se një teksion artificial, i krijuar mes tyre qëllimisht për të konsoliduar pushtetin e tyre vetjak: njëri që të qeverisë i vetëm, ndërsa tjetri për të forcuar pushtetin brenda partisë së tij. Deklarata vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, i cili në një intervistë për gazetën “Koha Jonë” thekson se ky konsolidim që u arrit përmes marrëveshjes së 18 majit, të humburit të mëdhenj janë vetë qytetarët shqiptarë, institucionet kushtetuese balancat e të cilave u prishën fillimisht në marrëveshjen e 2008-ës dhe kjo që ndodhi mes Ramës dhe Bashës është akti i dytë i këtij rrënimi. Duke u nisur nga kjo, kryesuesi i listës së kandidatëve të FRD-së në Tiranë, i bën apel qytetarëve shqiptarëve që vetëm përmes një pjesëmarrjeje masive më 25 qershor, dhe një votim kundër klikës Rama-Basha mund ta zhbëjë këtë marrëveshje ogurzezë.
Oketa pak ditë më parë kryetari i FRD-së, z. Topi, e cilësoi paktin Rama-Basha si një marrëveshje okulte të dy personave në hall. Çfarë “halli” mendoni se i bëri bashkë dy kundërshtarët më të ashpër në politikë?
Duhet së pari të kujtoj se dy kundërshtarët politikë për afro katër vite patën një debat tepër të tensionuar me njëri- tjetrin, tension, i cili arriti kulmin me ngritjen e çadrës në bulevard, por që në fund rezultoi ashtu siç pritej, një tension krejtësisht artificial. Ndaj, besoj se halli që i bëri bashkë z. Basha dhe z. Rama si dy kundërshtarët politikë, nuk ishte gjë tjetër veçse halli për pushtet apo e thënë në gjuhë më të thjeshtë halli për karriget personale. Njëri për karrigen e pushtetit, e tjetri për karrigen e partisë për të konsoliduar pozitat e tij brenda PD-së. Akuzat për kanabis, krim të organizuar, koncesione apo korrupsion janë harruar dhe duket sikur nuk janë thënë ndonjëherë. Ajo që mund të thuhet më siguri absolute është se, në atë marrëveshje nuk është konsideruar në asnjë rrethanë halli i qytetarëve shqiptarë, apo efektet që do të sillte në jetën e tyre një marrëveshje e tillë.
Në një marrëveshje ka gjithmonë një palë që fiton pak më shumë dhe për pasojë humbet pala tjetër. Sipas jush kush po fiton dhe kush po humbet pas këtij pazari të Ramës dhe Bashës?
Unë një gjë mund të them me siguri se të humburit e mëdhenj, në rast se nuk reagojnë nga kjo marrëveshje, janë qytetarët shqiptarë. Në qoftë se qytetarët shqiptarë duan të shkëputen nga politikat e vjetra, nga politika e pazareve, – në rast se ata nuk duan t’ju japin mundësi realizuesve të kësaj marrëveshje, e të dalin njëri më i fituar se tjetri, – atëherë ata duhet të reagojnë. Më 25 qershor, me votën e tyre, qytetarët shqiptarë duhet t’i tregojnë politikës së pazareve se në rast se marrëveshjet nuk kanë në qendër të vëmendjes së tyre interesin publik qytetar, atëherë ato do të rezultojnë të dështuara. Kështu që gjithçka mbetet në dorë të qytetarëve shqiptarë, pasi ata rrezikojnë të jenë humbësit e mëdhenj të kësaj marrëveshje.
Për mënyrën si rrodhën ngjarjet me krizën politike, çadra, marrëveshja e fshehtë Rama-Basha, ndarja e qeverisë, administratës etj., a mendoni se Basha është “shitur” te Rama?
Kjo është një pyetje që duhet t’ja drejtoni zotit Basha, nëse ai, është shitur apo jo. Çfarë doli fare qartë me realizmin e kësaj marrëveshje, ishte fakti se kriza e ashtuquajtur politike e çadrës ishte një krizë artificiale, një krizë e sajuar vetëm e vetëm në funksion të forcimit të pozitave, të zotit Basha brenda PD-së. Ai me këtë marrëveshje arriti të dalë nga rruga pa kthim ku kishte zhytur opozitën shqiptare dhe nga ana tjetër arriti të “spastrojë” listat për deputetë, duke larguar gjithë ata individë që, kush më shumë e kush më pak, kanë mbajtur qëndrime të ndryshme, ndonëse edhe fare modeste, në kundërshtim me atë çka zoti Basha pretendonte se ishte linja e tij.
Politikanë që kanë pasur role drejtuese në PD, si Topalli e Imami kanë dalë hapur kundër Lulzim Bashës duke bërë akuza të paimagjinueshme më parë kundër tij. Si e shihni këtë lëvizje në PD, pasi edhe ju keni qenë dikur pjesë e selisë blu?
Kjo është një çështje krejtësisht e brendshme e PD-së, por sigurisht është edhe një çështje që shqetëson dhe opinionin publik shqiptar, pasi bëhet fjalë për forcën më të madhe opozitare. Unë qëndrimet e mia i kam mbajtur para 5 vitesh, por kjo nuk do të thotë se ata që reagojnë sot nuk kanë të drejtë. Në gjykimin tim ajo forcë ka shumë vite që ka humbur tërësisht boshtin ideologjik dhe nuk përfaqëson më të djathtën shqiptare, përkundrazi e ka shpartalluar atë. Ajo forcë është thjesht pronë private, gjë që e konfirmoi mënyra se si u hartuan listat. Edhe koalicioni që ka realizuar tregon më së miri se sistemi i vlerave, i respektit për kontributin e gjithsecilit nuk ekziston më. Një demokrat zëvendësohet fare kollaj me kryetarë partish të tjera apo biznesmen, thjesht dhe vetëm për faktin se kështu vendos pronari i partisë. Demokratët e vërtet nëse realisht janë të shqetësuar për fatet e të djathtës, nëse vërtet e kanë kuptuar se ajo nuk është më PD e idealeve demokratike duhet të mbështesin në këto zgjedhje FRD, për të mundësuar më pas ringritje e së djathtës së vërtetë.
Qeveria teknike “Rama-Basha” ka bërë që ideja e një koalicioni PS-PD të mos jetë më tabu pas zgjedhjeve. Çfarë mund të prodhojë në skenën politike dhe në shoqërinë shqiptare një qeverisje e tillë?
Në fakt kjo, nuk është qeveria teknike Rama-Basha, por është një qeveri e gjithë forcave parlamentare. Ky është një paradoks i madh. Përveç paradokseve të tjera që kanë edhe zgjedhjet e 25 qershorit, paradoks është dhe fakti se partitë parlamentare shkojnë si parti simotra në këto zgjedhje. Nga vetë atmosfera që është krijuar duket sikur kemi të bëjmë me një palë zgjedhje, rezultati i të cilave është përcaktuar në tavolinë. Në fakt kësaj teze duket sikur i shërben pak edhe opinioni mediatik, apo një pjesë e opinionistëve në studiot televizive kur duhej të ishte e kundërta: gjithë opinioni i shëndoshë publik duhej t’i bënte thirrje qytetarëve shqiptarë që të dilnin masivisht në votime, të dilnin për të dënuar me votë pikërisht këtë marrëveshje që, synon të parcelizojë pushtetin politik, synon të garantojë paprekshmërinë e politikanëve të korruptuar që tek e fundit do të japë si rezultat edhe moszbatimin e reformës në drejtësi. Me keqardhje ju them, se në rast se qytetarët shqiptarë do të lënë në këmbë këtë marrëveshje, që do të thotë se do të votojnë po këto forca politike, atëherë të mos shpresojnë se sistemi i drejtësisë do të spastrohet dhe reforma në drejtësi do të realizohet.
Në qëndrimet e fushatës elektorale nga Rama dhe Basha bien në sy deklarata për ndryshime kushtetuese dhe ndryshime të Kodit Zgjedhor. A është e rrezikuar demokracia nga ndryshimi i Kushtetutës në dëm të partive të vogla?
Unë bëj pjesë tek ata që nuk i marrin seriozisht këto deklarime. Jam shprehur dhe në intervista, apo dalje mediatike, se marrëveshja Rama-Basha nuk është gjë tjetër veçse kapitulli i dytë i marrëveshjes së prillit të vitit 2008, midis zotit Berisha e zotit Rama për të ndryshuar Kushtetutën duke prishur kështu të gjitha balancat ndërmjet institucioneve të shtetit shqiptar. Këto ndryshime kushtetuese sollën përkeqësim qoftë të klimës politike, por dhe një përkeqësim të raporteve midis institucioneve të shtetit shqiptar. Kam parasysh këtu: Kuvendin, Presidencën, Qeverinë dhe Sistemin e drejtësisë. Qoftë z. Basha apo z. Rama kanë pasur katër vjet kohë në dispozicion për të dëshmuar me votim në Kuvend se vërtetë shqetësimi i tyre ishte si reforma në drejtësi, ashtu dhe reforma zgjedhore. Ata kanë pasur gjithë kohën e nevojshme për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë një Kod Zgjedhor të ndershëm, i cili garantonte barazinë e votës dhe nuk deformon vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Atë që nuk e bënë në katër vjet duan ta shesin të realizuar në një natë.
Si e parashikon fundin e “dashurisë” politike Rama-Basha?
Në fakt këto lloj dashurish janë tepër të çuditshme dhe tepër të rralla, kështu që parashikimi i tyre drejt fundit është tepër i vështirë. Por, për sa kohë dashuri të tilla politike bazohen mbi interesa pushtetit dhe interesa ekonomike, sigurisht nuk kanë fund të tjetër përveçse të dështojnë. Më duhet të përsëris për të disatën herë, se gjithçka varet nga qytetarët shqiptarë. Sa më shpejt të kuptojnë se këto janë marrëveshje bien në dëm të interesave të tyre, atëherë aq më i shpejtë do të jetë dhe fundi i kësaj dashurie. Sa më vonë ta kuptojnë që më keq do jetë për interesin qytetar dhe aq më traumatike do jetë shembja e pushtetit të ngritur mbi një “dashuri” të tillë.
Dhe e fundit, cilat janë pritshmëritë e FRD në këto zgjedhje?
FRD synon të ketë përfaqësimin e saj në Kuvend dhe të vetmen rrugë që ajo di për të arritur këtë objektiv është nëpërmjet votës së lirë. Është vërtet dëshpërues fakti se rreth 40% e shqiptarëve deklarohen se nuk do të marrin pjesë në votim. Është një thënie e një kritiku të shquar amerikan, “Politikanët e korruptuar zgjidhen nga qytetarët e mirë që nuk votojnë”. Unë kam një apel për të gjithë ata qytetarë të cilët kanë vendosur të refuzojnë votën dhe pjesëmarrjen në votime. Unë do t’i bëja thirrje ndërgjegjes së tyre qytetare, do t’i thoja se heshtja juaj, ikja juaj nga votimi i fshehtë vetëm sa ndihmon ata që ju zhgënjyen që t’ju zhgënjejnë edhe më shumë në të ardhmen, ndihmon ata që ju sunduan që t’ju sundojnë edhe më shumë. Është koha të flisni me zë të lartë, të flisni me votën tuaj dhe jo ta delegoni vendimmarrjen tek pakica militante që më pas vendos për ju dhe fëmijët tuaj. Mos e nënvleftësoni fuqinë e votës suaj. Shqipëria është e juaja, duhet vetëm ta mbroni atë me votë nga të korruptuarit.